Hetime penale ndaj kompanisë së zotit Trump

Nju Jork,19 maj 2021 – Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Nju Jorkut njoftoi të martën se ka hapur hetime penale ndaj kompanisë së ish-Presidentit Donald Trump, njofton Reuters.

Prokurorja e Përgjithshme e këtij shteti, Letitia James, është duke hetuar nëse Organizata Trump i ka falsifikuar të dhënat mbi vlerat e pronave për përfitime ekonomike dhe lehtësira tatimore.

“Kemi informuar Organizatën Trump se hetimi ynë ndaj organizatës nuk është thjeshtë i natyrës civile”, ka thënë Fabien Levy, zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

“Aktualisht jemi duke hetuar në mënyrë aktive Organizatën Trump në një kapacitet kriminal, në bashkëpunim me prokurorinë e Manhatanit”, ka shpjeguar ai.

Ky është hetimi i tretë penal ndaj zotit Trump pas largimit nga detyra e presidentit.

Prokuroja Letitia James ka zhvilluar hetime nëse Organizata Trump i ka fryrë vlerat e disa prej pronave për të siguruar hua me norma më të vogla interesi dhe ka ulur vlerat e tyre për të përfituar zbritje të tasksës së pronës.

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Cyrus Vance, ka hetuar prej më shumë se dy vitesh veprimtarinë e biznesit të zotit Trump para se të bëhej president.

Në shkurt, prokurorët në Qarkun Fulton të Xhorxhias hapën një hetim penal lidhur me përpjekjet e zotit Trump për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të atij shteti, pasi ai u regjistrua në një telefonatë me 2 janar, duke i bërë presion sekretarit të shtetit të Xhorxhias që të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve bazuar në pretendime të pabaza për manipulime.

Ish-Presidenti Donald Trump sulmoi të mërkurën Prokuroren e Përgjithshme të shtetit të Nju Jorkut për fillimin e hetimit penal ndaj biznesit të tij familjar, duke theksuar se ai “po sulmohet dhe abuzohet padrejtësisht”.

“Nuk ka asgjë më të korruptuar sesa një hetim që është në kërkim të dëshpëruar të një krimi”, tha zoti Trump.

(r.m.)