Hetuesit: Trumpi motivuesi kryesor për sulmin në Kongresin amerikan

Uashington, 13 korrik 2022 – Seanca në komisionin që po heton sulmin e dhunshëm të 6 janarit 2021 në Kongres rifilloi të martën me një shqyrtim të asaj që ligjvënësit e quajnë inkurajim nga ana e ish-presidentit Donald Trump të grupeve të ekstremit të djathtë për të bllokuar një proces demokratik. Siç shpjegon korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, ligjvënësit argumentuan se pretendimet e zotit Trump për manipulim të zgjedhjeve u bënë shkak për sulm.

Një postim në Twitter nga ish-presidenti Donald Trump është ai që ligjvënësit e Kongresit e cilësojnë si një moment kyç, ku u bëhet thirrje grupeve ekstremiste të sulmojnë Kapitolin ….

“Proud Boys dhe Oath Keepers janë dy grupet kryesore që iu përgjigjën menjëherë thirrjes së Presidentit Trump. Proud Boys janë një grup luftarak i ekstremit të djathtë që mbështet dhunën dhe supremacinë e bardhë. Oath Keepers janë ekstremistë që mbështesin një gamë të gjerë teorish konspirative dhe u përpoqën të vepronin si një forcë private paraushtarake për Donald Trumpin”, tha ligjvënësi demokrat Jamie Raskin.

Në seancën e shtatë publike, ligjvënësit detajuan fazat përfundimtare të pretendimeve të tyre se zoti Trump gënjeu sipas tyre lidhur me manipulimet në zgjedhje, duke motivuar mbështetësit e tij për të përmbysur procesin demokratik.

“Donald Trump thirri një turmë në Uashington, DC, dhe në fund e nxiti atë të kryente një sulm të dhunshëm ndaj demokracisë sonë”, tha ligjvënësi demokrat Bennie Thompson.

Zoti Trump dhe shumica e republikanëve të Kongresit e kanë kritikuar hetimin, duke e quajtur atë të padrejtë dhe të pabalancuar. Por një republikane me zë që votoi për shkarkimin e Donald Trumpit tha se seancat dëgjimore po e mbajnë atë përgjegjës.

“Strategjia është të fajësohen njerëzit që këshilltarët e tij i quajtën, dhe po i citoj, ‘të çmendurit’, për atë që bëri Donald Trumpi. Kjo, natyrisht, është e pakuptimtë. Presidenti Trump është 76 vjeç, nuk është një fëmijë që të ndikohet. Ashtu si gjithë të tjerët në vendin tonë, ai është përgjegjës për veprimet e tij”, tha ligjvënësja republikane Liz Cheney.

Këshilltarë të shumtë të Shtëpisë së Bardhë dëshmuan se i kishin thënë ish-presidentit se i kishte humbur zgjedhjet – por ai gjithsesi ushtroi trysni ndaj Departamentit të Drejtësisë për të marrë nën kontroll makineritë e votimit…

“Që qeveria federale të marrë në kontroll makineritë e votimit, është një ide e tmerrshme. Ne nuk i bëjmë gjërat në këtë mënyrë në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka asnjë autoritet ligjor për ta bërë këtë”, tha Pat Cipollone, ish këshilltar i Shtëpisë së Bardhë.

Pasi humbi disa procese gjyqsore në gjykata lidhur me zgjedhjet, zoti Trump mobilizoi mbështetësit e tij për të sfiduar numërimin zyrtar të votave elektorale më 6 janar.

Komisioni zbuloi se menaxheri i fushatës së zotit Trump besonte se veprimet e ish-presidentit çuan drejtpërdrejt në vdekjen e Ashli Babbitt, një mbështetëse që u qëllua nga Policia e Kapitolit pranë Dhomës së Përfaqësuesve.

Ish-këshilltari i zotit Trump, Steve Bannon njoftoi se tashmë është i gatshëm për të dëshmuar para komisionit. Në një seancë publike javën e ardhshme, hetuesit pritet të shqyrtojnë rolin e ish-presidentit Trump në ngjarjet e 6 janarit, minutë pas minute.

(Zëri i Amerikës)