HIPOKRIZIA SHQIPTARE ME VIKTIMAT E KOMUNIZMIT

Frank SHKRELI

Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit është një organizatë anti-komuniste jo-fitimprurëse këtu në Shtetet e Bashkuara, me qendër të Washington, e themeluar me një akt të Kongresit, në vitin 1993, “Me qëllim për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”.  Ky është misioni i këtij fondacioni, me moton e veprimit “Për të mësuar të vërtetën – për të kërkuar drejtësinë – për të ruajtur kujtesën”.

Për pothuaj tri dekada ky fondacion ka zhvilluar një veprimtari të dendur për të edukuar dhe për t’ia kujtuar rinisë dhe publikut amerikan, në veçanti, por edhe vizitorëve ndërkombëtarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, krimet barbare të komunizmit gjatë shekullit të kaluar dhe më vonë, krime të kryera në më shumë se 40 vende të botës, të sunduara dikur dhe sot nga regjime komuniste.

Ashtu si çdo vit që prej themelimit, edhe sivjet, Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit — para Monumentit të Viktimave të Komunizmit në Washington kushtuar më shumë se 100-milionë viktimave të komunizmit në botë — zhvilloi ceremoninë përkujtimore vjetore, të premten që kaloi.  Kjo ceremoni vjetore zhvillohet në këtë ditë, në kujtim të vizitës së ish-Presidentit amerikan, Ronald Reagan në Berlin, më 12 qershor 1987, dhe thirrjes së tij të famshme tashti drejtuar udhëheqësit të atëhershëm sovjetik: “Z. Gorbaçov, shembe këtë mur”, një referencë kjo për murin që e kishte ndarë për 30 vjet Berlinin — në atë atë lindor (komunist) dhe perëndimor (demokratik) – e që konsiderohej edhe simbol i të gjithave të këqijave të komunizmit dhe i luftës së ftohtë për tri dekada.

Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit organizoi ceremoninë para Memorialit të ngritur në vitin 2007, jo larg godinës së Kongresit, kushtuar viktimave të komunizmit në botë ku morën pjesë përfaqësues të 16 ambasadave të vendeve ish-komuniste në Evropë si edhe një numër organizatash nga ish-vendet e robëruara komuniste. Ceremonia e 14-të, e emërtuar “Roll Call of Nations Wreath Laying Ceremony”, është një ceremoni gjatë të cilës, historikisht, çdo vit ambasadorë dhe diplomatë të vendeve ish-komuniste vendosin kurora lulesh pranë Memorialit të Viktimave të Komunizmit botëror në kryeqytetin amerikan, në kujtim të mbi 100 milionë viktimave të komunizmit ndërkombëtar, anembanë botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Me të vërtetë u ndjeva shumë mirë shpirtërisht, por dhe krenar, si shqiptar, kur i pashë dy kurora, midis dyzina sosh, njëra nga ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe tjetra nga ambasada e Republikës së Kosovës, ashtu krah për krah njëra-tjetrës (siç mund të shikoni foton më poshtë) në Kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, para një memoriali kushtuar viktimave të komunizmit anembanë botës.  Por, fatkeqësisht, fillova shpejt ta humbas krenarinë për këtë akt njerëzor të dy ambasadave shqiptare ndaj viktimave të komunizmit botërorë, përfshirë viktimat komuniste në trojet shqiptare, një akt që duhet të vlerësohet pa marrë parasysh nëse e kanë bërë me ose pa lejen e ministrive të tyre përkatëse. 

Sa bukur që dy ambasadat shqiptare renditen me përfaqësi të tjera nga vendet ish-komuniste për të kujtuar viktimat komuniste, por sa ironik, në mos hipokrit, ky akt, thashë me vete, që përfaqësitë diplomatike shqiptare në Washington vendosin kurora me lule para një monumenti amerikan kushtuar viktimave të komunizmit – në një vend si Amerika, e cila nuk ka vuajtur kurrë nga komunizmi, ndëra në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat kanë vuajtur nga komunizmi më shumë se çdo vend tjetër në Evropë dhe në botë – jo vetëm që nuk gjen ndonjë monument kushtuar dhjetra mijëra viktimave shqiptare të komunizmit.  Sa mirë do të ishte në qoftë se të afërmit e atyre viktimave shqiptare të komunizmit, eshtrat e të cilëve as nuk dihet se ku janë hedhur a varrosur, ku të afërmit e tyre ose të interesuarit do të mund të vendosnin një kurorë me lule, të pakën për t’i kujtuar ata në data me rëndësi të kujtimit të tyre, si kjo në Washington javën që kaloi, por edhe në data të tjera kushtuar kujtimit të viktimave të komunizmit, sidomos në Evropë, por edhe në botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kandanë, të cilat nuk kanë vuajtur kurrë nga komunizmi.

Në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka asnjë datë për të kujtuar viktimat e komunizmit, por nuk ka as monumente kushtuar viktimave shqiptare të komunizmit në asnjërin vend, ndërkohë që me autorizimin e autoriteteve vendase, madje edhe natën për terr, janë ngritur monumente memoriale kushtuar të huajve: turqve, grekëve e sllavëve. Turpi i mbuloftë meturp këto autoritete, të cilat jo vetëm që nuk i kujtojnë viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, por, në të vërtetë, tallen publikisht me ta, me familjet e tyre dhe me vuajtjet e tyre.  Kanë kaluar 30-vjet nga shembja e Murit të Berlinit dhe, ndryshe nga e gjithë bota tjetër e qytetëruar, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë madje as një ditë kushtuar mijëra viktimave të pafaajshme të komunizmit shqiptaro-sllav as monumente në kujtim të tyre, askund në trojet shqiptare.

Klasa politike shqiptare e të gjitha ngjyrave ka vazhduar për 30 vjet të heshtë, ta paraqes dhe ta shtrembërojë çështjen e viktimave të komunizmit sipas interesit dhe trillimeve të rastit duke bërë premtime, por pa asnjë vullnet e as dëshirë për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Jemi mësuar me talljet, gënjeshtrat dhe premtimet boshe të politikanëve shqiptarë, në pozitë dhe në opozitë,  sidomos të përfaqësuesve të kulturës së vjetër komuniste ose të gardës së vjetër komuniste, e cila ka mbizotëruar për tri dekada politikën shqiptare të këtij tranzicioni të pafund.  Edhe këta pretendojnë të bëjnë shtet?!

Shteti nuk bëhet me mendësi komuniste. Demokracia nuk zhvillohet me mentalitet momunist dhe as liria nuk vendoset me ligje për kufizimin e lirisë, si për shembull të lirisë së shtypit. Ashtu siç as drejtësia nuk mund të vendoset nga ish-prokurorë dhe ish-gjykatës të komunizmit, disa prej të cilëve kanë gisht në dënimet e viktimave të pafajshme të komunizmit. madje as atëherë kur ata e kanë mbështetjen e turpshme dhe pa rezerva të ambasadave perëndimore.

Ironi, hipokrizi apo çkado tjetër qoftë, unë e shikoj si shenjë shpresëdhënse vendosjen e kurorave me lule (me leje ose pa leje të qendrave) nga dy ambasadat shqiptare pranë Memorialit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit ndërkombëtar në Washington, të premten që kaloi, në prani të një numri diplomatësh dhe përfaqësuesish të oganizatave të ndryshme ndërkomblëtare. Duke shpresuar se edhe në trojet shqiptare mund të bëhet diçka për të kujtuar mijëra viktimat e komunizmit shqiptar, anembanë trojeve shqiptare, me besimin se e vërteta, sado që të mbulohet nga errësira më në fund gjithmonë triumfon, sepse “Për një kohë tepër të gjatë e vërteta e asaj që ka ndodhur është përfolur në heshtje dhe është mbuluar me terr. Por, vetëm e vetëm pse historia ka heshtur për ato që kanë ndodhur, nuk do të thotë se (masakra) nuk ka ndodhur. Dhe ndërsa terri i mbulon shumë gjëra, ai nuk shlyen asgjë, asgjë.  Disa krime dhe padrejtësi janë aq djallëzore, aq të tmershme dhe aq shokuese sa ato nuk mund të mbulohen nën tokë, pa marrë parasysh sa disa njerëz mund të përpiqen ta bëjë një gjë të tillë.”  (Nga fjalimi i Presidentit Joe Biden, me rastin e 100-vjetorit të masakrës në Tulsa të shtetit Oklahoma, me 1 qershor 2021.)

Ka ardhur koha që Tirana dhe Prishtina zyrtare të veprojnë “në anën e duhur të historisë”, të bashkohen me botën e qytetëruar perëndimore dhe të përballen me krimet e komunizmit dhe me historinë e turpshme të regjimeve komuniste, anembanë trojeve shqiptare. Është i nevojshëm një reflektim i thellë i autoriteteve më të larta dhe të pyesim veten PSE ndodhën këto krime dhe PSE heshten ato për 30 vjet tranzicion?!  Cilën rrugë do të ndjekë kombi shqiptar: rrugën e vlerave themelore njerëzore – respektit për jetën e njeriut, lirinë dhe demokracinë perëndimore, apo rrugën e përcaktuar 85-vjet më parë nga një ish-diktator komunist sllavo-aziatik, pasojat e të cilit, edhe  më tutje, shihen preken ende anembanë vendit.