Histori e shkurtër e shkollës shqipe

Eneida JAÇAJ

Arsimi dhe dija është e vetmja armë e fortë kundër shtypjes, nënshtrimit, nëpërkëmbjes dhe talljes.  Mbretëria e dijes ka forcën ta nxjerrë një komb dhe mbarë njerëzimin nga errësira, duke shërbyer si rreze drite për të gjetur forma nga më të ndryshme të rrugëdaljes, në zgjidhjen e shumë ekuacioneve me karakter ekonomiko-social. Dija ia siguron shoqërisë dinjitetin, ekzistencën në gjithë qenien e saj, është shpresë drejt rrugës plot ndriçim, pa kthim. Një komb pa një gjuhë dhe i paarsimuar do të ishte i padukshëm dhe inekzistent në sytë e botës. Për fatin e tij do të vendosnin superfuqitë, sipas orekseve të tyre. Ashtu siç ka ndodhur…

Një kombi të cilit i mohohet e drejta për dije dhe sidomos shkrimi e këndimi i gjuhës amtare, për ta përdorur si plaçkë për interesa vetjake, do të jetë një shoqëri që do të mbetet gjithmonë në pozicionin e padukshëm dhe do të rreshtë së ekzistuari. Shqiptarët e kanë njohur fort mirë këtë pozicion, pasi kanë qenë të pushtuar, duke filluar me Perandorinë Osmane, në vitin 1384, ku ishin fuqitë e mëdha të Europës, që e kanë lënë vendin prej 5 shekujsh në sundimin otoman mesjetar, pasi vetëm kështu do të pengohej dalja e Serbisë në det.

Pushtimet dhe pazaret e superfuqive që vijuan edhe pas periudhës së mesjetës së vonë, në kurriz të territoreve shqiptare, kanë qenë kryefjala e kalvarit të vuajtjeve dhe kryengritjeve të shqiptarëve për disa vite. Për të aneksuar territore shqiptare dhe për të përfituar nga pozita gjeografike, pushtuesit do ta kishin më të lehtë të arrinin qëllimet e tyre, duke i lënë shqiptarët në mjerim dhe në errësirë të plotë. Kjo është një nga arsyet pse shqiptarët e kanë të induktuar në gjak dëshirën për t’u arsimuar dhe triumfuar me sukses në çdo fushë respektive, pasi dija është si “shpata e Demokleut”, e cila shërben si kërcënim ndaj çdo rreziku të jashtëm, por edhe si pikë-nxitje për t’i dhënë zgjidhje shumë problemeve shoqërore.

Pra, shqiptarët vazhduan me këmbëngulje përpjekjet për t’ia kthyer kombit dinjitetin dhe krenarinë, përmes arsimimit. Historiku i hapjes së shkollave shqipe e ka zanafillën që në periudhën mesjetare, ku ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm kleri katolik. Gjuha shqipe nisi të shkruhej 48 vjet para Kongresit të Manastirit, në vitin 1908.

Një figurë emblematike e dijes ishte Papa Kristo Negovani, prifti shqiptar i cili luftoi për çlirimin e vendit nga falangat greke dhe punoi fort për shkrim-këndimin e gjuhës shqipe. Ai ishte i pari që ngriti meshën në gjuhën shqipe dhe nuk iu bind kurrë pushtuesve grekë, që të hiqte dorë nga mësimi i gjuhës shqipe dhe arsimimi i të fëmijëve, por jo vetëm. Sipas dokumenteve dhe studimeve që janë bërë, priftërinjtë hapën shkolla që datojnë nga viti 1585 (në Kurbin më 1632; shkolla e Pllanës dhe të Blinishtit, në vitin 1644; shkolla e mesme në Janjev, në vitin 1670; shkolla e Rrjollit, e hapur nga Pjetër Bogdani, me mësues Marin Gjini, në vitin 1675; shkolla e Shkodrës, e hapur nga Filipi nga Shkodra, në vitin 1698; e shumë shkolla të tjera.

Shqiptarët jetonin në kushte të mjerueshme dhe të pushtuar, por dëshira tyre për dije shtohej dita-ditës. Hapi i parë i shqiptarëve ka qenë mësimi i gjuhës shqipe, pasi çdo njohuri e re ka si bazë mësimin e gjuhës amtare. Kështu, në vitet e pushtimit osman, mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në Stubëll të Kosovës (1584), pastaj në Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë të Kosovës (1665), në Akademinë e Re në Voskopojë e në Medresenë e Bushatllinjëve në Shkodër, etj.

Sipas dokumentit, në mbarë vendin u hapën shkolla dhe u punësuan shumë mësues. Shkollat u hapën dhe në fshatra të thella, ku merrnin dije të gjitha moshat.

Ndërsa në vitin 1885, Naim Frashëri, bashkë me të vëllanë dhe shqiptarë të tjerë në Stamboll, pjesë e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, arritën ta bindin Portën e Lartë për hapjen e një shkolle shqipe për djem, në Korçë. Ndërsa në 7 mars 1887, u hap zyrtarisht shkolla e parë shqipe në Korçë, ku mblodhi plot djem dhe vajza.

Shumë atdhetarë të tjerë të flaktë bënë përpjekje të mëdha për hapjen e shkollave shqipe. Shumë intelektualë kishin emigruar nga hqipëria, por nuk e harruan Shqipërinë. Ata kontribuan për lëvizjen kulturore, duke i sjellë kombit lavdinë përmes dijes. Midis tyre më së shumti u shquan: Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi, Zef Jubani, De Rada, Thimi Mitko, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Qiriazët, etj. Intelektualëve shqiptarë u buronte nga shpirti dëshira për ta nxjerrë Shqipërinë nga analfabetizmi, duke e vendosur në vendin e nderit, pasi dija është drita e kombit.

Zyrtarisht, si përpjekje bazë e të gjitha lëvizjeve për hapjen e shkollave merret Mësonjëtorja e Korçës, që filloi të punojë më 7 mars 1887, me mësuesin e saj Pandeli Sotiri. Atë e pason shkolla e Prizrenit, në vitin 1889, me mësuesin Mati Logoreci. Pak kohë më vonë shkolla shqipe u çelën edhe në Pogradec, Ersekë, Ohër, etj.

Në 23 tetor të vitit 1891, në Korçë u çel Shkolla e Vashave, një hap ky vendimtar për arsimimin dhe  emancipimin e femrës dhe të familjes e shoqërisë. Pas hapjes së mësonjëtores së parë të Korçës, në vitin 1889, u çel shkolla e Prizrenit, me mësues Mati Logorecin.

Për mësimin e gjuhës shqipe u botuan një varg abetaresh, si ajo e Naum Veqilharxhit (1844, 1845), e Konstandin Kristoforidhit (1867, 1868), e Daut Boriçit (1869), “Allfabetarja e Stambollit” (1879), etj. Më vonë u mbajt Kongresi i Manastirit (1908, 1910), ku u morën vendime të rëndësishme për zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Në vitet 1908 – 1909 u hapën 15 shkolla shqipe. Një nga vendimet që u morën aty ishte përdorimi i alfabetit latin, në mënyrë që shkëmbimi i ndonjë telegrami me vendet e tjera të ishte më i lehtë për t’u kuptuar. Ky ishte një sugjerim i shtruar nga Gjergj Fishta. Më 1909, në Elbasan zhvilloi punimet Kongresi Kombëtar për Problemet e Arsimit, që njihet edhe me emrin Kongresi i Shkollave. Po atë vit u hap edhe Shkolla Normale e Elbasanit, duke vijuar me ngritjen e disa shkollave të tjera: Shkolla Teknike Shqiptare (1921), Instituti Femëror “Kyrias” (1925), Instituti Femëror “Nana Mbretneshë” (Tiranë) (1933), Gjimnazi “Illyricum” (1921), Gjimnazi i Shtetit (1922, Shkodër), Liceu Kombëtar i Korçës (1921), Gjimnazi i Gjirokastrës (1923), Shkolla Tregtare në Vlorë (1924), Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajës (1926), etj.

Përpjekjet e shqiptarëve për lëvizjen kulturore kombëtare kanë qenë tepër të vyera dhe të çmuara, si qëndresë kundër pushtuesve dhe duke i dhënë kombit dritën e dijes dhe shpresës.

Sot e kësaj dite, shqiptarët shkëlqejnë, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të vendit, në profesione të ndyshme. Pasioni për dije dhe proges nuk u rreshti asnjëherë.