HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE NË RUMANI – KRYEPUNË E DR. LUAN TOPÇIUT…

 

“Sot ka dalë nga shtypshkronja libri im më i ri: “Istoria Literaturii Albaneze, de la origini până în prezent” (Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla deri më sot). Është realizimi i një pune shumëvjeçare. Vëllimi ka 868 faqe. Me këtë rast falenderoj të gjitha ata që bënë të mundur botimin e tij.”
Kaq shkruan në FB e tij Autori i Veprës me modesti heroike si ata studiuesit e manasatireve dhe kuvendeve… 868 faqe… punë shumë vjeçare… falenderim botuesve…
Por flet Vepra e madhe, është e para Histori e Letrave Shqipe që del në Rumani, kur në përmasa të tilla gjithëpërfshirëse mungon dhe në Shqipëri.
Kjo histori, që është shumë më me rëndësi se ajo e luftarave, se është histori e shpirtit dhe e krijimit, pra dhe e identitetit, nis që nga hershmëria e gjuhës shqipe, kalon te letërsia e saj e vjetër, mesjeta, rilindja, e cila nën pushtimin otoman i shtypte veprat e veta në Rumani, te arbëreshët magjepsës, pavarësia, letërsia pas Luftës II Botërore, e reja, ajo e burgjeve dhe internimeve, e diasporës, deri në SHBA, etj, e deri më tani në shekullin XXI, shoqëruar me dokumente, imazhe, pasazhe librash, etj. E gjitha mahnitëse, do të thosha. Ngjarje kulturore – e kanë quajtur menjëherë në Rumani.
Duhet ta kishim në gjuhën shqipe së pari, por ishte Rumania ajo, tashmë vend i Bashkimit Europian, e cila kaloi nëpër kalvarin e diktaturës komuniste, jo aq rëndë si vendi ynë dhe nuk pati ndonje realizem socialist aq vrastar sa letërsia jonë, pra s’do të ishte Atdheu, por Rumania, që do ta mbante Dr. Luan Topçiun që të shpaloste punë dhe vlera, sa kombëtare, shqiptare dhe rumune, po aq dhe europiane e universale, duke arritur i vetëm të bënte atë që duhej tē bënin akademitë, universitetet, duke forcuar ndërkaq miqësinë dhe lidhjet me Rumaninë e dashur, më shumë se sa ambasadat e pergjumura, më shumë se sa Ministria e Punëve të Jashtme.
Na nëpërmenden ndërkaq arritjet e shumta të albanalogut kanadezo-gjerman Dr. Robert Elsie në kulturen shqiptare. Dhe pritej vazhdimi…
Luani shqiptar, me afërisht 1.000 faqet e Historisë së Letërsisë Shqipe, duket sikur permbushi një punë mijëvjeçare, duke ngritur këtë Katedrale hijerëndë, ku Shqipëria është më e bukur, por dhe e përjetëshme…

Visar Zhiti

 

 

Comment

*