Historia në dy akte e dy familjeve të arratisura nga Shqipëria

Me Zef e Lina Balajn: nga Mziu e Fierza në New York-un e largët

Dje, më 13 prill ndërroi jetë biznesmeni dhe veprimtari i njohur i komunitetit, Zef Balaj.

Ai ishte për disa dekada pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të komunitetit. Mbështetës i vendosur i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, i Federatës Vatra, i Kishës Katolike Shqiptare në New York si dhe i gazetës “Illyria”.

Me këtë rast po ribotojmë këtë pjesë kushtuar atij dhe familjes së tij në librin “Shqiptarët e Amerikës”, me autor Vehbi Bajramin, botuesi i gazetës “Illyria”, në New York. Fotografitë në bardhezi janë pjesë e librit dhuruar nga vetë i ndjeri.

Në emër të botuesit dhe të gazetës “Illyria” i shprehim ngushëllime familjes dhe miqve të Zef Balajt. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

NEW YORK

Vehbi Bajrami

Nëse skenaristët tanë kërkojnë tema për të realizuar filma të suksesshëm nga jeta reale e njerëzve, le të dëgjojnë rrëfimet e shqiptarëve që u arratisën nga Shqipëria në kohën e komunizmit. Secili prej tyre mbart në vetvete diçka të veçantë. Ato janë copëza të një mozaiku të thyer jetësor. Vetëm ata që i kanë përjetuar e dinë se ç’do të thotë të lësh njerëz e pasuri në vendin tënd e të mësysh rrugën e largët pa e ditur se ç’të pret: shpëtimi apo plumbi. Skenaristë, regjisorë e gazetarë që dini të shkruani, dëgjoni me vëmendje rrëfimet e mërgimtarëve tanë! Ato janë të denja për t’i bërë filma, për t’i përmbledhur në kornizat e librave e faqeve të gazetave. Mos lini të vdesë këtë histori kaq të dhimbshme të pjesës fatkeqe të popullit tonë të shpërndarë anembanë rruzullit tokësor!

* * *

Prindërit e Linës, Çun e Drane Kuraj, u arratisën nga Fierza më 1951. Edhe ata i ndoqi bahti i keq. Jetonin në një zonë të cilën kaçakët, siç i thërrisnin ata që nuk i bindeshin regjimit në fuqi, e kishin zgjedhur si vendstrehim e i bënin sfidë pushtetit. Edhe Çuni e të afërmit e tij qenë të inkuadruar në këtë lëvizje të armatosur kundër regjimit.

Në fillim të viteve ‘50-të, forcat e rezistencës komuniste kishin filluar të dobësohen. Aleatët e tyre, të ashtuquajturit “diversantë” që hynin e dilnin në Shqipëri nga shtetet fqinje për të përmbysur regjimin me ndihmën e forcave të jashtme, që nuk u treguan aspak të sinqerta në këtë mision, edhe ata po dështonin në misionin e tyre. Të gjithë po bindeshin përditë se regjimi i Enver Hoxhës nuk ishte aq i lehtë për t’u përmbysur. Banorët  e zonave të Veriut të Shqipërisë, shpresat e tyre të thyera, për një jetë të lirë, vazhdonin t’i kërkonin diku tjetër.

Drini ka qenë pengesa kryesore për të gjithë ata që merrnin rrugën e arratisjes përtej kufirit. Ai qe më i vështirë për t’u kaluar edhe se vetë kufiri ku mund të gjeje vdekjen nga plumbat e rojeve kufitare. Nuk e kanë thënë kot të vjetrit: ruaju nga uji e nga zjarri. Mbi atë lumë nuk kishte asnjë urë për të kaluar në bregun tjetër. Sa jetë u mori ai fshatarëve që nuk dinin not? Sa vetave u kalli tmerrin kur i binin ujit me not e nuk ishin të sigurtë se a do të mbërrnin në bregun tjetër? Në këtë zonë, shumë kohë më parë, dikush kishte shpikur një metodë për të kaluar lumin. Krijoi një lloj barke me purtekë e me errshiqë prej lëkurës së dhisë, e cila pas therrjes së kafshës, me një mjeshtëri të posaçme, shkoqitej nga trupi i saj, pa e prerë në asnjë pjesë dhe e tillë fryhej me ajër. Errshiqa ngjitej me disa purtekë dhe ajo mbante peshën e njerëzve e të plaçkave mbi lumë. Por manovrimi i kësaj barke kish sekretin e vet. Jo çdokush mund ta drejtonte. Valët e lumit mund të të tërhiqnin në drejtimin që rridhte, sidomos pas shirave kur ato rrëmbenin gjithçka që gjenin përpara. Barka duhej me mjeshtëri për t’u lundruar në drejtim të bregut tjetër me gjoks, duke u dhënë këmbëve me tërë forcat, për ta mposhtur fuqinë e ujit. Ka pasur njerëz që janë marrë vetëm me kalimin e fshatarëve përtej Drinit. Më i njohur ndër ta ka qenë Çun Kuraj. Ai u bë shpëtimtar i tërë atyre njerëzve që iknin për të kaluar kufirin. Pasi e kishte kryer këtë punë për shumë vjet me radhë duke i kaluar të gjithë pa një therrë në këmbë, Çunin fshatarët e therrisnin “vozar” që është baraz me një kapiten të sotëm të anijes moderne.

Dikur kishte ardhur koha që ai ta bënte këtë punë edhe për vete. Si shumë të tjerë, edhe ai ishte futur në listat e njerëzve që i nxirrnin probleme shtetit. Kur mori vesh nga një mik i vet se e priste arrestimi, u bë gati shpejt e shpejt dhe u arratis me të shoqen Dranen dhe vajzën, Linën 7 muajshe. Djalin tre vjeç, Gjeloshin nuk e mori me vete, për t’i bindur pleqtë, prindërit dhe tre të afërm të tjerë, edhe ata të moshuar, se nuk po ikte përgjithmonë, por do të kthehej sërish dhe ja, si peng po u linte djalin e vogël. Ai si dhe të gjithë ata që u arratisën, mendonin vërtet se Shqipëria do të çlirohej shumë shpejt nga komunizmi dhe ata pastaj do të ktheheshin sërish në vendin e tyre. Askush nuk e mendonte se një regjim i tillë do të mbijetonte për kaq vjet. E Sigurimi, si ai më! Me të marrë vesh se Çuni u arratis, përhapi një thashetheme që e besuan të gjithë: vajza e vogël Lina qenkësh mbytur në lumë! Dhe kush e kishte bërë këtë vepër? Vetë Çuni, njoftonte Sigurimi. O Zot, si mund të ndodhë një gjë e tillë? – pëshpërisnin të afërmit e Çunit e banorët e tjerë të rrethit. Babai të hedhë në lumë vajzën e vet? Kjo s’ka bërë vaki me askënd e s’ka se si të ketë ndodhur edhe me Çunin! Mos e kanë hedhur fëmijën në lumë vetë forcat e Sigurimit? – pyeti dikush. Sido që të qe, lajmi mori dhenë dhe nuk doli njeri që ta përgënjeshtronte. 

Prindërit e Çunit, tepër të pikëlluar, ngarendën të parët drejt Drinit. Tri javë rresht ata kërkuan në thellësitë e lumit e në bregun e tij se mos e gjenin trupin e vajzës së vogël. Të vërtetën e mësuan vonë, atëherë kur tashmë ishin dërmuar shpirtërisht si pas një morti.

Çun Kuraj pasi banoi disa vjet në Kosovë, mërgoi në Belgjikë ku jeton tash 50 vjet. Djali i tij Gjeloshi, që mbeti në Shqipëri bëri mëse 16 vjet burg e internim meqë kishte prindërit të arratisur.

Familjet që ikën nga Shqipëria në Botën e Lirë lidhën miqësi, martesa e kumari të reja. Dikush u martua në kamp, dikush pasi doli nga ai dhe u vendos në Amerikë apo në ndonjë vend tjetër të Perëndimit. Si të lidheshin të rinjtë me njëri – tjetrin? Mërgimtarët u shpërndanë nëpër gjithë rruzullin tokësor deri edhe në Australi. Mirëpo, largësia shpesh nuk ka qenë pengesë që të rinjtë të lidheshin me njëri tjetrin, duke u shërbyer  dikush si ndërmjetës. Kur u rrit Lina e Çun Kurajt që jetonte në Belgjikë, lidhi fatin e jetës me Zef Balajn që kishte emigruar në Amerikë. Ajo më tregon disa fotografi nga ceremonia e dasmës në Bruksel. Një grup bashkatdhetarësh e përcjellin çiftin e ri pasi ka lidhur kurorë në komunë dhe ka marrë bekimin e priftit në Kishën “St. Alice”.

Dasma u bë më 6 shtator 1969. Ajo zgjati nga ora 10 para dite deri në orën 3 e 30 minuta pas dite dhe vazhdoi në Amerikë, po atë ditë në mbrëmje. Çifti i ri mori aeroplanin menjëherë pas ceremonisë. Por, duke qenë se koha evropiane është disa orë para asaj amerikane, ata arritën në Amerikë pikërisht në kohën kur po i prisnin dasmorët. Ky mund të jetë një rast i denjë për t’u shënuar në librin e Ginisit: një dasmë shqiptare ndodhi në të njejtën ditë, në dy kontinente.

Zef e Lina Balaj kujtojnë e bisedojnë shpesh për të kaluarën. Historia e mërgimit të tyre është gati e njejtë. Balajt nga Mziu i Pukës dhe Kurajt nga Fierza, lanë vendin për motive të njejta e në të njejtën kohë. Nuk kishin rrugë tjetër. Ose të iknin, ose të përfundonin në burg. Ato nuk qenë larg njëra tjetrës dhe bashkëpunuan për t’i bërë rezistencë regjimit të Enver Hoxhës.

* * *

Pas ardhjes në pushtet të komunistëve, filloi mobilizimi, moshë e pa moshë, i “vullnetarëve me zor”, siç i quan Zefi, për t’i shërbyer pushtetit. Vëllai i dytë i tij, Pjetri, kur ishte 16 vjeç u detyrua të shkonte “vullnetar” për të zëvendësuar vëllain e madh Gjeloshin, i cili duhej të kujdesej për shtëpinë. Pas disa muajsh, pushteti e mori me shërbim edhe vëllain e madh. Të dy ata u veshën ushtarë. Në atë kohë, shtëpinë e tyre në Mzi e mbuloi morti. Babai i tyre, Gjoni, shtylla e familjes, ndërroi jetë. Shtatë fëmijët mbetën nën kujdesin e nënës. Nuk kaloi shumë kohë dhe shtëpia e tyre u dogj e gjithçka filloi mprapsht: skamja trokiti në derën e balajve. Gjeloshi menjëherë pas lirimit nga ushtria, filloi të rregullonte shtëpinë njëkatëshe duke ngritur edhe një kat mbi të. Në këtë kohë, ai lidh fatin me Lule Martinën.

Gjeloshi e Pjetri vazhduan të mbajnë lidhjet me forcat e rezistencës.

Vëllezërit Balaj duke parë rrezikun se do të arrrestoheshin, kishin vendosur të linin vendin në një moment të përshtatshëm. Dhe, siç do të lexoni më poshtë, arratisja u bë e paevitueshme. Pjetrin e kishin kërkuar të paraqitej në Degën e Sigurimit të Shtetit, në Pukë. Ai ishte informuar prej disa miqve të besueshëm se do të arrestohej, sepse ai dhe familja e tij po bashkëpunonin me forcat antikomuniste e po strehonin ato. Ikja u bë e domosdoshme. Dhe ata u arratisën në mesnatën e 30 qershorit 1951, kur balajt po kremtonin Fetën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit, një festë fetare e fisit Kabashi, të cilit i përkasin ata.  Balajt e festonin edhe si festë të veten me miq, bija e dashamirë. Kjo festë si zakonisht kremtohej tri ditë me radhë. Natën e festës, Pjetri shkoi në fshatin Iballe për ta sjellë motrën, Lushën, në festë. Ata u vonuan dhe arritën vonë në fshatin Mzi që shtrihet pranë Drinit, ndërmjet Kukësit dhe Fierzës. Aty u ndaluan nga patrullat e ushtrisë. Të dy palët e njohën njëri tjetrin, meqenëse edhe Pjetri ishte me uniformë të rojeve të pyjeve. 

“Pasi ju jeni i besuari i Partisë dhe i veshur me uniformë, i tha oficeri i ushtrisë Pjetrit, do të vini me ne ndërsa motra duhet të shkojë në shtëpinë tuaj. Në asnjë mënyrë të mos guxojë e të tregojë se me kë është takuar. Atyre në shtëpisë le t’u thotë se Pjetri është me shërbim dhe nuk mund të vijë sonte. Ne kemi informacione se një shtëpi në Mzi, po strehon forca armiqësore dhe ato, me sa dimë ne, do të vijnë sonte aty”.

Pjetri në atë çast mendoi për shtëpinë e një fqinji, e cila kishte miqësi me familjen e Kol Bibë Mirakajt.

Rreth mesnatës oficeri nis ushtrinë drejt shtëpisë që kërkonin. Kur i afrohen ndërtesës, oficeri i thotë Pjetrit: “Kjo është shtëpia!”. Pjetri u gjend në një pozitë të vështirë: ajo ishte shtëpia e tij. Pas pak i thotë oficerit:

“Unë kam një kërkesë të vogël. Ju thoni se në këtë shtëpi do të vijnë kaçakët dhe, nëse ata vijnë, do t’i vrasim. Mirëpo, nëse ata nuk vijnë sonte, unë kërkoj me këmbëngulje që nesër në mbrëmje të shkojmë e të rrethojmë shtëpinë e atij që iu ka drejtuar këtu. Kjo është shtëpia ime”. Oficeri i shpërndau ushtarët nëpër pozicione e më pas i drejtohet sërish Pjetrit:

“Ju duhet të rrini me mua”.

Të dy po rrinin nën një pemë. Disa orë pas mesnatës, Pjetri, për ta thyer heshtjen, i drejtohet oficerit:

“Kam një mendim. Derisa po rrimë këtu kot, a mund të shkoj brenda të marr ca raki e mish të pjekur fërliku. Është i shijshëm”.

 “Shko e mos u vono”, i tha oficeri.

Me të hyrë në dhomë Pjetri u kërkoi falje mysafirëve që nuk mund të ishte bashkë me ta, për shkak se e kishin caktuar me shërbim, por u premtoi se ditën tjetër do të rrinte. Në atë moment Pjetri mori një lajm tronditës nga vëllai, Gjeloshi. Ky i fundit ishte marrë vesh me kaçakët që ata të vinin atë natë në shtëpi për të marrë ushqime.

“Shtëpia është e rrethuar me ushtarë”, ia ktheu Pjetri.

“Për këtë më ka informuar motra”, i tha Gjeloshi.

Aty për aty vëllezërit ranë dakord që nëse do të shpëtonin gjallë nga ky rrethim, të takoheshin te Bjeshkët e Dardhës.

Pjetri kthehet te oficeri me mish e me raki. Ai kishte vendosur që në momentin kur do të dëgjonte krismën e pushkës të vriste oficerin. Orët kaluan e rakia e mishi u sosën. Pjetri i propozoi sërish oficerit të hynte në shtëpi. Oficeri ra dakord. Kur Pjetri hyri brenda për të dytën herë, e gjeti vëllanë Gjeloshin të gëzuar.

“Ç’ka ndodhur”, pyeti ai.

“Po hamë, pimë e po bëjmë  qejf”, ia ktheu ai dhe iu afrua në vesh Pejtrit: “Ata që duhej të vinin, erdhën. Folëm me ta dhe u larguan prapë kur u thashë se ishim të rrethuar”.

 Pjetri u kthye te oficeri. Vazhduan të hanë e pijnë. Nuk vonoi shumë e doli drita. Më në fund oficeri i bashkoi ushtarët dhe u largua. Pjetrin e la të lirë, duke e urdhëruar që të rrinte shtëpi se do t’i duhej prapë.

Pjetri e Gjeloshi vendosën që të arratisen natën tjetër. Dhe ashtu bënë. S’kish rrugë tjetër. Organt e pushtetit po rrinin në fshat në pritje për të pritur momentin kur do të kryenin arrestimet e tyre.

Natën e 30 qershorit 1951, familja gjashtanëtarëshe Balaj la shtëpinë dhe gjithçka tjetër që kishin e mori rrugën e arratisë. Duke ditur se forcat e Sigurimit tashmë i kishin vënë nën përgjim, balajt, në vend që të shkonin në Vaun e Dardhës, siç vepronin të gjithë ata që linin vendlindjen, vajtën  në Bjeshkët e Dardhës.

Pas dy javësh, ushqimi që kishin marrë me vete u harxhua. Ata tani duhej të luftonin edhe me urinë. Tri ditë e tri net qëndruan pa futur gjë në gojë. Më në fund, pasi gjetën ushqim sa për të mbajtur shpirtin, u nisën drej Vaut të Dardhës. Aty morën edhe një familje tjetër me vete dhe u furnizuan me ushqim. Duke udhëtuar natën e duke u fshehur ditën, kaluan Drinin e dolën te Qafa e Zogajve të Malësisë së Gjakovës. Zefi me nënën, motrën, dy vëllezërit e kunatën qëndroi 10 vjet në Kosovë. Asnjëherë nuk u ndjenë të qetë e të sigurtë gjatë kohës sa jetuan në Mejë e Novosellë të Gjakovës, Pozhoran e Kabash të Vitisë dhe në Binçë ku banuan më gjatë. Pasi kreu shkollën fillore, Zefi vijoi mësimet në gjimnazin e Prishtinës bashkë me Gjin Lekë Buçajn, Zef Përnocën, Ali Çelën, Sejdi Bitiçin, Zenun e Hamdi Nezajn e shumë të tjerë, të cilët, shumë vjet më vonë, do t’i takojë përsëri në kampe refugjatësh në Itali e në Amerikën e largët.

Më 1959 balajt, përveç  Zefit, i transferuan në kampin e Gerovës. Disa muaj më vonë shkoi edhe ai atje me synim për të kaluar në Botën e Lirë. Por ajo nuk ishte e lehtë të arrihej. Kish qenë e shkruar që balajt, pasi kishin kaluar njëherë kufirin më 1951 dhe, falë Zotit, kishin shpëtuar, tani duhej të ndërmerrnin hapin tjetër, po aq të rrezikshëm: të kapërcenin kufirin jugosllav për të arritur në Itali. Dhe një ditë, pasi dolën me shumë mundime nga kampi, bashkë me familjen Përpepaj e xhaxhain e Linës, Pren Kurajn, u nisën. Diku, mbi Rijekë, organet jugosllave u ranë në gjurmë, i kapën dhe kthyen sërish në kamp. Pushteti u hakmorr. Të gjithë burrat i mbajti 30 ditë në qeli. Pasi u liruan vendosën që sërish të mësynin rrugën e pasigurtë drejt Italisë. Kësaj here udhëtimi doli me sukses. Kaluan kufirin dhe dolën në Trieste. Këto dy familje qenë ndër të parat që u arratisën nga kampi. Më vonë prej tyre morën shembull edhe të tjerat dhe vepruan si ato. Kështu, në Trieste u bënë bashkë rreth 20 familje. Vërshimi i refugjatëve në Itali u bë shkak që të acaroheshin marrëdhëniet me Jugosllavinë. Kufirin nuk e kalonin vetëm shqiptarët por edhe jugosllavët, të cilët Italia i kthente nga kishin ardhur. Ajo e akuzoi Jugosllavinë se nuk kishte qenë e aftë të siguronte kufirin e vet për të mos ndodhur gjithë ato shkelje. Me të arratisurit nga Shqipëria, Italia, në fillim, nuk dinte si të vepronte se ata nuk i pranonte as Jugosllavia meqë nuk kishin shtetësinë e këtij vendi. Me muaj e me vite, Italia as nuk i strehonte në vende të sigurta e as nuk i kthente.

Më në fund, pas dy vitesh, familjes Balaj iu lejua emigrimi në Amerikë, në vendin e lirisë e të shpresës që i kishte humbur në vendin e vet.

Më 2 mars 2002 familja Balaj kremtoi 40 vjetorin e ardhjes në kontinentin e ri. Kur një ditë Zefi i përmalluar për vendlindjen u tha të afërmve se u bënë katër dekada që erdhëm në Amerikë, njëri prej fëmijëve i propozoi të bënin një “party”. Ky përvjetor e vlen të përjetohet me gëzim. Mendimin e tij e aprovuan të gjithë. Rezervuan restorantin, sollën edhe grupin muzikor të Raif Hysenit e Merita Halilit, me të cilët Zefi njihej për një kohë të gjatë dhe kish respekt për ta se në festa kombëtare shpeshherë argëtonin mërgimtarët tanë pa asnjë kompenzim. 45 anëtarë të familjes, shumica e tyre të lindur në Amerikë, u mblodhën bashkë dhe me sofrën e shtruar plot me ushqime e pije, falënderuan edhe njëherë Amerikën e shenjtë ku ata kanë krijuar një jetë të mirë ku nuk u mungon asgjë, veç mallit për vendlindjen.

Deri më 1990 balajt nuk i panë të afërmit e tyre që kishin lënë atje, të cilët e kaluan jetën nën vuajtje. Pushteti komunist i trajtoi keq të gjitha familjet e të arratisurve. I futi në burg e në punë të detyrueshme. Ata që emigruan në botën e lirë, krijuan mirëqenie materiale, po shpirtërisht mbetën të thyer. U thyen edhe më keq kur shkuan atje pasi perëndoi komunizmi. Vendin e gjetën më keq se ç’e ishin parafytyruar. Sa shumë kishte vuajtur ai popull nën diktaturë. Do të duhen dekada të tëra për të shëruar plagët që mori nga ai sistem ogurzi. Kundër atij regjimi emigrantët nga Shqipëria punuan që nga koha kur erdhën në Amerikë. Bënë demonstrata, shkruan letra e peticione në adresë të politikanëve e institucioneve të Amerikës. Zefi ka qenë njëri prej tyre. Sido që të jetë, edhe pse ai dhe mërgimtarët e tjerë kishin urrejtje ndaj regjimit të Enver Hoxhës, ata e deshën Shqipërinë. Kur të huajt, në rastin konkret grekët, kanë kërkuar që Shqipëria e Jugut t’i grabitej Shqipërisë, shqiptarët janë bashkuar e kanë dalë kundër tyre. Më 1962, po atë vit që Zefi erdhi në Amerikë, para Kombeve të Bashkuara u organizua një demonstratë antikomuniste. Ajo përkonte me fjalimin e Mehmet Shehut në OKB. Po atë ditë, grekët në anën tjetër po demonstronin, jo kundër Mehmet Shehut po kundër Shqipërisë. Kërkonin të ashtquajturin “Vorio Epir”. Shqiptarët “harruan” Mehmet Shehun dhe e kthyen demonstratën në një manifestim antigrek. Filloi përleshja fizike ndërmjet grekëve e shqiptarëve ku fitues dolën këta të fundit. 

Edhe pse ishin më pak në numër, Zefi, Pren Kuraj, Gjokë Dragusha, Bibë Gjoka, Prel Përpepaj etj., ishin më të rinj dhe u treguan më të rreptë me kundërshtarët. Konflikti u pasqyrua edhe në faqet e para të gazetave amerikane siç ishte “Daily News”.

– Kam dëgjuar se Mehmet Shehu, më vonë, kishte deklaruar për ne: “tradhëtarë, tradhëtarë, por shqiptari kur është në pyetje atdheu i vet, e tregon veten”, – tregon Zefi.

Ai e ka zhvilluar aktivitetin e vet në dy fronte: kundër komunizmit në Shqipëri dhe kundër regjimit shtypës të Beogradit ndaj shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Preshevë me rrethinë. Në demonstrata e në mbledhje, kurdoherë ai ka qenë i gatshëm të japë ndihmën e tij. Kur e pyesin se nga cilin vend është, Zefi përgjigjet:i lindur në Mzi të Shqipërisë, rritur në Kosovë e mplakur në Amerikë.

Sot ai aktivizohet në Federatën Pan Shqiptare “Vatra”, ku është anëtar i kryesisë dhe në Ligën Qytetare Shqiptaro – Amerikane ku bën pjesë në bordin drejtues.

– Atë që bëri “Vatra” për Shqipërinë, në fillimet e shekullit të kaluar, e bëri Liga për Kosovën shumë vjet më vonë. Si ato nuk ka pasur asnjëherë organizata në komunitet që të zhvillojnë aktivitet të frytshëm për çështjen kombëtare, – thotë Zefi, i cili është edhe një nga nismëtarët për themelimin e kishës katolike shqiptare në New York. Atë ai e ka përkrahur gjatë gjithë kohës moralisht e materialisht, siç ka përkrahur aktivitetet e shumta për Shqipërinë e Kosovën. Ai ndihmoi, përmes “Vatra”-s edhe Kishën Ortodokse Shqiptare “Shën Mëria” në Elbasan, që drejtohet nga at Nikollë Marku.

Zefi është treguar dashamirës edhe ndaj librit shqip. Vitin e kaluar, bashkë me të vëllanë Pjetrin sponsorizoi librin  e Beqir Metës mbi marrëdhëniet shqiptaro – greke.

Zefi emigroi këtu bashkë me vëllezërit dhe nuk u nda kurrë prej tyre. Ai u është mirënjohës atyre që kur vendosën të arratisen jashtë vendit, nuk ia kthyen shpinën, siç ndodhi me shumë të tjerë, por e morën me vete dhe e mësuan si të ecte i sigurtë në monopatet e vështira të jetës.

Zef e Lina Balaj sot janë biznesmenë të suksesshëm në New York. Kompania e tyre “Balaj Realty”, e vendosur në Bronx, merret me pasurinë e patundshme.

– Shqiptarët në Amerikë kanë pasur suksese kryesisht në dy biznese: në pasurinë e patundshme (real estate) dhe në fushën e restoranteve. Këtu kanë filluar punë, duke larë pjata e duke pastruar ndërtesat dhe, shkallë – shkallë kanë arritur aty ku janë sot: biznesmenë të njohur në gjithë New York-un, – thotë ai dhe niset për të takuar mikun e tij të vjetër, Sejdi Bitiçin në restorantin e tij të bukur në Manhattan.

Zefi e Lina u kanë kushtuar kujdes të veçantë shkollimit të fëmijëve. I madhi, Davidi, kreu fakultetin në “Fordham University” dhe mori doktoraturën në degën e pasurisë së patundshme; e dyta Gjeraldina në “Pace University”; i treti, Danieli pasi u diplomua në “Manhattan College”, vazhdoi studimet dhe u bë mësues i certifikuar, ndërsa i katëri, Joseph -i po ashtu u diplomua në “Pace University”.

Bashkëshortja e Davidit, Maria, bija e Gjon Zadrimës nga Ulqinit është avokate. Në mars 2000 Zoti u fali binjakë: Lukin dhe Natalinë.

Zef e Lina Balaj u bënë gjyshër. Kohën e lirë e kalojnë me mbesën dhe nipin.

Maj, 2003