Historianët: Me vdekjen e Skënderbeut, shqiptarët e humbën edhe orientimin perëndimor

Tiranë, 17 janar 2022 – Sot mbushen plot 554 vjet nga vdekja e figurës legjendare të Gjergj Kastriot Skënderbeu (më 17 janar të vitit 1468) në Lezhë. Humbja e luftëtarit, diplomatit, Heroit Kombëtar të shqiptarëve përbën një moment të rëndësishëm historik për Shqipërinë.

Për historianin Ermal Baze, vdekja e Skënderbeut, pati një peshë të madhe historike, pasi Arbëria në atë kohë ndodhej përballë vështirësive social-ekonomike dhe vdekja e tij e rrënoi edhe më shumë.

“Gjergj Kastrioti vdiq në një kohë kur Arbëria ndodhej përballë vështirësive të mëdha social-ekonomike si kurrë më parë. Luftimet e ashpra të viteve 1467-1468 dhe prezenca për dy vite radhazi e ushtrive osmane në viset e lira arbërore rrënuan ndjeshëm ekonominë e Arbërisë dhe nuk lejuan të mbillej drithi dhe kulturat e tjera bujqësore”, thotë profesor Ermal Baze për Gazetën “Si”.

Historiani Edmond Malaj thotë se me vdekjen e Skënderbeut, turqit nisën mësymjet në trojet shqiptare dhe ngre pyetjen “Çfarë do të thotë pushtimi turk për trojet shqiptare?”

“Vendosja e një kulture tjetër, faktikisht që ishte kulturë e huaj, mund të cilësohet si goditja e parë. Shumë qytete shqiptare që ekzistuan deri në atë kohë, nuk ekzistonin më, p.sh qyteti i Drishtit. Kjo ndikoi edhe në aspektin socio-ekonomik. U zbrazën qytetet, fshatrat, një pjesë e popullsisë largohet, pati edhe shumë viktima. Dhe n.q.s kemi zbrazje të qyteteve dhe fshatrave, bie dhe ekonomia”, shprehet historiani Malaj për Gazetën “Si”.

Historiani Baze, njëkohësisht profesor i lëndës së historisë së Mesjetës në Fakultetin Histori-Filologji, i mëshon fort faktit që “vdekja e Skënderbeut i tronditi thellë arbrit dhe ndikoi thellësisht në jetën socio-politike të vendit”.

Duke qenë se Skënderbeu ishte figura e udhëheqësit të jashtëzakonshëm, ikja e tij ndikoi fuqishëm në rrugëtimin politik të shqiptarëve të viteve të mëtejshme e deri në ditët e sotme.

“Vdekja e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, e këtij gjeniu të artit ushtarak mesjetar, i hoqi botës shqiptare udhëheqësin e jashtëzakonshëm, personalitetin më të shquar të historisë kombëtare dhe ndërkombëtare (kuptohet për shqiptarët), vepra e të cilit do ndikonte fuqishëm në rrugëtimin politik të shqiptarëve si motiv frymëzimi dhe inspirimi, duke filluar qysh nga shekulli XVI e në vazhdim, gjatë Rilindjes Kombëtare, Shpalljes së Pavarësisë e deri në ditët e sotme”, shprehet profesor Baze për Gazetën “Si”.

Me vdekjen e Skënderbeut, popullsia shqiptare do të emigronte, ndërsa pjesa që mbeti iu nënshtrua osmanëve.

“Me vdekjen e Skënderbeut, një pjesë e popullsisë emigroi drejt Venedikut dhe territoreve jugore italiane (edhe vetë Donika dhe i biri 13-vjeçar u vendosën në Monte Sant Angelo dhe San Giovanni Rotondo – Itali e Jugut), kurse pjesa tjetër që i mbeti iu nënshtrua plotësisht osmanëve afro 12 vite pas vdekjes së Skënderbeut”, vijon historiani Baze.

Sipas tij, shqiptarët me vendosjen e osmanëve përfundimisht humbën orientimin perëndimor.

“Shqipëria dhe shqiptarët me vendosjen e osmanëve e humbën busullën ose orientimin perëndimor, gati u izoluan nga qytetërimi i Europës Perëndimore”, përfundon Baze.

Profesor Eduart Caka, duke vënë në pah rëndësinë e Skënderbeut me faktin se me të zë fill edhe organizimi i shqiptarëve për herë të parë si entitet etnik, politik e ushtarak, thotë se ai vazhdoi të ishte pikë referimi edhe për shqiptarët që emigruan.

“Skënderbeu vijoi të jetë pikë referimi për ata shqiptarë që emigruan drejt Italisë e Perëndimit, ndërsa pjesa tjetër qëndroi nën sundimin osman deri në Shpalljen e Pavarësisë. Rilindësit tanë, Pashko Vasa, Sami Frashëri por edhe Ismail Qemali e të tjerë më vonë e përdorën figurën e Skënderbeut si element përbashkues”, përfundon profesor Eduart Caka për Gazetën “Si”.

Ndër të tjera, Caka thotë se figura e Skënderbeut dhe virtytet që ai mishëron duhet të shërbejnë si busull edhe për elitat e sotme.

“Ndasitë që i kanë karakterizuar elitat politike të Shqipërisë gjatë këtij shekulli, por edhe periudha e regjimit komunist si dhe tranzicioni i stërzgjatur kanë bërë që shqiptarët të kenë më shumë se kurrë nevojë për shtetarë që e vendosin vendin dhe kombin mbi të gjitha interesat vetjake, politike e ekonomike. Parë nga ky këndvështrim, përveçse është një figurë historike që ka jetuar në një periudhë të caktuar, figura e Skënderbeut dhe virtytet që ai mishëron duhet të shërbejnë si busull orientuese për tejkalimin e atyre problemeve që kanë elitat tona sot”, përfundon profesor Caka për Gazetën “Si”.

(BalkanWeb)

One Response to “Historianët: Me vdekjen e Skënderbeut, shqiptarët e humbën edhe orientimin perëndimor”

Read below or add a comment...

  1. Sami Repishti, PhD. says:

    Ne nji “Pershendetje” dergue Konferences Shkencore “Mesimi i Historise” (Prishtine 4 maj 2013) kam dhane kete gjykim:
    “….Mbas dekjes se Skenderbeut, Traktati i vitit 1479 ne mes te Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin otoman te Shqiperise. Dritorja e Botes Perendimore iu myll Shqiperise pikerisht ne nji kohe kur era frymedhanese e Renaissance-s dhe idete fisnike te Humanzmiit po krijojshin nji Europe e Re me nji etje gargantueske per njohuni te reja, per hapesina dhe nji bote te re me nji zhvillim te lire, te justifikuem, te shpirtit kerkues, e thellesisht njerezor.
    Pavaresisht nga faktori fetar – qe ashte gjithehere nji çeshtje krejte tntime per çdo ndergjegje personale- okupacioni otoman ka nxjerre Shqiperine nga historia e kontinentit europian, dhe e ka denue ate me qene nji krahine e humbun mbrenda nji perandorie te mbyllun, me kulture te kundert nga ajo e Europes qe po lindete ne Perendim…”
    (Shenim: Fatkeqsisht kjo tragjedi per popullin shqiptar u perserit ne vitin 1944-45 ne mbarim te L2B me okupaconin e dhuneshem komünist te Shqiperise dhe shkeputjen e saj nga Bota e Lire perendimor euroatlantike per 45 vjet te gjata; rrjedhimet e pa evitueshmete se cilit i paguejme edhe sot…..

Comment

*