Historiografia shqiptare – “djerrinë” që prodhon baroja të egra

Mehmet PRISHTINA

Opinioni publik i Kosovës dhe më gjerë këtyre ditëve u ndodh i papërgatitur para figurës së Xhafer Devës, si në një “djerrinë”. Për pasojë, jo pak individë kishin marrë vegla joadekaute për ta punuar…

 

Nëse u referohemi debateve të kohëve të fundit, do të vërejmë se ne si shoqëri ende nuk e kemi një njësi matëse relevante për vlerësimin e ngjarjeve dhe të personaliteteve të së kaluarës. Kjo është pasojë e qasjes fragmentare dhe sipërfaqësore të historiografisë sonë, e cila ende nuk ka arritur të hedhë në “sitën” e vërtetësisë shumë detaje nga e kaluara e jonë. Në mungesë të kësaj “site”, sot për ngjarje e personalitete historike flet gjithsecili, madhe edhe ata që më së paku janë të thirrur dhe të përgatitur (nëse janë të përgatitur) për ta thënë një të vërtetë, e cila jo domosdoshmërisht duhet të jetë absolute. Fundja, asnjë shkencë, pra as historiografia, nuk pretendon të zbulojë një të vërtetë absolute dhe të pëmbyllur, sepse gjithmonë do të mbeten të hapura disa pyetje e dilema, të cilat ose do të marrin me vonesë ose nuk do të marrin asnjëherë përgjigje përfundimtare.

Po historiografia jonë, a po vonohet në dhënien e përgjigjeve që kërkon koha apo ajo ende po i vuan pasojat e qasjes bardh e zi, ku ngjarjet e proceset historike shikohen të ndara në pozitiv-negativ, patriot-tradhtar, përparimtar-regresiv, etj.?

Procesi i të shkruarit të historisë shkon krahas konsolidimit të shteteve dhe shoqërive. Në Kosovë ka ndodhur një proces i çuditshëm, sepse ndërkohë që konsolidimi i shtetit po ndodh, historiografia po vendnumron. Ka shumë faktorë që e kanë determinuar një gjendje të tillë dhe ende nuk kemi një përgjigje të prerë mbi këtë anomali, por ajo që bie në sy lidhet me qasjen e ngushtë që ka historiografia jonë zyrtare ndaj të kaluarës.

Kosova ende nuk e ka të shkruar historinë e saj zyrtyre si shtet, pa harruar të përmenden edhe periudhat e rëndësishme historike, duke filluar nga antika, mesjeta e deri te luftërat botërore, ku konteksti i shqiptarëve dhe i Kosovës në aspektin historiografik-shkencor mbetet disi i mjegulluar. Kjo ka ndikuar që shumë historianë të huaj, kur flasin për këto periudha, u referohen ose burimeve serbe ose përshkrimin e ngjarjeve e bëjnë mbi interpretime të lira, por jo gjithmonë objektive.

Analiza shkencore historiografike, e mbështetur në dokumente arkivore dhe në burime relevante, ka për qëllim eliminimin e dilemave dhe hezitimeve të panevojshme mbi  ngjarjet dhe figurat që lidhen me to. Sikur ta kishim këtë analizë, ne sot nuk do të kishim dilema e hamendësime mbi rolin e disa figurave tona në proceset politike nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët. Ne ende debatojmë dhe kontestojmë mbi rolin dhe kontributin e Adem Demaçit, bie fjala, në ngritjen e vetëdijes politike e kombëtare të shqiptarëve, duke i atribuar atij padrejtësisht ngjyrime politike e ideologjike, gjatë interpretimi,. Kështu ka ndodhur edhe me figurën e Ibrahim Rugovës, Ukshin Hotit, Jusuf Gërvallës, etj. Kështu tash, së fundmi, po ndodh edhe me figurën e Xhafer Devës, një figure që në historiografinë tonë ka mbetur një “tokë e pashkelur”, me të gjitha dritë-hijet e tij. Zakonisht këto lloj tokash, nëse nuk punohen një kohë të gjatë, ngelin djerrina nëtëcilat mbijnë lloj-lloj barojash që, zakonisht, e bëjnë shumë të vështirë ripërpunimin e asaj toke.

Opinioni publik i Kosovës dhe më gjerë këtyre ditëve u ndodh i papërgatitur para figurës së Xhafer Devës, si në një “djerrinë”. Për pasojë, jo pak individë kishin marrë vegla joadekaute për ta punuar. Kemi vërejtur se shumëçka nga jeta dhe vepra e tij po dëgjonim për herë të parë dhe atë jo nga historianët (me ndonjë përjashtim të vogël), por nga analistë, publicistë e amatorë  të tjerë.

Kur një audiencë është e papërgatitur profesionalisht të absorbojë përmbajtje të panjohura, ajo është e prirur t’u ekspozohet të vërtetave e gjysmë të vërtetave, interpetimeve objektive e subjektive, qasjeve parimore e tendencioze, etj. Kjo për pasojë të mungesës së një shkolle moderne të interpretimit shkencor e objektiv të historisë, e cila do të duhej të ishte e liruar nga ndikimet politike e ideologjike dhe do të ishte e pajisur me instrumentet e domosdoshëm të gjykimit të drejtë shkencor të së kalaurës, e cila, nëse nuk studiohet si duhet, mund të mbajë peng të ardhmen.

A ka rrezik që ne të mbetemi peng i qasjes sipërfaqësore e fragmentare ndaj së kaluarës?

Debatet e kohëve të fundit po dëshmojnë se ne mund të futemi pa dashje në axhendat e huaja dhe të bëjmë shërbime që shkojnë në dëm të imazhit dhe perspektivës sonë, si shtet dhe si shoqëri. Cektësia e këtyre debateve është pasojë e mungesës së historiografisë kritike, e cila do të duhej të ndiqte modelet e shkollave të njohura të historiografisë, ku e vërteta nuk mund të mjegullohet, siç po ndodh me disa të vërteta të historisë sonë kombëtare.  

Pa e pretenduar të vërtetën absolute, historiografia jonë ka detyrim ta paraqesë të kaluarën tonë ashtu siç ishte ajo dhe jo ashtu siç dëshirojmë të ishte.

 Prishtinë, 14 shkurt 2022