Holanda do të dërgojë në Ukrainë sistemin e raketave “Patriot”

Uashington, 17 janar 2023 – Kryeministri holandez, Mark Rutte, sinjalizoi për “qëllimin” e tij që të dërgojë në Ukrainë raketa kundërajrore Patriot, që janë të prodhimit amerikan.

Këto deklarata ai i bëri gjatë takimit me presidentin amerikan, Joe Biden. Edhe Gjermania ka thënë se do të dërgojë armë të tilla në Ukrainë.

“Ne kemi qëllim që t’i bashkohemi asaj që ju po bëni me Gjermaninë sa i përket projektit për Patriotët, sistemit të mbrojtjes ajrore. Mendoj se është e rëndësishme që ne t’i bashkohemi këtij projekti”, i tha Rutte Bidenit gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se “për këtë në mëngjes bisedova” edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Gjermania njoftoi më 5 janar se do të ndjekë SHBA-në dhe do të dërgojë një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.

Rutte përmendi “pamjet e tmerrshme” të një ndërtese banimi të shkatërruar nga raketat e fuqishme ruse në qytetin e Dnipros gjatë fundjavës së shkuar, duke shtuar se “këto janë pamje të tmerrshme dhe mendoj se forcojnë qëndrimin tonë që t’i ndihmojmë Ukrainës”.

Biden çmoi kontributin e Holandën në aleancën perëndimore të udhëhequr nga SHBA-ja sa i përket mbështetjes së Ukrainës kundër pushtimit rus, që nisi më 24 shkurt 2022. Ai tha se “Rusia po vazhdon të veprojë në mënyra që pothuajse janë të pabesueshme”.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden po ashtu të martën ka biseduar përmes telefonit me kancelarin gjerman Scholz, duke thënë se ata “diskutuan për mbështetjen e shpejt për Ukrainën dhe dënuan agresionin e Rusisë”.

Po ashtu, sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden dhe Scholz kanë biseduar për ndihmën e tyre të vazhdueshme për Ukrainën.

(REL)

Comment

*