Holanda: SPAK të hetojë rastet e mashtrimit zgjedhor në Shqipëri

Qeveria e Holandës thotë se është dakord të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE sapo të arrihet marrëveshja për kornizën negociuese, por thekson se kjo nuk do të thotë se Shqipëria do të jetë në gjendje të anëtarësohet shpejt në BE.

Në opinionin e saj mbi Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, qeveria holandeze sheh ende shumë probleme në ecurinë e reformave, në fushën e rendit dhe ligjit, në funksionimin e institucioneve shtetërore dhe në nivelin e demokracisë në Shqipëri.

Ndër të tjera, qeveria holandeze e ngre çështjen e krimeve zgjedhore dhe kërkon që SPAK të hetojë me shumë kujdes të gjitha rastet e abuzimeve zgjedhore.

Panorama.al ka siguruar letrën që ministrja e Jashtme e Holandës, Sigrid A.M. Kaag i ka dërguar parlamentit të saj më 4 qershor me opinionin e qeverisë për ecurinë e reformave në Shqipëri, duke nënvizuar se vendos në theksin e saj krimet zgjedhore, ku SPAK duhet të hetojë rastet e manipulimeve zgjedhore me shumë kujdes.

Qeveria e Holandës bie dakord me analizën e Komisionit Europian se zgjedhjet në 25 prill u zhvilluan normalisht dhe në mënyrë transparente dhe se e rëndësishme është që opozita do të kthehet në parlament, por në letër ngrihen një sërë detyrash ku më të rëndësishmet janë hetimet për parregullsitë.

Qeveria (e Holandës) e konsideron të rëndësishme që rastet e mashtrimit zgjedhor të hetohen me kujdes nga SPAK”, thuhet në letër që i ka kushtuar edhe një vëmendje të veçante edhe çështjes së përdorimit të paligjshëm të të dhënave nga Partia Socialiste.

Në këtë pikë Holanda kërkon që çështja të zbardhet.

Ekzistenca dhe rrjedhja e bazës së të dhënave me informacione personale të ndjeshme, të cilat shkaktuan shumë bujë pak para zgjedhjeve do të duhet gjithashtu të hetohet. Raporti përfundimtar i ODIHR-it për këto zgjedhje nuk është publikuar ende. Qeveria e Holandës e konsideron të rëndësishme që çdo rekomandim në këtë raport të zbatohet në kohën e duhur” citohet nga letra.

Një tjetër çështje që i kërkohet Shqipërisë të adresojë është shit-blerja e votës.

“ODIHR ka përmendur parregullsi, përfshirë edhe blerjen e votave që të denoncohen në Kolegjin Zgjedhor dhe autoritete të tjera që ato të merren me këto çështje në mënyrën e duhur. 33 raste janë çuar përpara SPAK”, nënvizon dokumenti.

Qeveria e Holandës beson se autoritetet shqiptare tani duhet t’i japin substancë të mëtejshme hetimit dhe të ndjekin penalisht komisionerët e zgjedhjeve dhe votuesit e përfshirë. Rastet e reja të paraqitura si rezultat i zgjedhjeve të fundit gjithashtu kërkojnë trajtim të shpejtë. Është e rëndësishme të parandalohet që këto hetime të mos vonohen, siç ishte rasti në zgjedhjet e mëparshme”, shkruan qeveria e Holandës.

Më pas dokumenti merr në analizë të gjitha kushtet e vëna një vit më parë. Vlerësohet fakti që Gjykata Kushtetuese ka nisur të funksionojë dhe që po plotësohet edhe Gjykata e Lartë.

Gjithsesi qeveria e Holandës kujton se ende nuk ka një vendim për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 2019-ës, duke e konsideruar këtë një kusht të papërmbushur dhe e lë sërish në konkluzionet përfundimtare si detyrë të Gjykatës Kushtetuese.

Ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale në 2019. Kabineti shpreson që paneli i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të arrijë një përfundim së shpejti”, citohet nga letra.

Një tjetër detyrë është vënia përpara drejtësisë e zyrtarëve të lartë që shkelin ligjin.

Qeveria është e kënaqur që Shqipëria së fundmi ka bërë përparim me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të dhënat tregojnë gjithashtu progres në këtë fushë, megjithëse numri i dënimeve të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet shqetësues”.

Qeveria e Holandës thotë në fund se Shqipëria mund të nisë negociatat duke mbajtur tryezën e parë ndërqeveritare edhe pse nënvizon se kjo nuk do të thotë se Shqipëria është gati të bëhet anëtare e BE.

Kjo nuk do të thotë që Shqipëria së shpejti do të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE. Reformat e sundimit të ligjit janë larg nga të plota dhe për këtë arsye do të jenë thelbësore për procesin e gjatë pas hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë. Institucionet duhet të forcohen, politikanët dhe qytetarët duhet të mësohen me pavarësinë e gjyqësorit, vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe të plotësohen të gjitha vendet e lira në sistemin e drejtësisë. Progres është bërë, por lufta e vazhdueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të kërkojë vëmendje të vazhdueshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar, përfshirë partnerë të tillë si Holanda”, thuhet në letër.

letra

(Panorama)