Homazhe për Senatorin Bob Dole, në Capitol Hill

Miku i tij i ngushtë, shqiptaro-amerikani Jim Xhema, i ftuar personalisht për të marrë pjesë nga Kongresi Amerikan

Arkivoli me trupin e Senatorit Robert J Dole do të qendrojë sot për 24 orë në Rotunda, hollin e famshëm rrethor të Kodrës së Kapitalit (Capitol Hill), selia e Kongresit Amerikan, në Washington DC.

Homazhet për gjigandin e pushtetit legjislativ amerikan filluan me një ceremoni private ku morën pjesë Presidenti Joe Biden, e veja e senatorit, ish-Senatorja Elizabeth Dole, vajza e tyre Robin dhe udhëheqës të Kongresit.

Veterani i Luftës së Dytë Botërore dhe kandidati republikan për president, shërbeu në Kongresin Amerikan për 35 vjet me radhë. Së pari si kongresist (1961-1969) dhe pastaj si Senator i Amerikës për shtetin e Kansasit (1969-1996). Ai nuk u mund ndonjëherë në zgjedhje, por dha dorëheqjen me ndershëmri që fushata e tij për president të mos dëmtonte punën në Senat.

Homazhe të tilla në Capitol Hill rezervohen vetëm për figurat më të shquara amerikane. Nga Senati, në dekadën e kaluar, ky nder u është rezervuar vetëm senatorëve John McCain dhe Daniel Inouye.

Homazhet nuk do të jenë të hapura për publikun, por një figurë e njohur e komunitetit shqiptaro-amerikan u ftua personalisht për të marrë pjesë në këto homazhe.

Bëhet fjalë për veprimtarin dhe biznesmenin e njohur Jim Xhema, mik i ngushtë personal i senatorit të ndjerë.

Jim Xhema, mbrapa Presidentit Joe Biden dhe ish-Senatores Elizabeth Dole të vesë së ish-Senatorit të ndjerë Bob Dole

Xhema luajti një rol të madh në përfshirjen e Senatorit Dole në mbështetje të kauzës së Kosovës. Siç është treguar shumë herë, me vizitën një delegacioni të lartë të Senatit Amerikan të kryesuar nga Bob Dole, në Prishtinë, në gusht 1990, fillon ndërkombëtarëzimi i çështjes së Kosovës. Që nga ai moment, deri në çlirimin dhe pastaj shpalljen e pavarësisë e më tej, Dole ishte i pranishëm si një mbështetës i madh.

Sot, një rrugë në Prishtinë mban emrin e tij. Një bust dhe një pllakë përkujtimore përjetësojnë ditën e vizitës së tij të parë.

“Kryetarja [Nancy] Pelosi kërkon të na nderoni me pjesëmarrjen suaj”, shkruan veç të tjerash në ftesën e saj zyrtare udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan që organizoi seancën e homazheve të para që filluan në orën 10 të mëngjesit.   

Homazhet për grupe të tjera të njohurish, bashkëpunëtorësh të Senatorit të ndjerë dhe figura të ndryshme të politikës amerikane do të vazhdojnë deri në darkë.

Lidhja mes veprimtarit Jim Xhema dhe udhëheqësit të shquar amerikan do të vijojë për brezat e ardhshëm. Me investimin bujar të shqiptaro-amerikanit të njohur, një Institut studimesh dhe aktivitetesh me emrin e Senatorit Dole është ngritur pranë Universitetit Shtetëror në Kansas, ku vepra dhe pikëpamje të ligjvënësit të njohur amerikan do të studiohen e diskutohen nga studentë, të rinj e veprimtarë të politikës e shoqërisë. Si kusht, nga Xhema, Kosova dhe kombi shqiptar do jenë tema të vazhdueshme studimesh e konferencash në këtë institut.

Shqiptarët kudo që jetojnë u janë bashkuar këto ditë amerikanëve në lamtumirën për politikanin e njohur që la gjurmë edhe në jetën e tyre. (Ruben Avxhiu)

Comment

*