Honevier bën homazhe te shtatorja e Rugovës: E ndjeva se duhet ta bëja këtë ditën e parë si ambasador i SHBA-së

Prishtinë, 10 janar 2022 – Ditën e parë të punës si shef i misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ambasadori Jeffrey Hovenier, e ka nderuar Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Honevier, bashkë me Presidenten e Kosovës,Vjosa Osmani, ka bërë homaxhe dhe ka vendosur një kurorë me lule te shtatorja e Presidentit Rugova, në sheshin që e mban emrin e tij, në Prishtinë.

“Kam nderin të jem këtu, për ta kujtuar kontributin historik të Presidentit Rugova. Ishte e rëndësishme për mua që ditën e parë si ambasador të shpreh këtë mirënjohje, këtë nderim, sepse e di se çfarë ka përfaqësuar Presidenti Rugova. Unë e kam pasur nderin ta njoh Presidentin Rugova në Konferencën e Rambujesë dhe e di se për çka ka luftuar ai. Mendoj se është e rëndësishme ta përkujtojmë dhe ta nderojmë”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Presidentja Osmani ka thënë se Presidenti Rugova ka ditur të krijojë miqësi të sinqerta e të forta të cilat i kanë rezistuar kohës. Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të ruajnë dhe forcojnë miqësitë ekrijuara nga Presidenti Rugova.

“Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur e sovrane dhe për miqësinë që e gëzojmë ne sot, së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot deshëm ta vendosim së bashku këtë kurorë, si simbolikë të miqësisë mes dy vendeve që e kultivoi Presidenti Rugova”, ka thënë Presidentja Osmani.

(r.m.)