Hovenier: Askush nuk duhet ta harrojë ose ta mohojë masakrën e Reçakut

Prishtinë, 15 janar 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, bëri thirrje të shtunën që askush të mos harrojë ose ta mohojë masakrën e Reçakut dhe përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aleatët, nw vitin 1999, ishin vwnw në mbrojtje të popullit të Kosovës.

Ambasadori Hovenier i bëri këto komente në një ceremoni përkujtimore në Reçak, ku në ditën e sotme të vitit 1999, forcat serbe vranë e masakruan 45 banorë të fshatit.

“Në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerave, Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët tanë të NATO-s, vepruan për të mbrojtur civilët e pambrojtur në emër të paqes, lirisë dhe qëndrueshmërisë. Këto qëllime i pasqyrojnë thellësisht vlerat amerikane dhe perëndimore. Ne besojmë që të gjithë popujt, pa dallim etnie apo besimi, meritojnë dinjitetin për të jetuar në liri dhe siguri”, tha ambasadori Hovenier.

Ai i hodhi poshtë përpjekjet për të rishkruar historinë dhe për të minimizuar mizoritë e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Më lejoni të jem i qartë për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj të vërtetës. Siç ka thënë presidenti (Bill) Clinton atëherë, e që e vërtetojmë sërish tani; ‘Ishte një akt i vrasjeve të qëllimshme vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës’. Mohimi i këtyre ngjarjeve dhe lartësimi i krimeve të luftës, çnderon kujtimin e të vdekurve, rihap plagët e të mbijetuarve dhe e kthen këtë rajon prapa në përpjekjet drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë euroatlantik”, tha ambasadori Hovenier.

Ai theksoi se paqja dhe drejtësia vijnë nga pranimi i qartë i krimeve të së kaluarës dhe shtoi se pranimi i krimeve është jetik për të siguruar që krime të tilla mizore të mos ndodhin më kurrë dhe hapi i parë për vendosjen e drejtësisë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Jeffrey-Hovenier_ne-Recak-1.jpg

Ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, si kishte qenë dëshmitar i masakrës dhe e kishte cilësuar si krim kundër njerëzimit, përmes një video mesazhi drejtuar pjesëmarrësve të tubimit përkujtimor, tha se është i kënaqur që kjo masakër tashmë përkujtohet ndërkombëtarisht.

“Kjo është ajo që kam shpresuar se do të ndodhë dhe ka ndodhur. Në të kaluarën, ajo që përkujtohej më 15 janar pothuajse shmangej nga të tjerët, për shembull nga komuniteti ndërkombëtar. Disa nga ambasadat as që shprehnin interesim të merrnin pjesë dhe të shihnin se çfarë ka ndodhur. Mendoj se tash kjo ka ndryshuar, më në fund”, tha Walker.

Masakra e Reçakut në vitin 1999, shënoi fillimin e një procesi diplomatik për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, e cila u përmbyll më ndërhyrjen e NATO-s.

Autoritetet serbe, përfshirë presidentin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë ministër për informim në qeverinë e ish presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq, vazhdojnë ta mohojnë masakrën e Reçakut.

Në shumë raste, ata kanë thënë se kjo masakër ishte fabrikuar nga faktori ndërkombëtar për të justifikuar sulmet ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake e policore të Serbisë.

(r.m.)