Hovenier: Dialogu, rruga më e mirë që Kosova të zë vendin që e meriton

Prishtinë, 26 janar 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, konfirmoi se i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë nga 30 janari deri më 4 shkurt.

Escobar do të vizitojë të dy shtetet së bashku me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vizita ka qëllim inkurajimin e të dyja palëve për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ambasadori Hovenier ka thënë se dialogu është rruga më e mirë që Kosova të zë vendin që i takon në planin ndërkombëtar.

“Përparimi në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian vazhdon të jetë rruga më e mirë për t’u siguruar që liderët e Kosovës mund të japin rezultate për qytetarët dhe që Kosova të njihet dhe të zë vendin e merituar si lidere botërore”, tha ambasadori Hovenier përmes një postimi në Twitter.

Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderët e partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Po ashtu Lajçak do të takohet me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do vizitojë pikëkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Mutivodë.

(r.m.)

Comment

*