Hovenier: Jemi kundër përdorimit të çdo forme të forcës që mund të shkaktojë tensione në veriun e Kosovës

Prishtinë, 18 maj 2023 – Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara janë kundër përdorimit të çfarëdo forme të forcës që mund të çojë në tensione të shtuara ose në konflikt të dhunshëm në Kosovë.

Ai i bëri këto komente në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, pas shqetësimeve për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës, në prag të marrjes se detyrës nga katër kryetarët e rinj të komunave të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës.

“Ne absolutisht nuk mbështesim asnjë përdorim të forcës që mund të rezultojë në tensione të shtuara ose në konflikt të dhunshëm. Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda ndërtesës së komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur kryejnë ceremoninë e betimit nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtarë të zgjedhur”, thuhet në përgjigjen e ambasadorit Hovenier.

Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ambasadori Hovenier tha se duke pasur parasysh rrethanat, ai pret që kryetarët e komunave dhe anëtarët e kuvendeve komunale t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në përgjegjësitë teknike dhe në shërbim të nevojave të të gjithë elektoratit.

“Presim që këta zyrtarë të përmbahen nga çdo retorikë, veprim apo nismë që nuk pasqyron nevojat e komuniteteve të tyre ose që mund të interpretohet si kontribut në rritjen e tensioneve”, tha ai.

Çështja e situatës në komunat në veriun e Kosovës ishte pjesë e një bisede të ndarë telefonike të mërkurën në mbrëmje ndërmjet këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Zyra e kryeministrit të Kosovës tha se me zotin Chollet është diskutuar për procesin e zbatimit të marrëveshjes të arritur në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe situata në veriun e Kosovës në prag të betimit të kryetarëve të zgjedhur.

Zyra e presidentit të Serbisë, citoi ndërkaq zotin Chollet të ketë thënë se “është e nevojshme të shmangen provokimet dhe konfliktet, si dhe është e rëndësishme të vazhdohet puna për normalizimin, duke i dhënë mbështetje dialogut të Brukselit”.

Ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë u takuan në fillim të javës në Bruksel në përpjekje për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve që u arrit në muajin mars në Ohër, por pa përparim.

Të dyja palët mbajnë qëndrime të ndryshme për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes. Derisa Kosova po kërkon që të mos kushtëzohet zbatimi i të gjitha pikave të marrëveshjes me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për Beogradin zyrtar ky mbetët kushti kryesorë për të vazhduar tutje në përmbushjen e marrëveshjes dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Zbatimi i rezultatit të zgjedhjeve në terren ndërkaq nxiti shqetësimin e Bashkimit Evropian për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës.

Ambasadori Hovenier tha se zgjedhjet e mbajtura më 23 prill ishin në pajtim me ligjet dhe kushtetutën e Kosvës, por…

“Nga këndvështrimi politik, megjithatë, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik, duke parë kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjodhën”, tha ambasadori Hovenier duke bërë thirrje që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe përmbajtje dhe të ulin pikat e mundshme të tensionit.

Autoritetet në Kosovë thanë se nuk ka asnjë arsye të që të ketë tensione gjatë betimit të kryetarëve të rinj duke u bërë thirrje qytetarëve që jetojnë në këto komuna të mos bien pre e, siç thane, propagandës.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)