Humbja e Gandolfinit pritet me pikëllim

Aktori amerikan i filmit dhe i televizionit, i cili do të mbahet mend për rolin e tij si bosi mafioz në dramën televizive “The Sopranos”, vdiq në moshën 51 vjeçare në Romë

 

Aktori amerikan i filmit dhe i televizionit James Gandolfini, i cili do të mbahet mend për rolin e tij si bosi mafioz në dramën televizive “The Sopranos”, vdiq dje në moshën 51 vjeçare në Romë. Ai ndodhej atje për pushime si dhe për të marrë një çmim në një festival filmi në Siçili fundjavën e ardhshme.
Sipas deklaratave të bëra nga menaxherët e aktorit dhe nga rrjeti televiziv kabllor amerikan HBO, James Gandolfini vdiq nga një atak i mundshëm në zemër, ndërsa ndodhej me pushime në Itali.
Ai kishte shkuar atje për të marrë një çmim në Festivalin e Filmit të Torminës në Siçili gjatë fundjavës. Ai kishte fituar tre Çmime Emmy për rolin e Tony Sopranos, mafiozit të dhunshëm, që kurohej fshehtazi nga mjekët psikiatër.
Claudio Mondini, drejtor i shërbimit të emergjencës, në një poliklinikë të Romës, dha këto hollësi për vdekjen e aktorit: “Zoti James Gandolfini, mbërriti mbrëmë natën në urgjencën e Poliklinikës Umberto Primo të Spitalit Universitar, por operacioni për shpëtimin e tij përfundoi pa sukses dhe pacienti vdiq.”
Ambulanca e parë mbërriti në vendngjarje tetë minuta pasi ishte thirrur dhe mjekët italianë luftuan për 20 minuta për ta shpëtuar Gandolfinin, i cili po qëndronte në Hotelin EXEDRA Hotel në qendër të Romës.
Aktori lindi në New Jersey. I ati ishte murator italian dhe e ëma punëtore lokali.
E filloi karrierën në New Jersey në vitin 1992, me një rol në një pjesë të përshtatur për Broadway-in nga drama “A Streetcar Named Desire”, e Tennessee Williams.
Roli që i hapi atij karrierën e vërtetë ishte ai i vrasësit në filmin e vitit 1993, “True Romance”.
Ai vazhdoi të luajë në filma të tillë si “The Last Castle” me Robert Redford dhe “Të gjithë njerëzit e mbretit” me Sean Penn.
Vitin e kaluar, Gandolfini luajti Drejtorin e CIA-n Leon Paneta në filmin për kapjen e Osama Bin Ladenit “Zero Dark Thirty”.
Organizatorët e festivalit siçilian thanë se ata kishin në plan t’i bënin një nderim të veçantë aktorit për rolin e tij në serialin “The Sopranos”.
Ata thanë se u pikëlluan thellë kur mësuan për humbjen e Gandolfinit, i cili u bë aktor me famë botërore si ylli mafioz i dramës televizive amerikane, tashmë e njohur në të gjithë botën. (VOA)

Comment

*