Hyn në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza

Gaza, 21 maj 2021 – Në Gaza ka hyrë në fuqi marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas.

Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, në orën 2:00 të së premtes, palestinezët dolën për të festuar nëpër rrugët e Gazës.

Në një fjalim para mijëra personave, një zyrtar i lartë i Hamasit pretendoi se grupi e ka fituar luftën.

“Ky është një gëzim i fitores”, tha Khalil al-Hayya, një anëtar i byrosë politike të lëvizjes islamike në Rripin e Gazës.

Ai u premtoi palestinezëve se do të ndërtohen shtëpitë e shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite.

Armëpushimin në Gaza është arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit. Sipas burimeve diplomatike, dy delegacione egjiptiane do të dërgohen në Izrael dhe në territoret palestineze, për të monitoruar armëpushimin.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gaza, në sulmet ajrore  të ushtrisë izraelite që filluan më 10 maj janë vrarë 232 palestinezë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, ndërsa janë plagosur më shumë se 1.900 të tjerë. Izraeli ka thënë se i ka vrarë të paktën 160 luftëtarë të grupit militant Hamas, në Gaza.

Ndërkaq, zyrtarët izraelitë kanë njoftuar se 12 njerëz janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve me raketa nga Hamasi.

(r.m.) 

Comment

*