Hyrje studimore për romanet Martesa e Lejlës dhe Sotiri e Mitka (3) – DOKUMENTE SHTOJCË

Nga Fotaq Andrea

(VIJON NGA: https://www.illyria.com/hyrje-studimore-per-romanet-martesa-e-lejles-dhe-sotiri-e-mitkapjesa-e-dyte/)

Dy romane të Jean de Kroïa “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka”

Kronikë e botuar në gazetën franceze, l’Avenir d’Arcachon, 8 tetor 1911 në: Rubrikën « Letërsi »

Sapo ka dalë një roman i Jean de Kroia: Martesa e Lejlës (tek Heymann, 3 rue du Four, Paris, çmimi 3 fr. 50). Ky roman rrëfen idilin e një dashurie, është një kompozim filozofik dhe një pasqyrë karakteresh, moraliteti i të cilave priret të vërtetojë se paraja e bën zemrën të akullt dhe se nderi, dashuria, bujaria, dashamirësia përputhen me dinjitetin njerëzor më shumë se etja për ar. Teza është e vjetër, por tema shfaqet në libër gjithë hijeshi. Për më tepër, kurrfarë pedantizmi nuk ndihet në të, gjë që do kish qenë pedagogjike e lodhëse, ndërkohë që subjekti shtjellohet thjesht nga vetë loja e aktorëve në skenë. Kjo histori dashurie zhvillohet në Austri dhe përfundon në Vjenë. Disa faza të kësaj vepre janë të gërshetuara bukur, si intriga e artikujve të gazetave, dueli me pistoletë, disa letra të shkruara fort hijshëm, sikundër ato të pohimeve të dashurisë, që burojnë nga shpirti, me një stil të zhdërvjelltë, plot bujari të çiltër dhe gjithë finesë. Megjithatë, të vjen keq që nuk has, krahas tërë asaj ndjeshmërie të lartë, njëfarë përshkrimi poetik, njëfarë tabloje piktoreske të natyrës.

Të njëzet kapitujt e kësaj pastoraleje dashurore shkojnë fjollë, pa përplasje as pengesë, rrjedhin si një burim me ujë kristalor drejt një zgjidhjeje të dëshiruar, duke përbërë në tërësinë e tyre një akt të lartë, tek vërtetojnë (gjë e rrallë sot) që një roman mund të jetë interesant duke mbetur i ndershëm.

Ne nuk do dëshironim ta zbarnim nga shija e mirë që lë, duke bërë një analizë të thatë të gërshetimit të ngjarjeve: po e lëmë në dëshirën e lexuesit që ta shijojë vetë.

Por po përmendim emrat e dymbëdhjetë personazheve të vënë në skenë: bankieri i pasur Vangjeli, e bija e tij Lejla dhe njëkohësisht famulleshë e Princit, piktori Lezi, e ëma e tij, kapiteni Fritz, Zonja Krantz, Teodor qejfliu, artistja Ilda, S.A.Kastrioti – stërnip i Skanderbejit dhe princ trashëgimtar i fronit të Shqipërisë, dy Shqiptarë, Sulo Beu e Mirashi i Shkrelit, shërbëtorja Matilda.

Sa për autorin, ai duhet të jetë një karakter i ftohtë, dhe njëkohësisht i ndjeshëm, sepse gjuha e tij është fisnike, e vendosur dhe burrërore.

Vihet re që ka njohuri të gjerë për shpirtin njerëzor dhe gjuhën aristokratike të shoqërisë së lartë, aq e praruar dhe njëkohësisht aq e pabesë.

Ndihet po ashtu që autori është poliglot dhe kozmopolit, përderisa e ndjen veten aq mirë në mjedise vendesh që përmend me një hollësi të përpiktë, por të vetëtimshme, aq sa pandeh se edhe lexuesi duhet të dijë po aq sa ai vetë.

Shkruan në frëngjishte shumë të mirë, por në frëngjishten e një të huaji, për më tepër që parashtrimi i idesë, sikurse struktura e fjalisë të kujtojnë udhëtimet e Zviceranes Toppffle, përrallat e Gjermanit Hoffmann, romanet e Belgut Henri Conocience, novelat e Anglezit Dickens.

Është megjithatë në thelbin e saj si gjuhë, më serioze nga frëngjishtja jonë e letërsisë së zakonshme: por ka nuanca gramatikore që nuk lënë të gabosh.

Nga ana tjetër, ky libër çliron një parfum ekzotik, si ato lulet e malit, aroma e çuditshme e të cilave e habit dhe e këndell qytetarin.

I njëjti vëllim përmban edhe një roman tjetër të së njëjtit autor: Sotiri e Mitka.

Është një tregim i shpejtë që të mban të lidhur dhe që fillon në Amerikë për të përfunduar në Shqipëri. Mund të themi se kemi të bëjmë me një novelë të shekullit XVII, aq shumë janë pikturuar e treguar me hollësi e delikatesë portretet e dy miqve, jeta e tyre e përbashkët, martesat e ndërsjella. Më pas, fushëveprimi i tyre vjen e zgjerohet për t’ia lënë vendin fëmijëve të këtyre, miqve, dhe jeta e re buthton, zhvillohet, shpaloset në rritje të shpejtë, gjersa dramatizohet më në fund nëpërmjet një rrethane të llahtarshme e tragjike, për të përfunduar siç duhet… lumturisht.

Ashtu si te Martesa e Lejlës, hasim në të të njëjtat cilësi: ndjenja e detyrës, respektimi i fesë, familjes, kulti i nderit dhe dashuria për atdheun.

I ftojmë bashkëpatriotët tanë që e duan letërsinë të marrin në duar këtë vëllim të bukur.

Do të na falënderojnë, si dikur që na falënderonte lord Russel, të cilin e nxitëm të rrinte një ditë më shumë në Arkashon për të vizituar liqenin e Cazeaux.

Dhe do jenë të kënaqur për dy arsye: së pari që Jean de Kroïa është një letrar me shije të hollë e delikate që i njeh vlerat e tij, i zotëron mirë klasikët e vet dhe e ka jetuar jetën parisiane; së dyti sepse Martesa e Lejlës (e kemi nga burim i sigurt) është shkruar në Arkashon.

E. G.

Letër e G.C. Camet[1]* drejtuar De Radës

Firence, 1 janar 1879

Shumë i nderuari dhe i dashuri Zotëri,

Punët e Princit [Aladro Kastriota] më kanë mbajtur gati tre muaj në udhëtime; kam qenë në Angli, Belgjikë, Austri, Gjermani, dhe poezitë tuaja të mrekullueshme më kanë ndjekur kudo, dhe kudo kam folur për to me njerëz të Letrave dhe me miqtë e mi të shtypit, shumica e të cilëve e njihnin tashmë gjeninë dhe emrin tuaj. Por, në mënyrë të veçantë në Francë e në Gjermani – ku marrëdhëniet e mia janë disi më të shumta -, pata mundësi të zgjerohem rreth subjekteve të ndryshme të poemave tuaja dhe tërësisë, që shfaqet si një monument i bukur, dhe i vetmi gjer më sot, i jetës, gjuhës dhe traditës së Shqiptarëve. Shpresoj të arrij së shpejti t’ju dhuroj, tok me bashkëvëllezërit e mi të shtypit, një dëshmi publike për interesin që di të frymëzojë Muza juaj sublime dhe e paepur dhe për studimin serioz që ne u bëjmë librave tuaja, me qëllim që të mund të flasim për to në mënyrë serioze.

Në pritje, pranoni, ju lutem, urimet e mia nga zemra për vitin e ri dhe kini besim në vlerësimin krejt të çiltër që unë kam ndaj jush, i dashur Zotëri, të cilin dëshiroj ta dëshmoj.

I devotshmi krejt i juaji,

Firma : G.C. Camet (Piazza S. Croce, n° I.)

P.S. Do desha t’ju kërkoja sërish një ekzemplar të Memorandumit[2]* shqiptar për një diplomat nga miqtë e mi. Ju i njihni pa dyshim progreset e Ligës shqiptare, ç’mendim keni për to? Proklamata e saj është krejtësisht shprehje e dokumentit që ju patët mirësinë të përktheni në gjuhën shqipe. Ju mund të shihni nëpërmjet saj se idetë e Princit [Kastrioti] dhe të Komitetit Qendror përputhen tërësisht me ato të prijësve shqiptarë. Më sqaroni hapur tek tuajët për sa më sipër.

AQSH, Tiranë, Fondi 24, dosje 54/3 fletë 60,61.

Letër e G.C. Camet drejtuar de Radës

Firence, 23 janar 1879

Shumë i nderuari dhe i dashur Zotëri,

Letra juaj e dashur e 10 tetorit erdhi e vërtetoi atë çka i trembesha në fakt duke parë të zgjaste heshtja juaj; por zemra ma do që tani ta keni marrë veten plotësisht dhe të jini mirë me shëndet. Edhe unë sapo kalova një javë në shtrat me një rrufë të fortë, pasojë e udhëtimeve dhe e stinës, dhe e hoqa qafe me të ngrohta e me të ngrënë të veçantë, duke ndjekur shembullin tuaj. Është ilaçi më i mirë për raste të tilla dhe Anglezët nuk e kanë gabim që e shohin si sëmundje.

Në të vërtetë, ju më nderoni së tepërmi, i dashur Zotëri, duke shfaqur tërë atë mirësi për aq pak sa kam bërë dhe do kem kënaqësi të bëj për të treguar njeriun që dashuri e një jete nga më të thjeshtat dhe një modesti shembullore e mbajnë pothuaj të fshehur ndaj botës në atë fshat të vogël të Makias në thellësi të Kalabrisë. Ja, veç kjo më sjell ndër mend atë pikturim të shkëlqyer që ju i bëni virgjëreshave shqiptare, që vetëm dielli i zbulon tek rrëshqet mbi avlëmendet ku ato punojnë të fshehura nga sytë e botës. Duke lexuar ato vargje e ndjen shpirtin të lumturuar, të përndarë mes hijeshisë së Pindarit dhe bukurisë së Homerit. Por, më lejoni të kaloj në politikë, sepse sapo mora një letër nga Princi, i cili më kërkon mendimin tuaj për proklamatën e tij. Ju kam dërguar 15 numra të Gazetta d’Italia-s, ku ajo publikohet e përkthyer nga një gazetë e Vjenës, e cila e botoi nga të parat. A i keni marrë? E pra, ajo proklamatë duhet të zhdukë krejt dyshimet tuaja, i dashur Zotëri, dhe ato të çdo Shqiptari ndaj Lartësisë së Tij Skanderbeg; gjithçka është brenda në atë shpallje: aspak ndarje të Shqipërisë së tij të shtrenjtë; kurrfarë aneksimi as nga Mali i Zi, as nga Greqia, as nga Italia: kurrfarë ambicie nga ana e tij. Ai thjesht shpall në të të drejtat e Shqiptarëve për pavarësinë dhe kombësinë e tyre dhe e përfundon nëpërmjet vetëmohimit më fisnik e më bujar të vetvetes. Pas kësaj, kam të drejtë t’ju them çiltërsisht, i dashur Zotëri, se Shqiptarët do bëjnë gabim të rëndë po të dyshojnë për qëllimet e vërteta të Skanderbegut dhe për patriotizmin e tij sa të madh, aq edhe pa kurrfarë interesi.

Ju vetë më keni shkruar në letrat tuaja të para se Skënderbeu ishte flamuri i bashkimit të Shqiptarëve dhe se asgjë nuk mund t’ua shkulte atë nga duart; e pra, le të dinë ta mbajnë, duke qenë se ai është i tillë në të vërtetë dhe nuk kërkon të jetë tjetër gjë[3]*. Më besoni, t’i veshësh pazarllëqe më këtë apo atë qeveri për t’u ulur në fronin e stërgjyshërve të tij, ta shohësh si ambicioz për arritjen e këtij qëllimi është njëlloj sikur të shpifësh për të, të mos e njohësh aspak. Skanderbegu është po aq i thjeshtë e po aq modest sa ju, i dashur Zotëri, dhe jeta e tij është ajo e një ati të mirë familjeje dhe e një apostulli po aq të palodhshëm në politikë sa ç’jeni ju në Urdhrin e shenjtë të Muzave. Kam pasur nderin tashmë t’jua kem shkruar më parë dhe dëshiroj përsëri ta përsëris: Ju jeni gjeniu letrar i Shqipërisë, kurse ai është gjeniu i saj politik. Ju bëtë të rilindin gjuha dhe heronjtë e saj, kurse ai rizgjoi kombin e vet dhe të drejtat e tij të mbështetura sa tek letrat aq edhe tek diplomacia. Lëruani pra hamendësimet dhe dyshimet atyre që nuk e njohin, ose që kanë çdo interes për të mos e njohur, dhe besomëni mua që kam nderin të njoh shpirtin tuaj dhe të tijën.

Krejt i juaji, shumë çiltërsisht,

Firma : G. C. Camet.

AQSH, Tiranë, Fondi 24, dosja 54/3 f. 63-63/1.

Letër e Faik Konicës drejtuar Nikolla Naços

ALBANIA

A monthly Albanian Review of Literature

and Politics, Established 1896, Brussels.

Office: 4, Oakley Crescent, City Road, London, E.C.

London, më 20 të Tetorit 1902.

I lartër Atdhetar,

Më ndje që nuk të shkrova nga aqë kohë. Kam pasur mjerime (halle) shumë, pastaj s’kisha as ndonjë gjë me rëndësi për të thënë.

E mora letrën tënde. Mora edhe 15 frënga atë ditë, po nuk di në i dërgove ti apo tiatër mik. Si do që në qoftë, të fala.

Më pyet për Aladron. Ç’të të thom? Ti e ke kuptuar vetë se ç’mut ësht. Nuk di a ësht i prishur mentsh a po escroc i pa-turpshëm. Ca thonë se ësht i vënë prej Moskovit, ca prej Italianit. Unë vetëm këtë kam kuptuar:

Ky ka blerë në Venedig një pikturë të Skënderbeut të vietër e q’ahere i mbiu në kokë prralla se zbret prej Skënderbeut. Gjeti edhe një grua të pasur, e cila ka 6 miliunë frëngash pasje, e i jep Aladros të gjitha paratë që prish. Se puna e tij [profesioni] është të shesë verëra të tija, po nga që vreshtat e Espanjës u- prishnë, nga kërçmar që qe, u-bë pizeveng e ron me para të pidhit.

Mos beso të ketë në botë njeri më të poshtër se Aladrua. Pati sy e faqe të shkruaj në gazetat se ka 20 viet (!) që shqipëtarët i u-lutnë të bëhet mbret!! Po unë ia prita turive, e ia nxora të tëra gënjeshtrat në shesh, e andaj më ka inat shumë.

Babatasi shumë i poshtër. E ushqeva aqë viet, më në funt, e kalla edhe te Aladrua me disa qindra frënga në muaj: Ai, me të hyrë te’ Aladrua, edhe [veç kur] zuri të çpifë kundrë meje. Ashtu edhe për ty tha që s’të njeh njeri.

I dhjeva të gjithë, e të gjithë m’a kanë frikën, zilia nuk i lë të flenë, po le të ngordhin në daçin!

Tani Babatasi mori para edhe dolli për Rumanie e për Bullgarie, të bëjë propagandë, tha; po më duket se i mori paratë q’i dha Aladrua, e theri iku. A u-duk aty, ç’foli, ç’tha, në erdhi? Se po gatitet një punë që t’u qijmë t’ëmat gjithë pizevengëve.

Shahin Çaushit a ia bëra mirë? I dhanë para kërçmarët?

Aqë për sot. Erdha në Londër me shpresë që të gjejë nonjë punë në gazetat, se kam nevojë të madhe për para.

Theoharit i shtrëngoj dorën.

Yti me gjithë zemrë.

Faik Konitza.

P.S. Kam këtu Loni Dossin nga Misiri, i cili të do shumë, e më rrëfen trimerit’ e motrës tënde në Misiri.

AQSH.


[1]    Publicist francez pak i njohur, i vënë në shërbim të princit spanjoll Aladro Kastriota Skanderbeg. Sikurse vihet re nga letrat e Camet drejtuar De Radës, ai u mundua me të tëra mënyrat të tërhiqte në anën e patronit të vet spanjoll Jeronim de Radën, si figurë madhore e Rilindjes Shqiptare, me qëllim që ta bënte edhe më të besueshme aventurën e princit “kastriotas”. Por, vetë letrat e tij dëshmojnë që ai do të dështonte në përpjekjet e veta përballë qëndrimit mosbesues të patriotit të madh arbëresh. Nga ana tjetër, letrat e Kametit nxjerrin në pah dhe lartojnë figurën e De Radës, autoritetin e madh që ai gëzonte në Lëvizjen për çlirim kombëtar, si dhe qëndrimin e Aladro Kastriotit që gjithçka të shkruar e të dokumentuar e bënte me anë të sekretarit të vet G.C.Camet, pa të cilin ai nuk vepronte dot as në fushën e epistolarit të thjeshtë, e jo më në fushën letrare ku nuk ia shkrepte hiç!

[2]   Është fjala për Memorandumin e Shkodrës të 13 qershorit 1878 hartuar nga patriotët shqiptarë dhe dërguar Kryeministrit britanik Beaconsfield ditën e hapjes së Kongresit të Berlinit. Në Memorandum, u kërkohej Fuqive të mëdha të shqyrtonin çështjen shqiptare në kuadrin e Krizës lindore. Po ashtu, denoncohej në të me forcë Traktati i Shën Stefanit për copëtimin e trevave shqiptare si dhe afirmohej identiteti kombëtar i popullit shqiptar, të drejtat e tij të ligjshme për shkëputje të Shqipërisë nga Turqia dhe për pavarësinë e saj.

[3]   Nisur nga qëllimet e tij për të propaganduar sa më shumë mes Shqiptarëve figurën e Aladro Kastriotit, Camet mpleks këtu figurën e vërtetë të Skënderbeut, lartësuar nga De Rada, me atë të princit të rremë kastriotas të cilit i shërbente.