I hapet rrugë fillimit të negociatave për MSA me Kosovën

Bruksel, Prishtinë, 25 qershor 2013 – Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë rekomanduar nisjen e Negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me Kosovën. Këtë e ka bërë të ditur Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fuele.

“Ministrat janë pajtuar të hapen negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën. Mandati për këto negociata është caktuar dhe ai do të adaptohet formalisht këtë të premte, njëkohësisht me konkluzionet e Këshillit të Evropës. Jam i lumtur të them se kemi një mandat ambicioz në tavolinë që përfshinë të gjitha elementet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që janë dialogu politik, drejtësia, liria dhe siguria, politikat ekonomike dhe tregtare dhe bashkëpunimi në shumë fusha të tjera”, ka thënë Fuele.

Komisionari për Zgjerim i BE-së ka bërë të ditur se në takimin e minsitrave të jashtëm është rekomanduar që Serbisë t’i jepet data për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, gjë që, sipas tij, do të ndodh më së largu deri në janar.

Sipas Fueles, hapat e paprecedent të Kosovës dhe Serbisë drejt normalizimit të marrëdhënieve, kanë qenë kyç në këto rekomandime.

Ndërkohë, ministrja për Integrime e Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se për të arritur deri te data për fillimin e negociatave për MSA është punuar shumë në përmbushjen e të gjitha kritereve të dala nga Studimi i Fizibilitetit.

Konkluzionet e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së pritet të konfirmohen nga Këshilli i Evropës, në samitin që do të fillojë të enjten, më 27 qershor.

R.M.

Comment

*