I mbijetuari i genocidit të Çamërisë, Sali Bollati i përgjigjet kryetarit të OSBE-së

Letër publike dërguar OSBE

Shkëlqesi Miroslav Laiçak

Kryetar i OSBE

Këshillit të OSBE / OSCE Wallnerstrasse 6 Viena 1010 Austria,

Kam nderin t’iu shpreh konsideratën time më të lartë dhe falenderimin për deklaratën që më dërguat. Ky gjest ka një domethënie të madhe për personin tim dhe kauzën që unë përfaqësoj.

Sali Bollati me kostum popullor nga Çamëria, në Paradën e Rrënjëve Shqiptare, në New York.

Që në themelimin e OSBE-së e në vazhdimësi kam ndjekur veprimtarine tuaj të çmuar humanitare për sigurimin e bashkëpunimin midis shteteve e kombeve jo vetëm të Europës, por edhe të botës mbarë prandaj dua t‘ju dërgoj një dëshmi të përjetuar personalisht lidhur me historine e hidhur të Çamërisë (Thesprotisë);- krahina më jugore e Trojeve Etnike Shqiptare të pushtuar që nga 1913 nga Greqia.

Unë, Sali Bollati, kam lindur në Paramithi të Çamërisë më 1937. Më 27 Qershor 1944, kur isha vetëm 7 vjeç; monarkofashistat grekë mbasi masakruan barbarisht, më vranë 7 njerëzit më të dashur e më të shtrenjtë të familjes sime: gjyshin Muharrem 82 vjeçar, gjyshen Ruhije 72, babain Ibrahim 52, nënën Betula 36, vëllain e madh Ferhatin 13 vjeç, vëllain e vogël Farukun 5 vjeç dhe motrën e vogël  Makbulen 2 vjeç. Ajo skenë e llahtarshme më ndjek gjithë jetën; aq më tepër se nuk di ku janë varrosur për t‘iu vendosur një kurorë me lule, me shpresë se ashtu mund të prehen më të qetë; duke ndjerë se një krijesë e ka mbijetuar dhe gjaku i tyre vazhdon të rrjedhë në njerëzit. Këtë fat, po ato ditë të zeza e kanë pasur me mijëra bashkëatdhetarë të mi nga Çamëria. Vetëm në qytetin e lindjes time, Paramithi u masakruan dhe u vranë brenda disa ditësh atje mbi 600 njerëz, në gjithë Çamërinë 2900 edhe ata të pafajshëm dhe përzunë me dhunë mbi 40,000 Shqiptarë Çamë, krejtësisht të pafajshëm; me të vetmen ‘aresye’ se ishim shqiptarë të besimit muslimanë në trojet dhe shtëpiat tona mijëravjeçare.

Përsa më sipër vërtetohet edhe në dokumentat e Departamentit të Shtetit Amerikan nr. 84/3 të Misionit ushtarak në Tiranë 1945-46 shkruhet qartë: “Në bazë të informatave që kam mundur të mbledh për sa i takon Çështjes Çame; më 1944 dhe gjatë muajve të parë të 1945, autoritetet greke në Greqinë VP kryen masakra brutale duke debuar me dhunë matanë kufirit më shumë se 40.000 çamë banorë të Çamërisë nga shtëpitë e tyre, ku kanë jetuar me shekuj, mbasi u kanë rrëmbyer pasuritë dhe tokat e tyre”.

Unë 7 vjeçar së bashku me mbi 200 Paramithiotë të tjerë, kryesisht pleq e femijë, na mbajtën në burg ose më qartë në një kamp përqëndrimi po atje për 6 muaj. Aty nga mungesa e ushqimit, papastërtitë e sëmundjet vdisnin për ditë pleq e fëmijë të pafajshëm.

Ja si e përshkruan shkrimtari grek J. Margaritis në librin e tij; “Bashkëpatiotë të Padëshëruar”:…më 27 qershor qyteti i Paramithisë u kthye në thertore. Të gjitha dëshmitë, nga çfarëdo palë që vijnë, bien dakort me dhunën, vrasjet dhe keqtrajtime në kurriz të banorëve muslimanë. Me qindra e qindra vetë-numri është i panjohur, ndoshta afrohet me rreth 600 persona të pafajshëm që u vranë në mënyrat më çnjerëzore brenda e rreth qytetit. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave, fëmijëve dhe rrëmbimi i pasurive, e plotësonin këtë kuadër dhe në ditët në vazhdim për më shumë se 6 muaj u mbajtën në burg mbi 200 gra e fëmijë, pjesa më e madhe e tyre vdiqën aty, nga mungesa e ushqimit dhe e e ilaçeve për semundje…

Dhe këtë Genocid e vërteton faktikisht edhe vetë autori i atyre masakrave e vrasjeve, gjenerali famekeq grekonazisti N. Zerva me 1956: “…të jemi krenarë që zhdukëm nga qafa e helenizmos çamët muslimanë shqiptarë-dhe u krijuam malësorëve tanë mundësinë të jetojnë në fushat pjellore”. Kjo është një deklaratë që nuk lë vend për ekuivok.

Pra e vërteta nuk qëndron tek besimi fetar sepse mbi gjysma e popullatës Çame është e besimit të krishterë ortodoks që janë edhe ata shqiptarë dhe flasin gjuhën shqipe ose më mirë me thënë Gluhën e Perëndisë, siç shkruante edhe poeti i madh Shqiptar Naim Frashëri. Dhe për ta kuptuar edhe më mirë shqiptarësinë e tyre është përkthimi në gjuhën shqipe i Dhjatës së Re me 1877 nga Metropoliti i Paramithisë meqënëse të krishterët nuk e kuptonin meshën në gjuhën greke. Ne gjithmonë kemi mbajtur marrëdhënie shumë të mira me të krishterët. Dhe për t’u bindur në ekstremizmin e Greqisë “demokratike’, pjestare e OSBE dhe e BE, të krishterëve që janë në vazhdimësinë e tyre shqiptare, pa u dëbuar nga tokat e tyre mijëravjeçare, nuk u lejohet as ta flasin gjuhën e nënës-shqipe në publik, megjithëse në shtëpitë e tyre flasin vetëm shqip?! Dhe as nuk bëhet fjalë për shkolla në gjuhën amtare, sikurse ndodh me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët janë forcë vendimtare në qeverinë vendase. Po kështu edhe shqiptarët në Mal te Zi nuk diskriminohen duke iu respektuar të gjitha të drejtat themelore të njeriut, përfshi edhe flamurin kombëtar.

Gjithashtu pakica greke në Shqipëri absolutisht nuk është objekt diskriminimi dhe persekutimi; ajo gëzon të gjitha të drejtat që ka vetë populli shqiptar, pakicës greke i njihet prona, gjuha, përdorimi i flamurit, punësimi, lëvizja pa kufi si edhe përdorimi i flamurit dhe festat kombëtare greke.

Megjithëse edhe sot Greqia mohon ekzistencën e Çamërisë, ajo është një ralitet i pamohushëm dhe ka ardhur koha që Greqia ta ketë të pranishëm në llogaritë politike, me frymë pozitive, në përputhje me frymën që inspiron vetë OSBE për respektimin e të drejtave të minoriteteve. Nuk mund të çbëhet historia e popullit Çam që përbën një etni, ajo përbën një popull autokton që jeton në tokën e vet dhe nuk është një popullatë emigrantësh…

Mbas 6 muajve burg, ushtarët anglezë na transportuan në Shqipërinë Nënë. Atje u rrita në shtëpinë e fëmijës në Tiranë, me mbarimin e shkollës së mesme më 1955 më dërguan për studime në ish Republikën Çekosllovake ku më 1960 u gradova Inxhinjer Kimist në Universitetin Politeknik të Bratislavës; ku jam ftuar disa herë nga Dekanati i Fakultetit dhe shoqëria e paharruar me kujtimet e bukura të kohës studentore.

Më 1961 fillova punë si Pedagog i Kimisë në Universitetin e Tiranës. Më 1998 u ftova në një konferencë ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve të Abuzuar e Neglizhuar në San Diego të SHBA. Këtu mu dha edhe leja për të qëndruar. Punova në Bashkinë e NY në Seksionin e Refugjatëve dhe Emigrantëve si Specialist, ku edhe dola në pension.

Vuajtjet, vrasjet e masakrimet e shovinistëve grëke nuk mund t’i harroj; më 1991 jam një ndër themeluesit e Shoqërisë Atdhetare Çamëria në Tiranë; po kështu më 2004 krijuam këtu në Amerikë Organizatën Shqiptaro Amerikane Çamëria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut të Mohuara për Çamërinë. Më 2004 kam botuar në Tiranë librin dëshmitar “Gjurmë Çame” dhe më 2018 librin “Çamëria-Krahina më Jugore e Trojeve Etnike Shqiptare- Chameria is Albanian”; libra këto shumë të lexuar e të arshivuar në bibliotekat e Tiranës, New Yorkut dhe në Librarinë e Kongresit në Washington.

Për zgjidhjen e këtij problemi të Mohimit të Drejtave Njerëzore ne si shoqata vazhdojmë të kryejmë detyrat tona; por e keqja më madhe e moszgjidhjes deri më sot qëndron në atë që Greqia jo vetëm nuk dëshiron ta njohi ekzistencën e Çamërisë Shqiptare, duke mos lejuar foljen e gjuhës shqipe në publik nga shqiptarët e krishterë, nuk lejon as të hyjnë në Greqi shqiptarët çamë që kanë lindur atje dhe aq më tepër edhe duke zhdukur varret mijëra vjeçare që të mos mbesi asnjë gjurmë e paraardhësve tanë.

Qeveria Shqiptare, megjithëse në Kushtetutën e saj e ka të cilësuar qartë se e ka për detyrë që ‘të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në vendet ku kanë lindur’ për të ruajtur interesat vetjake të drejtuesve të shtetit me paret e vjedhura e të komprometuara; bile edhe kur institucionet ndërkombëtare rekomandojnë që bashkarisht me qeverinë greke të ulen e ta zgjidhin këtë Problem të Mohimit të Drejtave Njerëzore; kjo qeveri “shqiptare” pa kurrfarë dinjiteti kombëtar i përulet qeverisë greke me mendimin se ajo grekja do e “mbështesi” për të hyrë në BE?!

Por qeveria greke si komplotiste e lindur, siç e ka cilësuar ish drejtori grek i CIA Amerikane J. Tennet e mban në fuqi të ashtuquajtur Ligj Lufte 79 vjeçar, atëhere kur Italia fashiste nga Shqipëria e pushtuar nisi luftën italo-greke më 1940 dhe me ektremizmin, komplotizmin dhe “demokracinë greke” vazhdon me “mençuri alla greke” që jo vetëm të “mos e njohi” Çamërinë Shqiptare; por njëkohësisht të rrisi greqizimin e pushtimin edhe të asaj pjese të Shqipërisë se cungua që e emëron VE.

Me gjithë përpjekjet e shoqatave tona me protesta, letra e peticione drejtuar udhëheqësave dhe qeverive të ndryshme me “heshtje përuljen” e qeverisë shqiptare dhe mohimin absolut të qeverisë “demokratiko- komplotiste” greke nuk kemi arritur deri më sot; kur ende jemi gjallë, për të dëshmuar poshtërsitë e shovinizmit bizantine grek.

Dhe jo për të qeshur, qeveritë greke dhe shqiptare, megjithëse kanë nënshkruan një marrëveshje miqësie që në vitin 1996, është e pakuptueshme kjo “miqësi strategjike” si edhe antarësia në NATO kur qëndron në fuqi Ligji i Luftës 79 vjeçar midis tyre?!

Si mundet që qeveritarët e Tiranës të miratojnë ngritjen e varrezave të grekëve në tokën shqiptare në një kohë që kanë mbetur të pa varrosur në tokat tona Çame Shqiptare, njerëzit më të afërt mbas masakrave çnjerëzore të grekëve?!

Analisti, mirënjohësi dhe studiuesi i Ballkanit, anglezi Prof James Pettifer, në studimin e publikuar nga Qendra e Studimeve dhe e Konflikteve pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë së Madhe më 2005; për Problemin Çam nënvizon: “Greqia deri më sot refuzon se ky problem është për tu diskutuar. Një aspekt i rëndësishëm i këtij qëndrimi nuk janë pretendimet e Çamëve të cilat janë shumë të qarta në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar. Kështu me gjithë këto antagonizma ballkanike, në mungesë të një dialogu politik, udhëheqjet e moderuara mund të zotërohen nga forca më radikale dhe si përfundim për të hapur frontin e Çamërisë, faktikisht nuk nevojitet ndonjë kapacitet i madh ushtarak; duke u bazuar në kufirin greko-shqiptar është një mundësi reale paramilitare. Çamët kanë avantazhin se tokat e tyre shtrihen karshi ishullit të Korfuzit, një ndër burimet më të mëdha për të ardhurat e turizmit grek”.

Si një ndër dëshmitarët okularë i Genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, unë do luftoj për legalizimin e kësaj çështje deri sa:

  1. Parlamenti dhe qeveria Greke të pranojnë realitetin historik të Problemit Çam,
  2. Të dënohet genocidi i ushtruar grek ndaj popullatës së pafajshme Çame;
  3. Qeveria Greke duhet të njohi legalisht të drejtat e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga pronat dhe shtëpitë e tyre më 1944-1945 që u janë rrëmbyer pa të drejtë.

Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kufijeve, ne vetëm kërkojmë hapjen e tyre.

Me respektin më të madh për veprimtarinë tuaj Humane në Mbrojtje dhe Bashkëpunim Europian.

Sali Bollati- I mbijetuar nga Genocidi Grek më 1944.