I ndalohet hyrja në Kosovë zyrtarit të lartë serb që bëri deklarata nxitëse

Prishtinë. Beograd, 3 shtator 2021 – Kosova ia ka ndaluar hyrjen drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për shkak të deklaratave të tij që nxisin urrejtje.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës bëri të ditur se Petkoviq, gjatë vizitave të tij të fundit në Kosovë, ka bërë deklarata nxitëse,  ndonëse vazhdimisht ka dhënë garanci se do të përmbahet nga deklaratat e tilla.

“Në kundërshtim me obligimin e marrë dhe zotimin se do të përmbahet nga deklaratat provokuese dhe nxitëse të urrejtjes, ai në vazhdimësi në tri vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse, duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit ‘universitetet’ në Mitrovicë të Veriut”, ka thënë kjo ministri për Radion Evropa e Lirë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës kabërë të ditur se Petkoviq madje as nuk e kishte paralajmëruar vizitën në Kosovë, më 3 dhe 4 shtator.

“Bazuar në këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ia ka lejuar hyrjen në Kosovë për datat 3-4 shtator 2021 atij, teksa për pjesën tjetër të delegacionit e ka miratuar hyrjen”, ka thënë kjoministri.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka cilësuar të pabazë arsyetimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës për ndalimin e hyrjes së Petkoviqit në Kosovë.

Sipas kësaj zyrje, Petkoviq kishte planifikuar të qëndronte në Kosovë dy ditë. Ai do të vizitonte disa biznese, ku, siç thuhet, “shteti i Serbisë ka siguruar vende të reja pune”, si edhe për disa familje serbe që jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë paralajmëroi se ndalesat e vizitave të autoriteteve serbe në Kosovë do të jenë pjesë e bisedimeve që do të zhvillohen në kuadrin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, në Bruksel.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, më 2011, kishin arritur edhe një marrëveshje për vizitat zyrtare, ku thuhet se palët duhet ta njoftojnë njëra-tjetrën për vizitat në shtetet përkatëse.

(r.m.)

Comment

*