Iftari virtual bashkon muslimanët dhe hebrenjtë në SHBA

Los Anxhelos, Kaliforni, 2 maj 2021 – Çdo ditë tëmuajit të Ramazanit, në perëndim të diellit, kur vjen koha e Iftarit, besimtarët muslimanë hanë darkë dhe vazhdojnë lutjet e muajit të shenjtë.

Në këtë Ramazan, disa qytetarë në Los Anxhelos të Kalifornisë, po organizojnë një iftar jo të zakonshëm, një iftar virtual, thotë një besimtar mysliman.

“Ne e thirrëm ezanin nga tri sinagoga të ndryshme në Los Anxhelos. E para, mendova se ishte diçka e bukur dhe e fuqishme. Së dyti, shprehte unitetin tonë dhe faktin se të gjithë jemi një komunitet i përbashlët”, tha Adam Fakhri nga organizata „New Ground“.

Iftari virtual u mundësua nga organizata NewGround: Partneriteti mysliman-hebre për ndryshim. Në hapje, e mbajti një fjalim kryetarit i bashkisë së Los Anxhelosit, Eric Garcetti.

Aktiviteti përfshinte vizitë virtuale në kuzhinën e një imami dhe të gruas së tij, ku po përgatisnin ushqimet e tyre të preferuara, si edhe një vizitë në kuzhinën e një rabineje dhe bashkëshortit të saj, gjatë përgatitjes së ushqimeve të tyre të preferuara.

Pjesëmarrësit thonë se Iftari dhe Ramazani nuk lidhen vetëm me ushqimin dhe me agjerimin.

“Disa nga mesazhet janë sakrifica, durimi, humanizmi”, tha zoti Fakhri nga Organziata “New Ground”.

Dhe forcimi i lidhjeve me të tjerët, duke përfshirë edhe ata të besimeve tjera, thotë një pjesëmarrës hebre.

“Fillimsht përqëndrohemi tek marrëdhëniet mes nesh, duke treguar histori personale që lidhen me identitetin tonë“, tha David Weiner, pjesëmarrës.

Pjesëmarrësit thonë se respekti për një traditë të ndryshme dhe ndarja e momenteve personale ndihmojnë për kapërcimin e hendekut mbi çështjet përçarëse, si problemet mes palestinezëve dhe izraelitëve që shpesh ndajnë hebrenjtë dhe myslimanët.

“Gjithashtu më ka pasuruar fjalorin dhe aftësitë për t’u shprehur kur bëj biseda të vështira”, thotë zoti Weinder.

Ndërveprimet në kremtime të tilla, qofshin virtuale ose fizike, i mësojnë pjesëmarrësit të dëgjojnë të tjerët.

“Mund të biesh dakord ose të mos pajtohesh me të tjerët në shumë raste. Kjo është pjesë e procesit për të kuptuar njëri-tjetrin duke qenë në gjendje ta shohësh problemin me sytë e tjetrit,” tha pjesëmarrësi Adam Fakhri.

Ata thonë se kjo qasje është e dobishme për të gjithë njerëzit, pavarësisht prejardhjes ose përkatësisë fetare.

(Zëri i Amerikës)