Ikin edhe trupat e fundit – SHBA lë Afganistanin pas gati 20 vitesh

Shumë shtetas amerikanë dhe disa mijëra ish-punëtorë e bashkëpunëtorë afganë që kanë ndihmuar praninë amerikanë nuk kanë arritur të largohen nga vendi

Nga Ruben Avxhiu

Një avion ushtarak amerikan me trupat e fundit amerikane ka lënë Afganistanin, pak minuta më parë, në orën 10:30 të Neë York-ut.

Ky largim i jep fund pranisë 20-vjeçare amerikane dhe të NATO-s në këtë vend të Azisë Qendrore.

Ikja përfundon pak përpara, 31 gushtit, afatit të fundit të caktuar nga bisedimet me Talebanët që tani kanë marrë në kontroll Afganistanin.

Ky largim kurorëzon një evakuim plot probleme, që ka sjellë shumë kritika për Administratën e Presidentit Joe Biden. Edhe kështu, shumë amerikanë dhe disa mijëra ish-punëtorë e bashkëpunëtorë afganë që kanë ndihmuar praninë amerikanë nuk kanë arritur të largohen nga vendi.

Fati i tyre do të varet nga niveli i bashkëpunimit me regjimin e ri të talebanëve.

SHBA dhe NATO çliruan Afganistanin nga talebanët, pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, 2001, të organizuara nga Al Kaeda, udhëheqja e të cilës ndodhej e strehuar në këtë vend. Talebanët refuzuan kërkesën amerikane për të dorëzuar Osama ben Ladenin dhe udhëheqës të tjerë terroristë të Al Kaedës.

SHBA dhe NATO vendosën në Afganistan një qeveri bashkëpunimi dhe investuan shumë për të ndërtuar një demokraci funksionale dhe një shtet të qendrueshëm. Këto përpjekje u mbyllën me dështim 20 vjet më vonë.

Tani talebanët janë përsëri në pushtet. Ndonëse disa vëzhgues thonë se pavarësisht nga pikëpamjet ekstreme, kësaj here regjimi i ri do të jetë më bashkëpunues me komunitetin ndërkombëtar, frika është e madhe se Afganistani do të bjerë përsëri pre e një diktature të tmerrshme që do të strehojë përsëri terroristë.

Një test i parë për Emiratin Islamik të Afganistanit, si e quajnë tani shtetin e tyre talebanët, do të jetë trajtimi i amerikanëve, të huajve dhe miqve e bashkëpunëtorëve të tyre afganë që kanë mbetur ende në vend.