IKU 91-VJEÇARI QË NUK U PLAK KURRË

Duke ngritur flamurin në festën e 28 Nëntorit në Boston.
 
Sejfi Protopapa jepej me pasion mbresëlënës ndaj çdo kauze që përqafonte
 
 
 
Nuk besoj që ekziston dikush që ta ketë takuar Sejfi Protopapën dhe pastaj ta ketë harruar. Mund ta pëlqeje ose jo, të ishe ose jo dakord me të, ta doje apo ta urreje, po ishte e pamundur të mos të të bënte përshtypje e ta harroje si njeri.
Nuk pretendoj të hyj ndopak ndër ata që e njihnin shumë mirë, po çdo bisedë, takim apo shkëmbim me të ka qenë një përvojë më vete. Sidomos dekadat e fundit, kur të habiste me rininë e gjallërinë e tij. Njeriu kishte ardhur në këtë botë gati gjysëmshekulli para meje po ishte më i hedhur e më dinamik se unë.
Njëherë në mesin e dhjetëvjeçarit të kaluar më tregoi se kishte ruajtur çdo kopje të gazetës “Illyria” që nga numri i parë. Na pyeti nëse na nevojitej arkivi i plotë. Në fakt, një pjesë e arkivit ishte dëmtuar në selinë e mëparshme të gazetës dhe botuesi Vehbi Bajrami ofroi të paguante për transportin e arkivit që mbante Sejfi Protopapa deri në Manhattan. Tërësisht në natyrën e tij, Sejfiu jo vetëm kundërshtoi, po i dha vetë makinës deri në New York dhe mbajti vetë një pjesë të peshës për transportimin e stivave me numrat e gazetës në vitet e para të saj. Gati dy dekada histori të shtypit shqiptaro-amerikan, të ruajtura me kujdes e merak.
Sejfiu ishte vetë autor i shumë shkrimeve të botuara të “Illyria”. Opinionist i flaktë e me pikëpamje të qarta e të prera, të cilat nuk druhej kurrë që t’i artikulonte, ai kishte fituar shpesh admirimin e disa dhe inatin e disa të tjerëve.
Protopapa ishte një antikomunist i vendosur, që pasi kishte mbaruar me sukses studimet në Itali ishte kthyer në Shqipëri për të marrë pjesë në luftën nacional-çlirimtare. Aty u bashkua me Ballin Kombëtar dhe ruante vetëm zhgënjimet dhe pakënaqësi për atë që e shihte si tradhëti të partizanëve komunistë ndaj atdheut.
Një personazh i Dritëro Agollit me emrin Sali Protopapa i bërë famëkeq më shumë nga interpretimi pasionant në filmin e realizuar sesa nga pena e shkrimtarit, i parapriu si hije figurës së Sejfi Protopapës në Shqipërinë e paskomunizmit. Rrallë gjen ndonjë shqiptaro-amerikan që është paragjykuar aq shumë sa ai në vendin që e donte as shumë.
Por, Sejfi Protopapa dhe Sali Protopapa nuk janë i njëjti person as nuk ngjajnë, për këdo që e ka njohur Sejfiun dhe ka parë filmin.
Sejfiu nuk ia fali asnjëherë Dritëroit personazhin që krijoi jo sepse njerëzit e lidhnin me të, po sipas tij për mungesën e ndjeshmërisë për fëmijët e fisit Protopapa që për shkak të mbiemrit të personazhit në Shqipëri kishin kaluar një fëmijëri të mbushur me tallje e fyerje ndërsa familjet e tyre ishin shenjuar më shumë se shumë të tjera si figura përfaqësuese të kundërshtarëve të regjimit.
Në fakt, roli i Sejfi Protopapës në luftë nuk ka qenë kyç, mirëpo pavarësisht nga kjo ai kishte qenë mjaft aktiv e vokal sa nuk është vështirë të merret me mend se çfarë do të kishte ngjarë nëse nuk do të ishte larguar nga Shqipëria në 1944. Protopapa tregonte se ishte i pari ballist që i kishte rënë në dorë një kopje e urdhërit të Enver Hoxhës për të luftuar me armë Ballin Kombëtar. Me nënshkrimin Shpati, diktatori i ardhshëm kishte sanksionuar fillimin praktikisht të luftës civile në Shqipëri.
Sejfiu u vendos në SHBA dhe ishte deri në fund shumë pasionant kundër komunizmit si pak kush edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan. Në vitin 1991, mes një grupi të angazhuar shumë në politikën e opozitës së parë shqiptare, vizitën e parë kur mbërritëm në Washington e patëm pikërisht nga Sejfi Protopapa, në hotelin ku ishim vendosur.
Megjithë pasionin e tij kundër diktaturës prej të cilës ishte detyruar të linte Shqipërinë, Protopapa kishte një version mjaft esëll të ngjarjeve në Shqipëri në kohën e luftës. Pikëpamjet e tij në këtë drejtim ishin ndikuar edhe nga bashkëjetesa paqësore e komunistëve, nazistëve dhe ballistëve në Berat, qytetin e tij të lindjes, ku ngurrimi i të gjitha palëve për të sulmuar tjetrën dëshmuan periudhën e përkohshme dhe kalimtare që po jetonte Shqipëria në pritje për të filluar kapitullin e ri të historisë së saj.
Pas rënies së komunizmit, ai u dashurua pas një tjetër kauze kombëtare, atë të pavarësisë së Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Protopapa kishte jetuar në Massachusetts dhe ruante mbresa të jashtëzakonshme nga Fan Noli. Ai e shihte si detyrim ndaj shqiptaro-amerikanit të madh që të siguronte që në krye të Kishës shqiptare të ishte një shqiptar.
I angazhuar në ripërtëritjen e Kishës së Shën Gjergjit në Boston, Protopapa iu bashkua një grupi shqiptaro-amerikanësh që në vitin 1992 udhëtuan për në Shqipëri që të kundërshtonin vendosjen e Kryepeshkopit Anastasios në krye të kishës së rihapur ortodokse të Shqipërisë.
Përpjekja e tyre nuk pati sukses por askush prej tyre nuk e mori aq personalisht këtë kauzë sa Sejfi Protopapa. Për gati dhjetë vjet me radhë ai shpenzoi pasurinë personale për të financuar Kishën Shqiptare në Elbasan të Atë Nikolla Markut edhe kur u pa qartë se nisma nuk do të mbështetej as nga Patrikana e as nga shteti shqiptar.
Kauza e tretë që iu përkushtua pa lodhje e pa kursyer ishte ajo e pavarësisë së Kosovës. Në një rast pagoi 1,500 dollarë për të marrë me qira autobuzë që shqiptarët nga Massachusetts të protestonin mne bashkatdhetarët e tjerë përpara selisë së Kombeve të Bashkuara në New York.
Sejfi Protopapa e kishte vizituar Kosovën në vitin 1972 dhe më pas, ndonëse mbi 80 vjeç, nuk i rezistoi dot tundimit të udhëtimit për ta vizituar të lirë.
Fotografia shoqëruese këtu është duke ngritur flamurin në një nga veprimtaritë shqiptare në Boston, ku ishte pothuajse gjithmonë i pranishëm, e ku e kanë njohur më mirë e nga afër.
Sejfi Protopapa ishte punoi si inxhinier në SHBA në kompani shumë të njohura përfshi edhe NASA-n. Artikujt e tij shkencorë në fushën e aero-hapësirës, të teknologjisë së transportit etj gjenden në shumë katalogë dhe botime serioze amerikane.
Në lidhëzën më poshtë mund të gjeni përveç këtij shkrimi edhe një reportazh nga pyetje-përgjigje të tij me student shqiptarë dhe të amerikanë në Boston University, në 2007, botuar në gazetën “Illyria”, si dhe dy shkrime në shqip e në anglisht për gazetën “Illyria”, vetëm një pjesë e kontributit të tij pasionant e opinionist në vite.

Comment

*