Iku albanologu e dijetari amerikan Leonard Newmark

Rexhep ISMAJLI

Profesor Leonard Newmark (1929-2022) u ka bërë shërbime të rëndësishme shkencës dhe dijes, sidomos albanologjisë dhe studimeve për shqiptarët, miqësinë me të cilët e seliti për më shumë se 7 dekada. Vepra e tij shkencore e botuar mbetet gjithnjë e referuar në studimet albanologjike.

 

Me vonesë morëm vesh lajmin e hidhur të ndarjes nga kjo botë e studiuesit të shquar, gju¬hë¬tarit, njërit nga albanologët më të rëndësishëm amerikanë, një nga profesorët e shquar të Univer¬sitetit të Kalifornisë në San Diego, personalitet që dha ndihmesa të shumta për ndërtimin e kapa¬citeteve të Universitetit La Jolla, në veçanti të ngritjes së studimeve për gjuhët.

Profesor Leonard Newmark (Njumark) u nga nga kjo botë më 2 maj 2022 në moshën 93-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë Parkinson dhe pastaj të ndjekur nga dementia, më në fund e pë¬soi nga COVID-i. Në shënimet e La Jolla-s, Leonard Newmark cilësohej me tone të ngrohta vle¬rësimi shumë të lartë: “Shumë kanë komentuar duke thënë se Leonardi ishte më i zgjuari dhe per¬soni më kurioz që kishin takuar”; “Ai ishte njeri i Renesansës që rrallë ishte i kënaqur, sidomos me punën e tij. Ai i shtyri kufijtë e besimeve dhe metodologjive të parnuara përgjithësisht, duke sfi¬duar kështu status quo-në”.

Jeta dhe vepra

Leonard Newmark ishte fëmijë i një familjeje imigrantësh fshatarë. Shkollimin e nisi në Universitetin e Chicago-s në moshën 15-vjeçare, diplomën e parë e mori në moshën 18-vjeçare. Pastaj studioi gjuhësi në Universitetin Indiana dhe më 1954 iu bashkua Universitetit Shtetëror të Ohio-s, për t’u kthyer më vonë si profesor i asociuar në Universitetin Indiana. Më 1963 u ftua si profesor në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, ku themeloi Departamentin e gjuhësisë dhe drejtoi Programin Themelor Gjuhësor, Qendrën për Hulumtim në Nxënien e Gjuhëve dhe Programin Amerikan për Gjuhë dhe Kulturë. Kishte shoqërime të shumta me specialistë të fushave të ndryshme në dijet e sakta dhe në shkencat shoqërore, sidomos në fushën e muzikës. Universiteti i Harvardit e kishte ftuar dy herë për të kaluar atje, por lidhjet e tij me Universitetin e Kalifornisë e bënë të mos ikte atje. Gjurmët e tij në atë universitet janë të hetueshme dhe pasardhësit kanë dë¬shirë t’i pohojnë vazhdimisht. Fushat e tij të studimit ishin: nxënia e gjuhëve, historia e gjuhës angleze dhe studimet për shqipen.

Për merita të veçanta në fushën e studimeve albanologjike profesor Leonard Newmark në vitin 2000 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Leonard Newmark ka lënë prapa të shoqen Ruth dhe dy fëmijët, Katya dhe Mark.

This image has an empty alt attribute; its file name is Rexhep-Ismajli-Leonard-Newmark-e-Oda-Buchholz-ne-lan-te-pare-dhe-Abdyllatif-Arnauti-ne-prapavije-te-Burimi-i-Drinit-Kosove-1978.png

Rexhep Ismajli, Leonard Newmark e Oda Buchholz (në plan të parë), Abdyllatif Arnauti (në prapavijë), te Burimi i Drinit, Kosovë, 1978

Studimet për shqipen

Siç ka treguar dhe vetë në Parathënie të veprës së tij “Structural Grammar of Albanian” (1957), Leonard Newmarku kishte marrë kontakt me çështje të gramatikës së shqipes qysh në vitin 1951, kur kishte pasur mundësinë që në kuadër të përgatitjes për mësimin e shqipes në Pro¬gramin Air Force Language Training të Universitetit Indiana të bashkëpunonte me pesë folës të shqipes për tre vjet me radhë. Sa i përket vetë përshkrimit të gjuhës shqipe, ai kishte përzgjedhur të kufizohej tek e folmja e njërit prej tyre për të folmen e qytetit të Beratit, gjithë duke synuar evi¬¬timin e përzierjeve dialektore. Dhe nga ajo punë ai nxori librin e përmendur, që paraqet një për¬shkrim të gjerë të së folmes së Beratit, sipas modeleve të përshkrimeve strukturale të kohës në SHBA, por duke mëtuar kështu dhe një gramatikë të shqipes. Në studimet dialektologjike për shqi¬pen ka pasur dhe autorë të tjerë që janë marrë me të folmen e Beratit, kuptohet, me mënyra të tjera të punës. Kjo vepër e ruan vlerën e vet qoftë për modelin përshkrues, qoftë edhe për faktin se kemi mundësi të bëjmë krahasime për këtë të folme me rëndësi të arealit tosk në një kohë të caktuar.

Në vitet në vijim Newmarku është marrë me hartimin e teksteve për mësimin e shqipes në raste të ndryshme dhe për nevoja të ndryshme. Më 1982 bashkë me Philip Hubbardin dhe Peter Pri¬f¬tin te Stanford University Press të Universitetit të Kalifornisë në 343 faqe të formatit të madh botoi veprën “Standard Albanian. A reference Grammar for Students” (Shqipja standarde. Gramatikë referenciale për studentë). Qysh në mbështjellësin e librit ishte paralajmëruar se pas LDB-së ishin bërë përpjekje të ndryshme për të gjetur pajtimin rreth një varieteti të vetëm të shqipes për të shërbyer si gjuhë standarde, përpjekje që kishin rezultuar në botime të ndryshme, më në fund të Drejtshkrimit dhe të Gramatikës referenciale. Autorët kanë përzgjedhur të paraqisnin rezultatet e gramatikës së atillë qoftë në formë të përshtatur apo ndonjëherë edhe të përkthyer, kuptohet, gjithmonë përmes një terminologjie të afërt për studiuesit në gjuhën angleze. Në këtë mënyrë ata ia bënë të mundur lexuesit ndërkombëtar studimin e problematikave gramatikore të shqipes, gjithë duke qenë afër me përvojat dhe mënyrat e analizave të gramatologjisë shqipe. E këtillë kjo vepër i ndihmoi në shkallë të gjerë studimet në këto fusha dhe bashkë me Gramatikën e Akademisë, atë të O. Buchcholz-W. Fiedler gjermanisht dhe të Camajt të botuar anglisht, u bë vepër referimi gati e paevitueshëm. Luajti dhe një rol me rëndësi në përhapjen e shqipes standarde në qarqet përkatëse.

Për qëllime të nxënies së gjuhës shqipe, L. Newmark bashkë me bashkëpunëtorët e tij botuan “Spoken Albanian”, Ithaca 1980 dhe “Readings in Albanian”, Washington 1908 (1600 f.). Ka hartuar dhe tekste të tjera për nevoja të ndryshme (e kam të gjallë kujtimin nga vitit 1999 kur ai e bënte gati fjalorin me shprehje gegnisht).

Në vitet ‘80 ai e nisi projektin e madh të Fjalorit Shqip-Anglisht, të cilin e botoi si Oxford “Al¬ba¬nian-English Dictionary” (The most comprehensive dictionary of twentieth-century Albanain. Includes standard and non-standard Albanian), me 978 f. me shkronja të imëta në dy shtylla me 40-50 hyrje në çdo shtyllë. Ky fjalor e çoi në një shkallë tjetër përhapjen dhe përdorimin e shqipes në rrafshet ndërkombëtare. Me të autori u ka bërë një shërbim të madh përhapjes së shqipes dhe përdoruesve që kanë nevojë të konsultojnë tekste shqip në mbarë botën. Me sa kam informacione, profesor Newmark e ka skicuar dhe për një pjesë elaboruar dhe Fjalorin Anglisht-Shqip.

Profesor Leonard Newmark ka qenë pjesëmarrës në veprimtari të ndryshme shkencore për shqipen dhe shqiptarët. Para viteve ‘90 të sh. XX ka qenë pjesëmarrës i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, ndërsa në vitin 2000 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kolegët nga mbarë bota dhe miqtë e atëhershëm në Prishtinë i kujtojnë me mall gjallërinë, afërsinë dhe ngrohtësinë e bisedave me pro¬fesor Newmarkun.

Profesor Leonard Newmark u ka bërë shërbime të rëndësishme shkencës dhe dijes, sidomos albanologjisë dhe studimeve për shqiptarët, miqësinë me të cilët e seliti për më shumë se 7 dekada. Vepra e tij shkencore e botuar mbetet gjithnjë e referuar në studimet albanologjike.