Ilhan Omar përjashtohet nga Komisioni për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve

Uashington, 2 shkurt 2023 – Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve përjashtuan të enjten demokraten Ilhan Omar nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë, si pasojë e komenteve të saj të kritikuara gjerësisht si antisemite.

Republikanët që tani kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve e morën këtë masë, dy vjet pasi demokratët përjashtuan dy republikanë nga komisioni.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi 218-211 sipas linjave partiake për ta përjashtuar zonjën Omar nga Komisioni i profilit të lartë i Punëve të Jashtme. Republikanët përmendën si argument komentet e vitit 2019 të zonjës Omar, për të cilat ajo më vonë kërkoi falje. Një republikan votoi “i pranishëm”.

Anëtarja demokrate e Kongresit, që ka ardhur në Shtetet e Bashkuara si refugjate nga Somalia, është e vetmja anëtare e Kongresit me origjinë afrikane dhe një nga të paktat gra myslimane në Dhomë. Ajo pritej të bëhej demokratja më e lartë në nënkomisionin e punëve të jashtme për Afrikën.

Menjëherë pas votimit, udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries njoftoi se ai synon ta emërojë zonjën Omar në Komisionin për Buxhetin ku ai tha se “ajo do të mbrojë vlerat demokratike kundër ekstremizmit të krahut të djathtë”.

Republikanët, të cilët fituan një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit pas vitesh në pakicë, thanë se donin që zonja Omar të përjashtohej nga Komisioni për Punët e Jashtme për deklarata që përfshinin një postim në Twitter të vitit 2019, ku ajo sugjeronte se përkrahësit e Izraelit në politikën amerikane, ishin të motivuar nga paratë dhe jo nga parimet.

Gjatë seancës, republikani Mike Lawler tha: “Fjalët, retorika kanë rëndësi. Ato kanë pasoja. Ligjvënësja po mbahet përgjegjëse për fjalët dhe veprimet e saj.”

Zonja Omar dhe demokratë të tjerë thanë se komentet ishte bërë vite më parë dhe se zonja Omar i kishte fshirë postimet dhe kishte kërkuar falje në atë kohë.

Momente përpara se Dhoma ta përjashtonte atë nga komisioni, ligjvënësja Omar sfidues tha: “Udhëheqja dhe zëri im nuk do të dobësohen nëse nuk jam në këtë komision. Zëri im do të bëhet gjithnjë e më i fortë.”

Zonja Omar ka thënë në të kaluarën se forcat amerikane dhe ato të vendeve të tjera duhet të konsiderohen me të njëjtat standarde përgjegjësie kur veprimet e tyre lëndojnë ose vrasin civilë.

Përjashtimi, i udhëhequr nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, u konsiderua nga demokratët si hakmarrje për votën e tyre në vitin 2021 për të përjashtuar republikanët Marjorie Taylor Greene dhe Paul Gosar nga detyrat e tyre në komisione pas komenteve acaruese.

Në vitin 2021, zonja Greene kishte krahasuar detyrimet për maskat dhe vaksinimet për COVID-19 me Holokaustin ku u vranë 6 milionë hebrenj. Ajo më në fund kërkoi falje. Përpara zgjedhjes së saj në Kongres në vitin 2020, ajo kishte përhapur teori konspirative të pabazuara, përfshirë pretendime antisemitike.

Zoti Gosar kishte postuar një video në mediat sociale ku ai shfaqej duke simuluar vrasjen e anëtares demokrate të Dhomës, Alexandria Ocasio-Cortez.

Para votimit të së enjtes, zoti Jeffries u tha gazetarëve se demokratët i kishin dënuar komentet e zonjës Omar.

“Ajo u vu para përgjegjësisë, ka kërkuar falje. Ajo ka treguar se ka mësuar nga gabimet e saj” dhe ka bërë përpjekje për të “ndërtuar ura” me komunitetin hebre. “Kjo nuk ka të bëjë me përgjegjësinë. Ka të bëjë me hakmarrje politike.”

Në janar, zoti McCarthy bllokoi emërimin e demokratëve Adam Schiff dhe Eric Swalwell në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. Të dy ata kishin luajtur role kryesore në procesin kundër ish-presidentit republikan Donald Trump.

(Zëri i Amerikës)