Inaugurimi i presidentit Barack Obama

Disa qindra mijëra njerëz u mblodhën dje në lëndinën qëndrore të kryeqytetit për të marrë pjesë në inaugurimin publik të presidentit Barack Obama për mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Obama e nisi ditën me një shërbesë në kishë në mëngjes.
Gati 800 mijë njerëz është një numër i vogël krahasuar me 2 milion njerëz që erdhën për të pare ceremoninë e betimit të presidentit të parë afrikano-amerikan.
Presidenti Obama bëri betimin zyrtar të dielën pasi kushtetuta amerikane kërkon që presidenti të bëjë betimin më 20 janar. Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts drejtoi betimin, ashtu si edhe katër vjet më parë.
Ai e ribëri betimin sot duke përdorur dy Bibla historike – një të presidentit Abraham Lincoln, dhe atë të udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King Jr., i cili u vra në vitin 1968.
Presidenti dhe zv/presidenti vunë një kurrorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezet Kombëtare në Arlington për të nderuar të rënët e ushtrisë amerikane.
Inaugurimi i djeshëm përkoi me festën federale që shënon ditëlindjen e Martin Luther Kingut.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson, informoi për aktivitetet para ceremonisë së djeshme në parkun kombëtar të Uashingtonit, ku do të zhvillohet ceremonia publike e inaugurimit në praninë e qindra mijëra njerëzve.
Përpara ndërtesës së Kapitol Hillit, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhon Roberts administroi berimin e presidentit ndërsa anëtarja e parë hispanike e Gjykatës së Lartë, Sonja Sotomajor, betimin e zv/presidentit Biden.
Ky vit shënon gjithashtu edhe 50 vjetorin e marshimit të të drejtave të njeriut në Washington në vitin 1963 dhe 150 vjetorin e Proklamatës së Emancipimit të Presidentit Abraham Lincoln që shënoi fillimin e procesit të lirimit të skllevërve në Amerikë.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë muzikantë si James Taylor, Kelly Clarkson, dhe Beyonce, ndërsa poeti kubano-amerikan, Rikard Blanko lexoi një poemë.
Barack Obama dhe Joseph Biden morën pjesë pas betimit në drekën tradicionale në Kapitol dhe pastaj ndoqën paradën e inaugurimit nga tribuna e ngritur para Shtëpisë së Bardhë. Më tej morën pjesë në dy ballo festive.

Obama: Vendi ka nevojë t’u përshtatet sfidave të reja

Në fjalimin e tij të inaugurimit, Presidenti u bëri thirrje amerikanëve të lenë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e vendit.
“Ne nuk mund t’i vëmë absolutizmit emër të gabuar duke e quajtur parim, nuk mund ta zëvendësojmë politikën me spektaklin dhe as t’i trajtojmë sharjet sikur të ishin një debat i arsyeshëm. Ne duhet të veprojmë. Duhet të veprojmë, duke e ditur se puna jonë nuk do të jetë e përsosur.”
Në fjalimin e tij, Presidenti Obama foli mbi të drejtat që sanksionon Kushtetuta amerikane “për jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë”. Por ai tha se vendi ka nevojë t’u përshtatet sfidave të reja, në mënyrë që çdo qytetar të mund të jetojë në siguri dhe dinjitet.
“Ne, populli, ende besojmë se çdo qytetar meriton një siguri dhe një dinjitet bazë. Ne duhet të bëjmë një zgjedhje të vështirë për të pakësuar koston e kujdesit shëndetësor dhe për të ulur deficitin. Por ne jemi kundër teorisë se Amerika duhet të zgjedhë mes kujdesit për brezin i cili e ndërtoi këtë vend dhe investimit për brezin që do të ndërtojë të ardhmen e vendit.”
Zoti Obama tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se një paqe e qëndrueshme në botë kërkon luftë të përjetshme.
“Ne, populli, ende besojmë se siguria dhe paqja e qëndrueshme nuk kërkojnë luftë të përjetshme. Burrave dhe grave trime në uniformë, të kalitur në flakët e betejave, nuk ua kalon kush për aftësitë dhe guximin. Qytetarët tanë, që e kanë përherë në mendje kujtimin e atyre që kanë humbur, e dinë mirë çmimin që është paguar për lirinë.”
Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin demokracinë kudo në botë.
“Amerika do të mbetet spiranca e aleancave të forta në çdo cep të globit; ne do t’i përtërijmë ato institucione që rrisin aftësitë tona për të menaxhuar krizat jashtë vendit, sepse askush nuk ka më shumë interes në një botë paqësore se sa vendi më i fuqishëm i saj. Ne do të mbështesim demokracinë nga Azia në Afrikë, nga Kontinenti Amerikan në Lindjen e Mesme’ sepse interesat tona dhe ndërgjegja jonë na detyrojnë të veprojmë në emër të atyre që e ëndërrojnë lirinë.”
Zyrtarisht, presidenti e bëri betimin të dielën me një ceremoni private, bazuar mbi kërkesën e Kushtetutës që përcakton se mandatet presidenciale marrin fund më 20 janar.
Ai e përsëriti betimin publikisht, duke premtuar se “do të bëjë ç’të mundet për të ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.

Amerika 2013, një përzjerjeje të optimizmit dhe pesimizmit

Presidenti Obama fillon mandatin e tij të dytë mes një përzjerjeje të optimizmit dhe pesimizmit për ekonominë dhe aftësinë e udhëheqësve për të lënë mënjanë përplasjet partiake dhe për t’u përqendruar në krijimin e vendeve të reja të punës dhe zgjidhjen e problemeve fiskale.
Miratimi për punën e vetë presidentit dhe për të si person është i lartë. Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve janë optimistë për mandatin e tij të dytë. Por më pak se gjysma besojnë Presidenti Obama dhe republikanët do të jenë në gjendje të punojnë sëbashku.
Xhon Hudak është ekspert i qeverisjes në Institutin Brookings: “Zgjidhja më e mirë tani është çfardo që ai të realizojë nëpërmjet Kongresit dhe që është i predispozuar të nënshkruajë. Sa më shumë që ai të bashkëpunojë me Kongresin sipas konceptit të marrëdhënieve ekzekutiv – legjislativ, aq më e dobi prurëse do të jetë në trajtimin e problemeve që ne kemi”.
Motoja zyrtare e inaugurimit të dytë të zotit Obama është “populli ynë, e ardhmja jonë”. Hollësitë për fjalimin e tij të sotëm nuk dihen. Ndihmësit e tij thanë se ai vazhdon të bëjë ndryshime në fjalimin e tij.
Rreth tri javë e ndajnë fjalimin e inaugurimit të Presidentit Obmaa sot dhe atë për gjendjen e vendit që do të mbajë më 12 shkurt.
Ai do të parashtojë në atë fjalim objektiva specifike të politikës së tij për mandatin e dytë, duke u përqendruar tek ekonomia, reforma e imigracionit, ligjet e reja për kontrollin e armëve dhe vazhdimi i tërheqjes së trupave luftarake amerikane nga Afganistani. (VOA)

BOX
Historia e Inaugurimeve

Ndërsa vendi shkon drej një katër vjeçari tjetër nën administratën Obama, një grup historianësh i hedh një vështrim të kaluarës dhe e lidh atë me çfarë po ndodh tani në Shtetet e Bashkuara. Ja se si një program në radio përdor një stil të veçantë për të shpjeguar inaugurimet presidenciale amerikane:
Një fotografi me një president amerikan është një kujtim i çmuar. Por ç’mund të thuash për një me katër presidentë që jetuan gati 200 vjet më parë.
George Washingtoni bëri inaugurimin e parë: “Unë nuk doja të bëhesha president por shkova në Nju Jork në vitin 1787 për t’i shërbyer popullit tim.”
Theodore Roosevelti, që mori detyrën në fillim të shekullit të 20, ishte një president energjik: “Inaugurimi im ishte i veçantë. Në paradë morën pjesë 35 mijë amerikanë nga të gjitha prejardhjet. Përpara kësaj pata një drekë me 200 miq të ngushtë dhe mbajta një fjalim që zgjati vetëm 6 minuta.”
Këta improvizues presidencialë entuziazmuan turmën përpara një transmetimi të drejtpërdrejtë në radio, që sjell detaje nga inaugurimet e presidentëve amerikanë në vite.
Ed Ayers dhe dy ekspertë thonë se historia është plot surpriza – dhe inaugurimet reflektojnë atë që po ndodh në vend.
Ata përshkruan inaugurimin e Andreë Jacksonit në vitin 1829, kur mijëra vetë të alkoolizuar nga mbrëmjet e organizuara bënë rrëmujë në Shtëpinë e Bardhë për të festuar zgjedhjen e një gjenerali shumë popullor: “Andreë Jackson u ndje aq i turpëruar, saqë u largua me disa miq për të darkuar diku.”
Rutherford B. Hayes e bëri betimin fshehurazi një ditë më parë, në mënyrë që kundërshtari i tij Samuel Tilden të mos mund të sfidonte rezultatin e ngushtë të zgjedhjeve: “Në historinë amerikane fiton dhe pastaj ecën përpara.”
Të ftuarit në studio iu përgjigjën pyetjeve përfshirë një nga India që pyet – a merr partia politike e presidentit më shumë mbështetje nga inaugurimi? Përgjigja është jo, por… “inaugurimi vendos tonin për administratën.”
Në vitin 1933, Presidenti Franklin Delano Roosevelt vendosi tonin e vendosmërisë, megjithëse vendi ishte në depresion me një nivel papunësie prej 25 përqindësh. Historianët thonë se çdo fjalim inaugurimi përqëndrohet tek një nga dilemat me të cilat ndeshet vendi: “Çfarë krize po jetojmë – çfarë shoh në të ardhmen?”
(VOA)