INSTAT: Bie numri i nxënësve dhe studentëve në Shqipëri

Tiranë, 5 gusht 2022 – Në Shqipëri, numri i nxënësve dhe stundentëve në 1.000 banorë ka pësuar rënie, në krahasim me vitet e shkuara.

Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) gjatë vitit 2022 ka pasur 136 nxënës dhe 44 studentë për 1.000 banorë, ndërsa 5 vite më parë ky raport ishte 153 nxënës dhe 46 studentë për 1.000 banorë.

Rënia më e madhe ndihet në arsimin parauniversitar, e arsyeja kryesore, sipas INSTAT, është se të rinjtë preferojnë të studiojnë jashtë vendit, por që ndikon gjithashtu edhe plakja e popullsisë.

Shkaktar tjetër i uljes së regjistrimeve në institucionet arsimore është edhe pandemia, e cila ka ndikuar në rënien e numrit të të diplomuarve.

Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se gratë janë më të arsimuara se burrat. Sipas Anketës së Forcave të Punës të vitit 2020, me arsim të detyruar (arsimi 8/9 vjeçar) janë 54,0 % e grave dhe 43,8 % e burrave, ndërsa me arsim të lartë janë 18,9 % e grave dhe 16,6 % e burrave për popullsinë mbi 25 vjeç.

Por, shifrat përmbysen për popullsinë mbi 65 vjeç, ku vetëm 6,1 % e grave në këtë grupmoshë kanë arsim të lartë, kundrejt 14,4 % e burrave.

Nga ana tjetër diferencat gjinore vihen re edhe për arsimin fillor, ku rezulton se 75,4 % e popullsisë së grave mbi 65 vjeç është me arsim bazë, kundrejt 55,7 % e burrave.

(Top Channel)