Institucionet dhe ambasadat merren në mbrojtje nga ushtria dhe policia

Denion Ndrenika
Ministria e Mbrojtjes dhe ministria e Brendshme në Shqipëri vendosën të marrin në ruajtje me efektivat e ushtrisë dhe policisë të gjithë objektet e rëndësisë së veçantë dhe selitë e ambasadave. Ushtria do të marrë në ruajtje institucionet shtetërore dhe të trupit diplomatik që janë 100 në të gjithë Shqipërinë. Marrja në mbrojtje nga ushtria dhe policia bëhet në kuadër të masave të përgjithshme të sigurisë në periudhën zgjedhore. Në këto institucione përfshihen drejtoritë, komisariatet dhe ndërtesat policore, ambasadat, rezidencave diplomatike, qeveritare, gjykatat, sektorët strategjikë megjithë energjetikën (HEC-et).
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj shpërndau një urdhëresë për të njoftuar se që nga ora lokale e Shqipërisë 14:00 e datës 20 qershor, deri në 25 qershor objektet e rëndësishme shtetërore dhe ambasadat do të merren në mbrojtje nga efektivat “Komando” dhe forcat e ushtrisë. Zoti Burgaj e nxorri urdhërin menjëherë pas takimit të përfaqësuesve të rendit, ushtrisë dhe sigurisë që u zhvillua të enjten, dje në mesditë.
Efektivat e policive private do të zëvendësohen nga një mijë trupa më shumë se në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, por sepse janë 700 objekte më shumë se atëherë që duhen ruajtur. Në urdhërin e drejtorit Burgaj thuhet se për procesin zgjedhor është shtuar numri i Objekteve të Vendeve të Numërimit të Votave, si dhe Qendrave të Votimit me rreth 700 objekte më tepër se në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore maj 2011. “Ruajtja dhe sigurimi i tyre kërkon angazhimin e rreth 1000 punonjësve të policisë, për këtë lindi si domosdoshmëri angazhimi me këto detyra i personelit policor të strukturave të Objekteve që merret në mënyrë të drejtpërdrejtë me ruajtjen e Objekteve të Rëndësishme Shtetërore. Dorëzimi i objekteve nga Drejtoritë e Policisë në Qarqe dhe Komisariatet e Policisë në Rrethe dhe marrja në ruajtje nga strukturat e forcave të armatosura do të fillojë rreth orës 14.00’ të ditës së sotme, datë 20.06.2013. Ruajtja e objekteve të rëndësishme shtetërore dhe të trupit diplomatik nga efektivat e Forcave të Armatosura do të kryhet deri me datë 25.06.2013”-thuhet në urdhër.
Sipas të njejtit urdhër të zotit Burgaj, jepet porosia për të gjithë drejtuesit e strukturave vendore të policisë për të mbajtur kontakte të vazhdueshme dhe të bashkëpunojnë me efektivat e Forcave të Armatosura që do të sigurojnë këto objekte, me qëllim “garantimin e plotë të ruajtjes së tyre gjatë periudhës 20-25 qershor 2013”.