Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako lirohet nga paraburgimi, sepse “ka fëmijë të mitur”

Tiranë, 6 tetor 2022Gjashtë muaj pas arrestimit për korrupsion dhe shpërdorim detyre me aferën e inceneratorëve, Gjykata e Posaçme vendosi ta dërgojë në arrest shtëpie ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa SPAK thotë se “nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar”.

Gjyqtarja Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të enjten të lirojë nga qelia ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion në aferën e inceneratorit të Fierit.

Sipas koordinatores për mediat në Gjykatën e Posaçme, Dinora Aleksi, gjyqtarja Irena Gjoka pranoi kërkesën e Bllakos dhe e zëvendësoi masën e tij të sigurisë nga arresti me burg në arrest shtëpie.

Gjykata e Posaçme nuk dha detaje lidhur me shkaqet e vlerësuara nga Gjoka, por sipas avokatit të Bllakos, Sokol Hazizaj, kërkesa e lirimit nga qelia u bazua mbi faktin se klienti i tij është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët “kanë nevojë për kujdesin e tij”.

Vendimi u kundërshtua nga Prokuroria e Posaçme SPAK, e cila e konsideroi të pamjaftueshëm shkakun e ngritur për lirimin e Bllakos nga qelia.

“SPAK ka qenë kundër lirimit në gjykatë, sepse nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar. Do bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit,” njoftoi të enjten koordinatorja e SPAK për marrëdhëniet me median, Xhuljeta Krasta.

Alqi Bllako u vetëdorëzua në polici më 1 prill të këtij viti, pasi Gjykata e Posaçme caktoi më parë masën e “arrestit me burg” pas hetimit për kontratën koncesionare të Fierit me një vlerë të përllogaritur në 28 milionë euro.

SPAK e akuzon Bllakon se ka marrë përfitime të paligjshme nga kompanitë koncensionare të ndërtimit të inceneratorëve, ndërsa ka favorizuar këto kompani gjatë kohës që ushtronte detyrat shtetërore si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas në funksionin e “Autoritetit Kontraktues”, si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.

Së bashku me Bllakon, SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj 9 zyrtarëve të tjerë të lidhur me procedurat e koncesionit për inceneratorin e Fierit, përfshi edhe ish-Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka i cili gjendet në burg që prej dhjetorit 2021.

Sipas SPAK, Bllako ka falsifikuar të dhënat për tokën mbi të cilën është ndërtuar inceneratori i Fierit, duke i ndryshuar kartelën nga “tokë arë” në “tokë truall”, gjë që ka çuar në një rritje të kostos së shpronësimit me 16 milionë lekë. Ish-deputeti i PS-së akuzohet gjithashtu se ka përfituar padrejtësisht me anë të punësimit të babait të tij, Edmond Bllako, pranë kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” të inceneratorit të Tiranës.

Ndërkohë, një shumë prej 146 milionë lekësh dyshohet se ka përfunduar në xhepat e familjarëve të ish-ministrit Lefter Koka, i dyshuar për përfitime të ngjashme nga koncesioni i inceneratorit të Elbasanit.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka dhënë tre kontrata koncesionare për ndërtimin e incineratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, te një grup kompanish të lidhura me njëra-tjetrën, nën pronësinë e personave pa eksperiencë të mëparshme në këtë fushë. Koncesioni i parë, inceneratori i Elbasanit, u sekuestrua nga prokuroria dhjetorin e kaluar, pak ditë para se kompania t’i transferohej Bashkisë së Elbasanit me përfundimin e kontratës së koncesionit. Më vonë u vendos nën sekuestro preventive edhe kompania e inceneratorit të Fierit, kontrata për të cilën ishte pranë përfundimit.

Lidhur me këto afera korruptive, SPAK ka kërkuar gjithashtu arrestimin e Stela Gugalles, e cila është pronarja e kompanisë “Albtek Energy” si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë Integrated Technology Services, por këta të fundit nuk janë arrestuar ende nga policia. Mbi të dyshuarit rëndojnë akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave.

(Reporter.al)