Ish-efektivi Xhelal Reçi u ekzekutua nga vrasës me pagesë

Tiranë, 4 nëntor 2021 – Hetimet për vrasjen e Xhelal Reçit kanë forcuar dyshimet se ish-polici u ekzekutua nga vrasës me pagesë, ndërsa krimi mund të jetë pasojë e konflikteve të të birit, Besnik Reçi.

Ky i fundit mësohet se ka qenë i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale të ndodhura në Fier, Durrës dhe Lezhë. Burimet thonë se ai ka qenë disa herë i shoqëruar dhe është marrë në pyetje, por blutë nuk kanë arritur të provojnë kurrë përfshirjen e tij në krime, ndaj ishte lënë i lirë. Përfshirja në grupe dhe ngjarje kriminale dyshohet se ishte shkak edhe i atentatit që Besnik Reçit i bënë në gusht të vitit të kaluar në Shëngjin, ku ai u sulmua me armë zjarri në kohën kur në makinë ishte me gruan e fëmijët e mitur.

Personat me të cilët mendohet të ketë konflikte Besnik Reçi janë marrë në pyetje nga hetuesit, por janë lënë sërish të lirë, pasi për asnjërin prej tyre nuk është arritur të provohet se mund të ketë lidhje me ngjarjen. Vrasja e Xhelal Reçit u filmua nga një kamerë sigurie, por pamjet nuk kanë ndihmuar në identifikimin e autorëve, të cilët mbanin në kokë kapele dhe mbulonin fytyrën me maskë anti-Covid.

Mënyra e veprimit dhe fakti që ata nuk lanë gjurmë as në vendngjarje dhe as në makinën që përdorën për krimin ka forcuar dyshimet e grupit hetimor se kanë të bëjnë me vrasës të paguar dhe një ngjarje të mirorganizuar. Hetuesit mendojnë se ekzekutorët e ish-policit mund të jenë nga Fieri, zonë në të cilën ishte vjedhur edhe makina që ata përdorën për vrasjen.

Në vendin ku dogjën makinën në afërsi të lumit Mat në Milot, autorët besohet se priteshin nga një tjetër mjet dhe nga aty kanë udhëtuar në drejtim të Shkodrës. Për të zbuluar lëvizjet para dhe pas vrasjes, Policia mësohet se ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në biznese përgjatë autostradës. Prej së hënës në Kurbin kanë zbarkuar Forcat Speciale të Policisë së Shtetit që në tri ditë kanë ushtruar kontrolle në shumë banesa, por pa arritur të binë në gjurmët e vrasësve të ish-policit që mbeten të lirë.

ATENTATI

Atentati ndaj ish-efektivit të Policisë së Shtetit Xhelal Reçi u organizua mëngjesin e së hënës në qytetin e Laçit, teksa viktima po hapte dyqanin e tij. Ai u godit me dy plumba pistolete, njëri prej të cilëve ishte fatal për të. Të paktën tre persona kanë marrë pjesë në atentat ndaj 61-vjeçarit, dy prej të cilëve të armatosur me armë zjarri të llojit pistoletë, ndërsa i treti luante rolin e shoferit të mjetit me të cilin ata u larguan nga vendi i ngjarjes dhe e dogjën afër lumit të Kurbinit. Autorët kanë ndjekur lëvizjet e viktimës kohët e fundit dhe vunë në punë planin e tyre për ta ekzekutuar mëngjesin e së hënës në mes të qytetit të Laçit.

Xhelal Reçi mori një plumb në gjoks dhe me reflekset e ish-policit ka tentuar t’i shpëtojë sulmit duke hyrë në një rrugicë mes dy ndërtesave në zonë. Por plaga që kishte marrë ishte vdekjeprurëse dhe ai humbi menjëherë jetën. Ekzekutimi i 61-vjeçarit ka qenë i mirorganizuar dhe ngjason me atentate të tjera të kryera në vend. Nga pamjet e kamerave të sigurisë është zbardhur edhe dinamika e plotë e atentatit, por jo autorët. Sipas pamjeve të zbërthyera nga hetuesit, vetëm njëri prej atentatorëve ka qëlluar në drejtim të viktimës, ndërsa tjetri, gjithashtu i armatosur, e shoqëronte atë.

(Panorama.al)