Ish-Kryeprokurori Llalla në gjendje të rëndë, vendimi shpallet më 22 shtator

SPAK, Prokuroria e Posaçme kërkon që Apeli të lerë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë kundër ish-Kryeprokurorit, Adriatik Llalla me dy vjet burg dhe që të mos ushtrojë funksione publike për 5 vjet

Knid Ndrenika

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shtyu shpalljen e vendimit për në 22 shtator ora 13:00 kundër ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Trupi Gjykues nuk pranoi të merrte provat e avokatit Sokol Hazizaj për trajtimin në spital në gjendje të rëndë të zotit Llalla si dhe gjithashtu provat për pagesën e trajtimit të tij në një spital në SHBA nga një shtetas amerikan.

Avokati Hazizaj tha se zoti Llalla “vuan nga një sëmundje e rëndë” dhe se kjo ishte “arsye se pse sot nuk erdhi në gjykim, pra sepse është në regjim spitalor”.

“Është në regjim spitalor. Në Shqipëri është”-tha avokati Hazizaj për mediat.

Zoti Llalla kërkon pafajësi, rigjykim të dosjes ose shpallje moskompetence.

Ndërkaq, SPAK, Prokuroria e Posaçme kërkon që Apeli të lerë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë kundër ish-Kryeprokurorit me dy vjet burg dhe që të mos ushtrojë funksione publike për 5 vjet.

“Çfarë vendimi? Pres që Gjykata e Apelit të reflektojë mbi gabimet e tmerrshme të Gjykatës së Shkallës së Parë, sa i përket mënyrës mospranuese refraktare ndaj provave tona dhe vazhdimit në themel të çështjes. Jemi para një rasti suis-generis, nuk pranohet deklarimi dhe konsiderohet si mosdeklarim”- shpjegoi avokati Hazizaj.

Zotit Llalla iu sekuestruan në favor të shtetit 4 sipërfaqe toke me gjithsej 22 mijë metra katrorë dhe 1 apartament në Durrës.

Akuzat kundër ish-Kryeprokurorit ishin “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal, por mbeti vetëm ajo për mosdeklarim.