Ish-ministri Fatmir Mediu dëshmoi në SPAK mbi privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”

Tiranë, 21 shtator 2022 – Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, të mërkurën dha shpjegimet e tij para prokurorëve të SPAK-ut lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Sportiv “Partizani’, në periferi të Tiranës.

Prokurorët kanë nisur hetimet mbi ligjshmërinë e procedurave të këtij privatizimi, pas dyshimeve për një aferë korruptive të përmasave të mëdha nga ish kryeministri Sali Berisha, dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish ministri i mbrojtjes Arben Imami.

Zoti Berisha i ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa prokurorët pritet ta thërrasin që të dëshmojë atë dhe ish ministrin Imami.

Hapja e hetimeve mbi privatizimin e dyshimtë të ish klubit sportive “Partizani” u nxit nga një kallëzim i dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Sipas tij, ish kryeministri Berisha, dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi, ish ministri Arben Imami, dhe ish zyrtarë të tjerë janë përfshirë në vepra të ndryshme penale gjatë procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”.

Kompleksi sportiv me 26 mijë metër katror, pronë e ushtrisë, u zëvendësua brenda pak vitesh nga një kompleks pallatesh, pas procedurave të privatizimit, që kreu qeveria Berisha gjatë dy mandateve të vitit 2005 dhe të vitit 2009.

Për këto procedura u ngritën qysh në fillim dyshime të shumta për afera korruptive të përmasave të mëdha si nga socialistët atëherë në opozitë ashtu si edhe nga investigimet e disa mediave deri kohët e fundit.

Në qendër të vëmendjes u vu dhëndrri i ish kryeministrit Berishës si një nga përfituesit pas shndërrimit të kompleksit në një hapësirë ndërtimesh masive.

Zoti Berisha i ka hedhur poshtë këto akuza i pyetur nga shtypi gjatë një konference duke i quajtur falsitete dhe manipulime.

Ai ka deklaruar se në atë procedurë ka 0 korrupsion dhe se dhëndrri Malltezi ka marrë vetëm 1/10 e pronave që ka trashëguar nga familja e gjyshërve të tij.

Deputeti Mediu është i pari nga ish zyrtarët e kohës, që u thirr të dëshmojë në SPAK. Pas dy orë deklarimesh, ai nuk dha detaje për shtypin.

“U ftova për të dhënë një dëshmi si person që kam dijeni për një hetim që është interesi i SPAK, Do të ruaj konfidencën e dëshmisë. Jam thirrur si deklarues” – tha zoti Mediu.

SPAK njoftoi se e kishte thirrur zotin Mediu në cilësinë e personit, që tregon rrethana të dobishme për qëllimin e hetimit mbi procedimin penal të nisur prej saj dy vjet më parë.

Prokuroria ka bërë të ditur se do të thërrasë për këto hetime ish kryeministrin Sali Berisha dhe ish ministrin e mbrojtjes Arben Imami.

Hetimet po shqyrtojnë nëse këta ish zyrtarë e kanë privatizuar kompleksin sportiv përmes shkeljeve ligjore, të cilat sipas nenit 287 të Kodit Penal mbi pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, janë të dënueshme nga 5 deri në 15 vjet burgim.

Në veprat e këtij neni renditen këmbimi i pasurisë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të saj, mbulimi i natyrës së vërtetë të pronësisë, fitimi i parregullt i pronësisë, copëzimi i transaksioneve për të fshehur pastrimin e parave si dhe nxitja e të tjerëve për t’i kryer veprat e mësipërme.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)