Ish-ministrja Milena Harito rrëfen për intrigat në PS dhe për përplasjen me Ramën

Tiranë, 22 korrik 2021 – Ish-ministrja e Qeverisë Rama, Milena Harito, ka rrëfyer për eksperiencën e saj si pjesë e kabinetit të PS-së. E ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit, Roland Qafoku, Harito ka treguar se gjatë punës me kryeministrin Rama, ky i fundit e ka bërë të qajë dy herë.

Milena Harito ka mbajtur postin e Ministres së Inovacionit. Ajo ka lidhje familjare me kryeministrin Rama. Sipas rrëfimit të saj, ata bien të jenë kushërinj të tretë.

Harito është kthyer në Francë ku punon në një kompani të njohur, e cila, sipas saj, ka një kapital prej rreth 40 miliardë eurosh.

Ish-ministrja thotë se nuk do të kthehet më kurrë në Qeverinë e PS-së,  ku i dukej vetja, siç u shpreh, “sikur isha në një enë me helm”.

“Mund të them se është shumë e vështirë të punosh me Edi Ramën. Kur u ktheva në kompaninë “Orange” në Paris, që ka një xhiro vjetore 40 miliardë Eurosh, një nga çuditë e mia ishte se kur do pëlciste bomba dhe bomba nuk pëlciste. Prisja që kur do të ndodhte vështirësia, por jo. Ndërsa kur isha ministre në Shqipëri puna ishte shumë e ngjeshur dhe me tension. Më dukej vetja ndonjëherë sikur isha zhytur në një enë me helm dhe unë ndonjëherë nxirrja kokën për të marrë frymë”, theksoi Harito.

Intervista e plotë e ish-ministres Milena Harito:

– Zonja Harito mund të më thuash momentin më të vështrië dhe më të mirë që ke kaluar me Edi Ramën në ato katër vjet?

– Më të mirë sinqerisht, duket si gjuhë e drunjtë, por kujtimet më të mira janë ato gjëra që unë doja të bëja. Unë kisha opsione të tjera, por doja të bëja disa gjëra këtu.

– Doje të ndryshoje Shqipërinë?

– Jo. Të ndryshoja Shqipërinë është fjalë shumë e madhe. Shqipërinë e ndryshon ti, unë, të tjerë me atë që bën. Unë i kisha disa ide dhe Edi Rama ishte njeriu i duhur, me pushtetin e duhur dhe me vizionin e duhur që ato gjëra të bëheshin. Momentet kur kapërceheshin disa vështirësi dhe gjërat ecnin përpara ishin momente kënaqësie që ia vlenin shumë.

– Atë më të rëndësishme. Pra momentin më të vështirë?

– Mendova se e harrove. Në ato fillime më ka bërë nja dy herë për të qarë.

– Qave shumë?

– Jo. Nuk qaj shumë se jam nga Vunoi, por qava.

– Dhe Rama u mërzit shumë se qave ti?

– Ai ishte qëllimi. Kur e mendoj, ato janë momente që kishte të drejtë, jo në kuptimin e metodës, por të thelbit, sepse duke të ngacmuar, duke të ngulur thikën në vende ku dhemb, të bën të avancosh.

– A ishte rasti Milena Haritos t’i bëhej kjo gjë?

– Ai nuk ka nge të merret me ndjenjat e njerit dhe tjetrit. Ka halle të tjera.

– Se ju ishit ministre shteti dhe e kishit zyrën afër.

– Po në të njëjtin kat.

– Më keq nuk kishte domethënë.

– Paradhoma e tij ishte më keq.

– Si kanë qenë katër vite si ministre? Si ishte të punoje me Edi Ramën?

– Ishte absolutisht pasionante. Unë, siç duket edhe nga karriera, jam njeri që punoj shumë, sepse jam njeri që e dua punën. Por, aq sa kam punuar në atë periudhë, si ministre në qeverinë Rama, nuk kam punuar kurrë në jetën time.

– Po e the edhe një herë këtë të bëri Rama përsëri ministre…

– Rrini shumë të qetë. Ti edhe Partia Socialiste. Unë e deklaroj që nuk ka për të ndodhur kjo. Unë nuk do jem ministre dhe kjo është gjëja më e sigurtë në botë.

– Me këto që thatë ndonjë shishe uthull është hapur andej në PS. Mos e thuaj me shaka se Edi Rama çohet në mëngjes dhe thotë Milena Harito do të jetë ministre. Çfarë  do ti thuash ti?

– Unë do t’i them kam jetën time. Kaq.

– Pra, si ishin katër vite pune me Edi Ramën?

– Superpasionate. Shumë interesante. Mund të them se është shumë e vështirë të punosh me Edi Ramën.

– Në kuptimin pozitiv apo negativ?

– Pozitiv do të thoja por..

– Domethënë në shqip, ta merr shpirtin?

– Po. Absolutisht. Në të gjitha format. Nuk di ta them në frëngjisht. Kur u ktheva në kompaninë “Orange”, në Paris, që ka një xhiro vjetore 40 miliardë Euro, një nga pritjet e mia ishte se kur do të pëlciste bomba dhe bomba nuk pëlciste. Prisja kur do të ndodhte vështirësia, por jo. Ndërsa kur isha ministre në Shqipëri puna ishte shumë e ngjeshur dhe me tension.

– Po intriga rreth e rrotull kishit?

– Më dukej vetja ndonjëherë sikur isha zhytur në një enë me helm dhe unë që ndonjëherë e nxirrja kokën për të marrë frymë.

– Rudina Seseri ka thënë se Edi Rama nuk është kryeministër perfekt, por edhe Shqipëria është shumë e vështirë për ta naviguar. A jeni dakord me këtë përkufizim?

– Po është shumë e saktë.

– Zonja Harito, a mund ta shpjegosh konkretisht çfarë kushëriri e kishit dhe e keni Edi Ramën?

– Kushëri të tetë.

– Si konkrektisht?

– Ore a i njeh ti kushërinjtë e tetë?

– Rastësisht edhe mund t’i njoh.

– Atëherë ka një fakt. Spiro Koleka, anëtari i Byrosë Politike, e kishte pasion gjenealogjinë dhe, meqenëse e kishte edhe mundësinë, e kishte krijuar pemën e familjes dhe ua ka lënë fëmijëve. Trungjet e familjeve tona bashkohen në vitin 1740.

– Çfarë ishin në atë vit paraardhësit tuaj?

– Motër dhe vëlla. Pastaj degët e degëve kanë ardhur deri te mua dhe Rama.

– Po Berisha ka thënë se ishit kushërinj?

– Ai e bëri këtë dhe e hapi. E tha dhe u bë legjendë. Doktori është i paparë se ai ma ngjiti.

– Si e analizoni mënyrën se si bën opozitë Lulzim Basha?

– Basha ka probleme shumë serioze. Më kujtohet që kur isha ministre mora një informacion që ai nuk e kishte marrë diplomën e universitetit. Shkruajta një status në Facebook që Lulzim Basha duhet ta bënte publike diplomën. Por, më bënë block direkt. Ky ishte kulmi. Në vend se të jesh transparent. ti e ngre karrierën mbi bazën e një gënjeshtre.

– Çfarë domethënie ka kjo?

– Për mua Lulzim Basha është kryeadmiruesi i Edi Ramës. Sa të jetë Lulzim Basha kryetar i PD-së, Edi Rama do të jetë kryemnistër.

(Panorama.al)