Ish-presidentja Jahjaga takoi në Nju York ish-sekretaren Clinton

Nju Jork, 9 maj 2022 – Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në SHBA, është takuar me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Zonja Jahjaga, në një status në Facebook, ka bërë të ditur se me zonjën Clinton kanë diskutuar për të arriturat, por edhe për sfidat me të cilat përballet shteti i Kosovës.

“Sot pata nderin ta takoj miken tonë të madhe, ish Sekretaren amerikane të Shtetit Hillary Clinton në New York. Gjatë takimit tonë diskutuam për të arriturat dhe sfidat me të cilat po përballemi në Kosovë dhe rajon.Gjithmonë falënderuese për rolin kyç që sekretarja Clinton dhe administratat amerikane e kanë luajtur për të sjellë paqe në Kosovë dhe për të na ndihmuar në shtet ndërtimin tonë.

Pas tërë këtyre viteve miqësia jonë vazhdon të jetë e fortë dhe është simbol i miqësisë së pathyeshme mes Kosovës dhe SHBA-ve”, ka shkruar Jahjaga.

Hillary Clinton dhe bashkëshorti i saj Bill Clinton janë dy prej personaliteteve amerikane shumë të respektuara në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e vlerësojnë posaçërisht mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për çlirimin e Kosovës, e pastaj edhe për shtetndërtimin e saj.

(r.m.)