Ish sekretarët e NATO-s kërkojnë më shumë mbështetje për Ukrainën

Bruksel, 15 qershor 2022 – Ish Sekretarët e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, Lordi George Robertson, Jaap de Hoop Scheffer dhe Javier Solana, bënë thirrje të mërkruën për më shumë ndihmë ndaj Ukrainës në përballjen e saj me agresionin rus dhe më shumë trysni mbi Moskën.

Ata i bënë këto komente gjatë një debati të organizuar nga Këshilli Atlantik mbi “Vendosmërinë e aleatëve: Pikëpamjet e NATO-s për agresionin rus në Ukrainë.

Ish-sekretarët diskutuan mundësitë politike dhe ushtarake të NATO-s dhe çfarë mund të bëjë më shumë kjo aleancë për të mbrojtur Ukrainën dhe popullin e saj, për të forcuar vendosmërinë perëndimore dhe për të forcuar mbrojtjen kolektive.

Anders Fogh Rasmusen, tha se aleatët e NATO-s duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar Ukrainën me më shumë armatime.

“Ukrainasit kanë vullnetin të luftojnë dhe ne duhet t’u japim mjetet për të luftuar. Ata po luftojnë për të gjithë ne, për lirinë dhe demokracinë”, tha ai, duke nënvizuar se mund të bëhet më shumë politikisht dhe të mos përjashtojë asnjë mundësi.

Lordi George Robertson dhe Javier Solana thanë se mund të bëhet më shumë dhe më shpejtë për ta ndihmuar Ukrainën.

“Na duhen mesazhe të fuqishme për popullin e Ukrainës se po i mbështesim dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë dhe Kremlinit t’i bëhet e qartë se NATO-ja është një aleancë që nuk njeh humbjen dhe beson në artikullin pesë dhe sulmi në një vend të saj është sulm mbi gjithë aleancën”, tha lordi Robertson.

“Dështimi i Vladimir Putinit është me rëndësi. Ai nuk dëshironte që Ukraina të hyjë në NATO. Deri në takimin e NATO-s në Madrid mund të kemi dy anëtare të reja, Suedinë dhe Finlandën”, tha zoti Solana.

Më 29 dhe 30 qershor në Madrid mbahet takimi i nivelit të lartë të NATO-s në të cilin synohet vendosja e një kursi më të rreptë të aleancës në vitet e ardhshme.

Ish Sekretari Jaap de Hoop Scheffer, tha se takimi i NATO-s duhet të dëshmojë sërish një formë të pashembullt të solidaritetit. Ky është një agresion dhe nuk duhet të vihet nën hijen e problemeve të tjera.

“Kur jetoni në Poloni apo në shtetet baltike, kërcënimi ndjehet ndryshe sesa kur jetoni në Hagë, në Madrid apo në Romë”, tha ai.

Ish sekretarët e vlerësuan me rëndësi për NATO-n anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës të cilat vendosën t’i japin fund qëndrimit neutral pas agresionit rus në Ukrainë.

Të martën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se mirëpret anëtarësimin e këtyre dy vendeve duke theksuar se aleanca gjithashtu duhet të marrë seriozisht shqetësimet e ngritura nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili i ka vënë veton anëtarësimit të tyre derisa këto dy vendet të ndryshojnë politikat për mbështetjen e militantëve kurdë që Ankaraja i konsideron si terroristë.

“Nuk ka asnjë aleat tjetër të NATO-s që ka pësuar më shumë sulme terroriste se Turqia”, tha sekretari Stoltenberg, duke u shprehur “i kënaqur” që qeveria suedeze ka konfirmuar “gatishmërinë e saj për të trajtuar shqetësimet e Turqisë si pjesë e detyrimeve të anëtarësimit të ardhshëm në NATO”.

Pararendësit e zotit Stoltenberg bënë thirrje për shtimin e trysninë ndaj Rusisë.

“Nuk ka kuptim që në njërën anë të ndihmojmë Ukrainën me miliarda (dollarë) në armë dhe në të njëjtën kohë të derdhim miliarda euro në valixhet e Vladimir Putinit”, tha ish sekretari Anders Fogh Rasmussen.

Ish sekretarët minimizuan rrezikun nga përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia.

(Zëri i Amerikës)