Ish-zyrtarja e Pentagonit, Farkas: SHBA duhet të përgatitet për luftë me Rusinë

SHBA-ja duhet të përgatitet për luftë me Rusinë, ka paralajmëruar një ish-zyrtare e Departamentit të Mbrojtjes, duke thënë se Uashingtoni mund të detyrohet të ndërhyjë ushtarakisht nëse Moska vendos të ndërmarrë një pushtim të Ukrainës në të ardhmen e afërt.

Evelyn Farkas, e cila shërbeu si zëvendës ndihmës Sekretare e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë nga 2012-15, botoi një shkrim në ‘Defense One’ të martën në të cilin ajo pretendonte se një pushtim i afërt rus i Ukrainës ka ‘shumë gjasa të ndodhë’.  

Ish-zyrtarja e administratës së Obamës këmbënguli se bisedimet diplomatike midis Moskës dhe Uashingtonit, që zhvillohen këtë javë, ka të ngjarë të dështojnë dhe se SHBA-ja tashmë duhet të përgatitet për luftë me Rusinë.

Në një jehonë të fjalëve të ish-Presidentit Xhorxh W. Bush, të përdorura për të përshkruar kombet që pushtuan Irakun në vitin 2003, ajo u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të formojnë ‘një koalicion ndërkombëtar të vullnetit’ për të penguar presidentin rus Vladimir Putin ‘dhe, nëse është e nevojshme të përgatitën për luftë’.

Sipas Farkas, Rusia ka dështuar të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe është nxitur nga protestat masive të fundit në Kazakistan, një vend fqinj dhe ish-republikë sovjetike me të cilën Moska ka lidhje të ngushta. E gjithë kjo, pretendoi ajo, e bën më të mundshme se kurrë që Putini të jetë duke planifikuar të pushtojë Ukrainën.

“Nëse Rusia mbizotëron përsëri”, – paralajmëroi ajo – “ne do të mbetemi të mbërthyer në një krizë jo vetëm në Ukrainë, por për të ardhmen e rendit global shumë përtej kufijve të atij vendi.

Nëse Putin lihet i lirë tha ajo, do lëvizë me shpejtësi, do rrëmbejë tokë, do konsolidojë fitimet e tij dhe do t’i vërë sytë shtetit të ardhshëm satelitor në lojën e tij të gjatë për të rivendosur të gjithë kufijtë e para vitit 1991: sfera e ndikimit gjeografik që ai mendon se i është hequr padrejtësisht Rusisë.”

Artikulli i Farkas vjen ndërsa diplomatë të lartë nga SHBA dhe Rusia po takohen në Gjenevë këtë javë për të diskutuar propozimet e sigurisë që Moska i dorëzoi Uashingtonit në dhjetor.

Kremlini ka kërkuar garanci me shkrim se NATO, blloku ushtarak i udhëhequr nga SHBA, nuk do të zgjerohet në Ukrainë dhe Gjeorgji, dy vende në kufi me Rusinë. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimin për grumbullimin e supozuar të trupave ruse pranë Ukrainës,

Pavarësisht ngërçit të dukshëm, zyrtarë nga të dyja palët kanë treguar se janë të gatshëm të negociojnë.

hashtag.al