Ismail Kadare: Libri i Vehbi Bajramit, një “libër total” për mërgatën e Amerikës

PARATHËNIE

Nga Ismail Kadare

Kur të bie në dorë një libër si “Shqiptarët e Amerikës”, i Vehbi Bajramit, dhe pasi njihesh me të, është e pashmangshme pyetja: përse me kaq vonesë vjen një libër i tillë në kulturën shqiptare?

Natyrisht ka patur me dhjetëra libra me vlerë të mërgimtarëve, ose për mërgimtarët, shënime biografike, kujtime, trajtesa letraro filozofike, skicime historike, ditare, letërkëmbime, lëndë arkivale etj. E megjithatë mund të thuhet pa drojë se ky libër është përpjekja e parë serioze dhe e suksesshme për të shkruar “librin total”  për një nga mërgatat më të mëdha të krejt historisë shqiptare, mërgatën e Amerikës.

“Libri total” është një synim i hershëm i kulturës botërore. Në shkrimet e shenjta, e sidomos në fillimet e Biblës e të “Besëlidhjes së re” dëshmohet ky synim, me renditjen e emrave e të jetëshkrimit të shkurtër  të dhjetëra personazheve të rëndësishëm e më pak të rëndësishëm. Në poezitë popullore të disa vendeve, e sidomos në atë shqiptare, takohet shpesh e njëjta dëndësi emrash e fatesh të qindra njerëzve. Në muzeun e Holokaustit të hebrenjve në Jeruzalem, në pjesën kushtuar fëmijëve, brenda një  sfere të errët që mishëron hapësirën e gjithësisë, dëgjohen ditë e natë, pambarimisht emrat e dhjetëra mijëra fëmijëve hebrenj të vrarë, nga të gjithë vendet e nga të gjithë popujt.

Tablo të tilla mozaikale, që të kujtojnë vërtet mizërinë e yjeve në qiell, janë të shumta në letërsi, histori, filozofi, pikturë e publicistikë.

Librat e mëdhenj vijnë zakonisht në kohën e duhur. Një tablo e përgjithshme e mërgatës shqiptare në Amerikë vështirë se mund të shkruhej në fillim të shekullit XX, ngaqë ishte tepër herët. Ajo s’mund të kryhej gjatë kohës së diktaturës komuniste sepse do të ishte e helmuar nga propaganda e kohës po të shkruhej në Shqipëri, dhe nga nervozizmi kundër kësaj propagande, po të shkruhej jashtë Shqipërisë.

Ajo është pjellë e natyrshme e fundit të shekullit XX, fillim i XXI, kohë kur shumica dërmuese e shqiptarëve e fituan më në fund lirinë dhe bashkë me lirinë, kthjelltësinë e të  menduarit.

Libri për mërgatën e Amerikës vjen në një kohë kur shqiptarët kudo që jetojnë, kanë nevojë për një ripërtëritje të vizionit të Atdheut, një vizion të zhveshur nga propagandat kalimtare dhe nga shfytyrimet që i kanë bërë patriotizmit regjimet politike.

Pas trandjeve psiqike të njëpasnjëshme, trandje të shkaktuara nga zhgënjimet, nga varfëria, nga shembja e diktaturës komuniste, nga dehja e lirisë dhe nga keqkuptimet për demokracinë, shqiptarët më tepër se kurrë kanë nevojë sot për një drejtpeshim shpirtëror si dhe për një rivlerësim moral të gjithçkaje që kanë përjetuar. Ky rivlerësim nuk ka të bëjë thjesht me historinë. Ai i kapërcen dukshëm kufizimet e një diskutimi historik ngaqë lidhet në radhë të parë me jetën e tyre të sotme dhe  me strategjinë e tyre për të ardhmen.

Epoka që jetojmë,  si çdo epokë që vjen pas thyerjeve të mëdha, është e mbushur sot me keqkuptime dramatike. Një nga këto, ndoshta më themelori, ka të bëjë me raportet e njeriut me atdheun, e njeriut me kombin e vet. Duke përfituar nga shfytyrimet që i janë bërë këtij raporti, prej propagandave shtetërore, një kundërpropagandë e së njëjtës natyrë është duke u bërë këtë herë në një kah të kundërt. Shkelje me këmbë e patriotizmit të shëndetshëm, atij që s’ka asnjë lidhje me nacionalizmin agresiv, përdhosja e idesë së Atdheut, të kombit, tallje cinike me to, në emër të ideve kinse mbarënjerëzore, janë paraqitur si shenja të njeriut modern, e njeriut të së ardhmes. Në të vërtetë, jeta na ka treguar se ide të tilla fshehin shpeshherë synime primitive dhe aksione kriminale. Për të mos u zgjatur me shembuj të shumtë, mjafton të kujtojmë se pas ideve të tilla përçmuese për kombin strehohej strategjia e bolshevikëve për të cilët atdheu i vërtetë ishte Rusia Sovjetike dhe ajo e talebanëve që mohonin kombin në emër të panislamizmit.

Historia e diasporës shqiptare, një pjesë e së cilës shpaloset fuqishëm në këtë libër të Vehbi Bajramit, është pjesë e historisë së gjatë të popullit shqiptar.

 Rreth një shekull e gjysmë më parë, për fjalën “diasporë”,  e cila do të thotë  “shpërndarje”, Jeronim de Rada, përdori në shqip fjalët “gjaku i shprishur”.

Duke dendësuar dramaticitetin e fjalës, poeti i madh tregoi se ishte ai vetë bir i diasporës dhe i dhimbjes së saj.

Tek të gjithë popujt  ka patur zhvendosje, mërgim, diasporë, por te ballkanasit  ajo ka qenë veçanërisht tronditëse. S’është e rastit që këngët më të mallëngjyeshme për mërgimin, ato që kanë hyrë  në historinë e poezisë si “këngë të kurbetit”, janë të krijuara prej shqiptarëve dhe grekëve.

Shkëputja nga atdheu, ikje pa kthim, ka patur gjithmonë, por në historinë shqiptare, ikja e shekullit XV, në prag të natës otomane ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Ai mërgim ishte padyshim një zezonë e pafund, por për çudi, brenda zisë ai bartte edhe një dritë të habitshme, një ëndërr e një mall fisnikërues, që u kthye me kalimin e viteve në thesar shpirtëror.

Arbëreshët e Italisë, shekull pas shekulli, u dhanë pas një pasioni që dukej i pamundur: të ringjallnin në këngë, në valle e në vjersha, atdheun e humbur.

Rrezatimi i këtij pasioni arrinte gjer në bregun e këtij atdheu, që zyrtarisht nuk quhej më Shqipëri, por Perandori Otomane. Libri i Vehbi Bajramit  hapet me kronikën e ikjes së dytë të arbëreshëve: mërgimi në Amerikë. Kjo ikje e re, në kushte të reja, nisi 150 vjet më parë e ka vazhduar gjatë shekujve XIX dhe XX.

Ky ishte mërgim pas një mërgimi, mall pas një malli.

Duke u nisur gjer në Amerikë, arbëreshët nuk po linin më atdheun e tyre, por shëmbëllimin e tij, e megjithatë kishte diçka të pandryshueshme, diçka prej diamanti në nostalgjinë e tyre për atdheun e parë, Shqipërinë, që s’e kishin parë kurrë as ata e as prindërit e tyre. Në këtë vazhdimësi të atdheut, jashtë çdo prekjeje e jashtë çdo interesi, në këtë dritëz gati fetare, dëshmohet etja e pafund që ka shpirti njerëzor për modele e moralitet të lartë.

Autori i kësaj vepre e ka ndjerë me sa duket, se trupi i monumentit nuk mund të kishte piedestal më të sigurt se historia e arbëreshëve, ndaj i ka dhënë asaj vendin, peshën dhe  mjeshtërinë e nevojshme.

Kronika e mërgimit të shqiptarëve gjatë shekujve të robërisë turke, ka qenë e ndërlikuar. Një kohë të gjatë zhvendosjet janë bërë brendapërbrenda perandorisë: Stamboll, Sofje, Bukuresht, Greqi veriore etj.Më pas shqiptarët nisën të dalin nga kufijtë e saj për të mbërritur në  shtetet evropiane, e më vonë në Australi e SHBA e në krejt botën.

Në gjysmën e dytë të shekullit XX vazhduan ikjet prej dy diktaturave komuniste: asaj të Jugosllavisë dhe asaj të Shqipërisë staliniste. Tronditjet që kishin ndier shqiptarët, kur mbërrinin në New York apo Boston prej shtetit të prapambetur turk iu shtuan tronditje të tjera, ato që ndien njeriu kur ikën nga robëria për të dalë në liri. Si epilog, si akt i fundit, janë ikjet e viteve të fundit, ato pas shembjes së komunizmit, ku gjithçka ishte e ngatërruar e ishte bërë lëmsh dhe ku malli për atdheun nuk ishte më zotërues, por i përzier me gjithfarë ndjenjash tragjike: zhgënjim ndaj vendit që u shkaktoi aq shumë vuajtje, mllef, dëshirë hakmarrjeje e disa herë urrejtje. Kështu duket në sipërfaqe, por në thellësi, ashtu si ndodh në detin që pavarësisht nga shkuma e dallgëve, në thellësi mbetet  i patrazuar, ashtu dhe midis stuhisë së ndjenjave kundërthënëse, vjen ajo që quhet ora e shpirtit, kur dritëzimi i largët shfaqet përsëri.

Kur zhytesh në leximin e këtij libri të gjerë, kur dalëngadalë, përfshihesh prej tij, e kupton se sa e vështirë ka qenë për autorin të mbushë këtë mozaik të madh, në të cilin ka përherë vend për plotësim. Për kryerjen e misionit që i ka vënë vetes, autori ka përdorur të gjitha mënyrat e mundshme: shënimet biografike, reportazhin, portretin,  intervistat, vështrimin historik, anketën, kumtesën, kronikën festive, kronikën e zezë etj. etj. Aty janë të gjithë, në radhë të pafundme, që nga misionarët e mëdhenj që udhëheqin këtë  mizëri njerëzore, Konica, Noli, klerikët e të gjitha besimeve,  shoqatat e gazetat e mëdha që nga “Vatra” e “Dielli” e gjer te “Illyria” e institucionet e sotme, intelektualët e shquar, shkencëtarët, ushtarakët, zyrtarët, artistët, biznesmenët etj. etj. Aty janë qindra të tjerë, të njohur e të panjohur, secili me historinë e vet, me ëndrrat për një jetë më të mirë, me shpresat që shpeshherë u njëmendësuan e së shumti u thyen, shkurt me fatin e vet, të mirë ose të keq, që e mbartën stinë pas stine e vit pas viti nëpër udhët e jetës.

Pjesa e njerëzve pak të njohur ose të panjohur për publikun, merr një peshë të veçantë në këtë libër. Kur dëgjojmë fjalët mërgim, mërgatë, pamja e parë që na vizatohet në mendje është një mori e madhe njerëzore. Portreti i përbashkët i një mase të tillë është një nga pjesët më të vështira në libra të këtij lloji. Autori Vehbi Bajrami, ia ka dalë të kapërcejë  këtë vështirësi. Duke përdorur gjerësisht traditën e prozës së vjetër gojore shqiptare dhe ballkanase, shembullin e arketipave të tillë si “njeriu që zbriste në botën e poshtme”, “djali që mposhti kuçedrën”, “Vajza me yll në ballë” etj. etj. ai   portretizoi mërgimtarët e thjeshte e të panumërt shqiptarë.  Kështu, krahas emrave të mëdhenj të mërgatës, krahas një nobelisti për shëmbëll, ne njihemi me një ushtar të Luftës së Parë Botërore që sapo ka mbushur 100 vjeç, me gratë që në pamundësi të ndonjë gjëje tjetër sollën në Amerikë byrekun e Korçës, me njeriun që i qepi kostumin e dhëndërisë John Kenedit Jr., me kuzhinierin që gatoi drekën për presidentin amerikan kur ky bujti në restorantin shqiptar etj.

Krahas ngjarjeve të mëdha, me peshë kombëtare si krijimi i kishës autoqefale, konferenca, mbledhje klubesh, aksione politike, mesazhe për shtetin amerikan, ndihma për lirinë e Kosovës, etj., etj., ne njihemi me drama të përditshme, që zhvillohen në heshtje, larg syve të kamerave: motër e vëlla që u dogjën nga malli e vdiqën pa e parë  dot njeri –tjetrin, të tjerë që në vend të dashurisë u pushtuan nga e kundërta e saj dhe në vend që t’i hapin derën  vëllait të vuajtur që mbërrinte nga larg ia mbyllën atë, njerëz krenarë që e ruajtën gjuhën shqipe, të tjerë  që e harruan e tani vuajnë si pas një mëkati.

Në faqe të paharrueshme të librit ne njihemi me dëshira, me brenga , me letra mallëngjyese. Ndër këto të fundit, më fisniket janë amanetet e mërgimtarëve lidhur me varrimin. Në shumicën e tyre, është e njëjta dëshirë: Më varrosni në katundin tim, në Shqipërinë e largët.

Ky libër, ashtu siç u tha më lart, të kujton zhaurimën e detit dhe valët e tij. Ato vijnë varg, njera pas tjetrës, si valët e mërgimtarëve. Duke e lexuar këtë libër jam i sigurt se shumë prej tyre do t’u lindë dëshira të marrin lapsin e të shtojnë diçka në këtë kronikë madhështore. Në ndodhtë kjo, atëherë mund të thuhet se ky libër ia ka arritur plotësisht qëllimit.

Tiranë, prill 2003