ITSHKSH: Trashëgimia e Nënës Terezë të shpallet “Pasuri kombëtare” e Maqedonisë së Veriut

Shkup, 1 qershor 2021 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, përkatësisht Departamentit për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, ka kërkuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ta shpallë “pasuri kombëtare”  trashëgiminë e Nënës Terezë.

Drejtori i ITSHKSH, Dr Skender Asani, ia ka drejtuar këtë kërkesë Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Në arsyetimin e kërkesës, ndër të tjera, thuhet se Departamenti për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze në ITSHKSH, që është bërë pikë referuese për trashëgiminë e simbolit të bamirësisë dhe humanizmit e konsideron detyrë të angazhohet për mbrojtjen dhe afirmimin e kësaj trashëgimie, e cila e përfaqëson Maqedoninë e Veriut në  të gjitha dimensionet e saj.

“Nëna Tereze është identiteti më besnik i përfaqësimit të Maqedonisë së Veriut. Ajo është edhe shkupjane, edhe e krishterë, edhe shqiptare – një identitet autentik i Maqedonisë shumetnike dhe shumëreligjioze”, thuhet në letrën dërguar kryeparlamentarit Xhaferi.

“Shkupjania Agneze Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze është arketip i Maqedonisë së Veriut, në kuptimin shoqëror, është sinonim i frymës së dashurisë, paqes, bamirësisë dhe humanizmit që buron nga gjeografia jonë. Misioni i saj është promovimi më i mirë i vendit tonë në botë. Ajo është figurë që na afron e nuk na përplas me askënd, me asnjë fqinj, me asnjë shtet, por edhe me asnjë grup shoqëror, kulturor e religjioz brenda dhe jashtë vendit”, thekson Dr Asani.

“Me shpalljen ‘Pasuri kombëtare’, gjë që nuk e ka bërë askush tjetër deri më tani, Republika e Maqedonisë së Veriut bëhet pronare legale dhe legjitime e trashëgimisë së Nënës Tereze. Në këtë mënyrë RMV-ja bëhet atdheu legal dhe legjitim i trashëgimisë së Nënës Tereze, ndërkohë që, siç propozon ITSHKSH, gjëja e parë që do ta bëjë RMV-ja është brendimi i emrit të saj: shqip ‘AGNEZE GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZE’; maqedonisht: ‘АГНЕЗЕ ГОНЏЕ БОЈАЏИУ – МАЈКА ТЕРЕЗА’ dhe anglisht: ‘AGNEZE GONXHE BOJAXHIU – MOTHER TERESA’. Brendimi ligjor dhe patentimi si ‘Pasuri kombëtare e RMV’ është mënyra e vetme që emri i saj të ruhet nga shtrembërimet e mundshme, qofshin ato të rastësishme ose të qëllimshme”, thuhet në arsyetimin e kërkesës.

“Duke e shpallur ‘pasuri kombëtare’, RMV-ja krijon mundësi që emri, trashëgimia dhe gjithçka që lidhet me të, të vihet nën mbrojtje ligjore, siç ndodh me secilën pasuri tjetër kombëtare të vendit tonë. Kjo nënkupton që shtëpia e saj, kisha e pagëzimit të saj (Shtëpia Përkujtimore), dokumentet që kanë të bëjnë me të dhe me familjen e saj, si edhe objektet e trashëgimisë materiale, madje edhe bredhi i mbjellë prej saj më 1980 në sheshin e Shkupit, të gjitha të jenë nën mbrojtje ligjore si ‘pasuri kombëtare’ e Maqedonisë së Veriut”, thuhet më tutje në arsyetim.

ITSHKSH vlerëson se pasi të shpallet “Pasuri kombëtare”, Maqedonia e Veriut, përmes Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, duhet të krijojë kushte për avancimin e studimeve të figurës së  Nënës Terezë dhe të veprës së saj, duke mbështetur projekte hulumtuese dhe aktivitetet shkencore e promovuese, ndërsa një detyrë tjetër është edhe pasurimi i Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Tereze me artefakte e dokumente të reja.

“Kur ta ketë të drejtën e pronësisë mbi trashëgiminë e Nënës Tereze, RMV-ja, në mënyrë institucionale, mund të kërkojë që secili shtet i botës të obligohet ta dorëzojë në  Shkup gjithçka që ka të bëjë me  Nënën Tereze”, thuhet në arsyetim.

“Si ‘Pasuri kombëtare’, emri i Nënës Tereze do të duhej të jetë i shpërndarë nëpër shkolla, spitale, ente shëndetësore, aeroporte, sheshe, autostrada e institucione të tjera publike, në gjithë vendin, në mënyrë që kudo që të kalojë një vizitor i huaj ose një qytetar i vendit, të mund ta ndeshë emrin e saj. Në të vërtetë, sot në shumë vende të botës, përfshirë edhe SHBA-të e Kanadanë, e kanë emrin e Nënës Terezë në pikat publike më të frekuentara”, thuhet në arsyetimin e kërkesës së ITSHKSH drejtuar kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

(e.a.)

Comment

*