Ivica Daçiq: “Ballkani i Hapur” është propozuar nga Serbia. Ata që nuk e pranojnë janë kundërshtarët tanë

Beograd, 20 dhjetor 2021 – Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se ideja për nismën rajonale “Ballkani i Hapur” ka qenë e Serbisë dhe kjo është arsyeja që disa vende po refuzojnë t’i bashkohen kësaj nisme.

“Kundërshtarët e saj janë më shumë kundërshtarë të Serbisë se sa të vetë idesë, sepse i shqetëson fakti që shteti ynë e ka propozuar këtë nismë”, ka thënë Daçiq për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Daçiq ka theksuar se nisma “Ballkani i Hapur” mund t’i shqetësojë “vetëm ata që janë kundër bashkëpunimit rajonal”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të takohen të martën në Tiranë, për të diskutuar mbi jetësimin e disa marrëveshjeve për lëvizje midis tri vendeve, të cilat janë propozuar nga grupet punuese të trishteteve, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina refuzojnë të marrin pjesë në nismën  “Ballkani i Hapur”. Udhëheqësit e këtyre tri vendeve thonë se vendet e rajonit duhet të përqendrohen në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe tërheqin vërejtjen se ky projekt e relativizon Procesin e Berlinit.

Bashkimi Evropian nuk është shprehur qartë lidhur me këtë nismë, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kundërshtojnë idenë për integrimine tregut në rajon, por tërheqin vërejtjen se asnjë  nismë  rajonale nuk mund të ketë sukses pa pjesëmarrjen e tëgjitha vendeve të rajonit.

(r.m.)

Comment

*