Izraeli intensifikon sulmet në Gaza, shembet ndërtesa ku ishin zyrat e AP dhe Al Jazeera

Gaza, 15 maj 2021 – Një ndërtesë në Gaza, ku gjenden zyrat e mediave Associated Press dhe Al Jazeera, është shembur pasi u godit nga një sulm izraelit.

Personeli ishte evakuuar më parë pasi pronari mori një paralajmërim nga Izraeli para sulmit, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Në atë ndërtesë kishte gjithashtu një numër apartamentesh dhe zyra të tjera.

Ushtria e Izraelit ka konfirmuar sulmin por tha se ndërtesa kishte strehuar “asete ushtarake” që i përkisnin Hamasit.

“Ndërtesa kishte zyra të mediave, të cilat organizata terroriste Hamas i përdorte si mburoja njerëzore. Organizata terroriste Hamas vendos qëllimisht objektiva ushtarakë në qendër të zonave civile të populluara në Rripin e Gazës”, tha ushtria izraelite.

Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij në Gaza në mëngjesin e së shtunës (15 maj) ndërsa militantët e Hamasit u përgjigjën duke qëlluar me raketa në Izrael.

Trembëdhjetë njerëz u vranë si rezultat i sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës të shtunën, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, duke rritur numrin e të vdekurve në 139. Dhjetë nga viktimat – përfshirë tetë fëmijë – ishin anëtarë të një familjeje të gjerë. Shtëpia e tyre u godit nga një sulm ajror izraelit në një kamp refugjatësh në perëndim të qytetit të Gazës, thonë zyrtarët palestinezë.

Një burrë vdiq gjatë një sulmi me raketa në periferi të Tel Aviv. Ai është personi i nëntë që u vra në Izrael që kur filluan luftimet. Zyrtarët izraelitë raportuan rreth 200 sulme me raketa nga Gaza brenda natës. Në disa qytete jugore të Izraelit u dëmtuan shtëpitë.

Forca ajrore e Izraelit tha se ka goditur një “numër të madh” të vendeve prej nga po lëshohen raketat në Gaza, si dhe apartamente që u përkisnin operativëve të Hamasit.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një emisar në përpjekje për të ndihmuar në uljen e dhunës dhe arritjen e një armëpushimi.

Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet e Izraelit dhe palestinezëve, Hady Amr, do të marrë pjesë në bisedime me zyrtarë izraelitë, palestinezë dhe të Kombeve të Bashkuara.

Vizita e tij po ndodhë përpara një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që mbahet të dielën. Ambasada e SHBA-së në Izrael tha se qëllimi i udhëtimit të tij ishte të “ritheksohet nevoja për të punuar drejt një paqeje të qëndrueshme”.

Ministrat e jashtëm të Egjiptit dhe Jordanisë diskutuan përpjekjet për t’i dhënë fund konfrontimit dhe për të parandaluar “provokimet” në Jerusalem, tha ministria e jashtme e Egjiptit.

“Bisedimet kanë marrë një drejtim serioz të premten”, tha një zyrtar palestinez.

“Ndërmjetësuesit nga Egjipti, Katari dhe Kombet e Bashkuara po shtojnë kontaktet e tyre me të gjitha palët në një përpjekje për të rivendosur qetësinë, por një marrëveshje nuk është arritur ende”.

Emiratet e Bashkuara Arabe të premten bënë thirrje për një armëpushim.

Dhuna e kësaj jave në Gaza dhe Izrael është më e keqja që nga viti 2014.

Ajo pasoi disa javë tensionesh izraelito-palestinez në Jerusalem, që kulmoi me përplasjet në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë.

(REL)