Izraeli njofton për vrasjen e 4 komandantëve të militantëve palestinezë në Gaza

Gaza, 11 maj 2023 – Dhuna në Rripin e Gazës ka vazhduar edhe sot ndërsa Izraeli njoftoi vrasjen e komandantit për sulmet me raketa të Xhihadit Islamik, Ali Ghali. Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se 25 persona, civilë e militantë, janë vrarë që nga shpërthimi i luftimeve të martën.

Sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë 4 komandantë të militantëve palestinezë, duke përfshirë edhe komandantin për sulmet me raketa të Xhihadit Islamik, Ali Ghali.

Dhuna që shpërtheu të martën mes Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza deri më tani ka vrarë 25 njerëz, civilë e militantë.

Zyrtarët nga të dyja palët thanë se Egjipti po punon për të ndërmjetësuar një armëpushim.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, tha gjatë një fjalimi televiziv të mërkurën në mbrëmje se asnjë izraelit nuk ishte lënduar.

Zoti Netanyahu tha se forcat izraelite u kishin dhënë një goditje të ashpër militantëve, duke shtuar se operacioni i Izraelit nuk kishte përfunduar.

“Ne u themi terroristëve dhe atyre që i dërgojnë ata, ju shohim kudo. Ju nuk mund të fshiheni, dhe ne zgjedhim vendin dhe kohën për t’ju goditur. Ne e vendosim këtë, jo ju. Jo vetëm që hakmerremi, por do e bëjmë këtë me qetësi”, tha kryeministri i Izraelit, Benjanim Netanyahu.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë njoftoi se këshilltari për sigurinë kombëtare Jake Sullivan diskutoi shpërthimin e dhunës me homologun e tij izraelit, Tzachi Hanegbi, duke nënvizuar “nevojën për të ulur tensionet dhe për të parandaluar humbje të mëtejshme jetësh”.

Në njoftim thuhet se zoti Sullivan ripohoi mbështetjen e SHBA-së për sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e tij për t’u mbrojtur nga sulmet me raketa.

Luftimet e fundit ishin më të ashprat mes palëve muajt e fundit. Por në një shenjë se të dyja palët po përpiqeshin të shfaqnin vetëpërmbajtje, Izraeli shmangu sulmet ndaj grupit militant Hamas në pushtet, duke vënë në shënjestër vetëm fraksionin më të vogël dhe më ekstremist të Xhihadit Islamik.

Izraeli dhe Hamasi janë angazhuar në katër luftra që kur grupi militant islamik mori kontrollin e Gazës në vitin 2007.

(Zëri i Kosovës)