Izraeli u bën thirrje shtetasve të vet të mos udhëtojnë në Turqi

Jerusalem, 30 maj 2022 – Izraeli u ka bërë thirrje shtetasve të vet që të mos udhëtojnë në Turqi, për shkak të rrezikut nga hakmarrja e mundshme e Iranit për vrasjen e kolonelit të Gardës Revolucionare Islamike, Hassan Sayad Khodai.

Teherani e fajëson Izraelin për vrasjen e kolonelit Khodai dhe është zotuar se do të hakmerret.

Koloneli Khodai u vra javën e kaluar nga dy persona me motoçikleta, të cilët qëlluan ndaj tij, derisa ishte duke udhëtuar me veturë.

Në një deklaratë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Izraelit thuhet se Teherani mund të synojë t’i lëndojë izraelitët në Turqi, andaj e ka shpallur këtë shtet “me rrezik të lartë”.

Turqia është destinacion i famshëm për izraelitët dhe dy shtetet janë duke tentuar të përmirësojnë marrëdhëniet pas më shumë se një dekade të marrëdhënieve të tensionuara.

Izraeli ka akuzuar Khodain për organizimin e sulmeve kundër izraelitëve anembanë botës.

Zyra e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, e cila e mbikëqyr agjencinë e inteligjencës Mossad, nuk e ka komentuar rastin e vrasjes në Teheran, mirëpo ështëzotuar se Irani do të paguante “çmim të lartë” nëse i sulmon izraelitët.

(REL)