Programi i vizitës në Tiranë të presidentes së Komisionit Europian, fon der Lajën

Në orën 16.30 është përcaktuar konferenca për gazetarë ndërmjet Kryeministrit Edi Rama dhe zonjës fon der Lajën.

Knid Ndrenika

Qeveria e Shqipërisë publikoi axhendën e vizitës në Tiranë të Presidentes së Komisionit Europian, Ursula fon der Lajën (Ursula von der Leyen), në datën 27 tetor 2022, e enjte.

Qëndrimi i zonjës fon der Lajën në Tiranë është pjesë e vizitës së saj në kryeqendrat ballkanike.

Sipas axhendës, presidentja e Komisionit Europian, në orën lokale 14.30 do të pritet me ceremoninë e mirëseardhjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, “Nënë Tereza”.

Transmetimi i kësaj ceremonie do të bëhet rëndom me sinjalin e ofruar nga qeveria në frekuencat satelitore Livestream në Facebook dhe Youtube.

Takimi dypalësh i delegacioneve do të mbahet në selinë e Kryeministrisë në orën 15.45 pa praninë e mediave, përveçse lejimit të tyre për pamjet dhe fotografitë.

Në orën 16.30 është përcaktuar konferenca për gazetarë ndërmjet Kryeministrit Edi Rama dhe zonjës fon der Lajën.

Kjo konferencë e zotit Rama me Presidenten e Komisionit Europian në sallën COD në Kryeministri do të transmetohet gjithashtu me sinjalin televiziv të ofruar nga qeveria me frekuenca satelitore Livestream në Facebook dhe Youtube.