Jabllanoviq fajëson Listën Serbe, Beogradin dhe Prishtinën për barrikadat në veri

Prishtinë, 20 dhjetor 2022 – Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Partisë së Serbëve të Kosovës, ka fajësuar Listën Serbe, Qeverinë e Serbisë dhe Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka thënë se barrikadat e vebndosura në rrugët drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjakë janë pasojë e politikës së gabuar të Listës Serbe, ndërhyrjes së Beogradit dhe politikës së gabuar të Qeverisë së Kosovës.

“Barrikadat nuk janë shkak i asgjëje. Barrikadat janë pasojë, mbi të gjitha pasojë e një politike të tmerrshme, të gabuar, të Listës Serbe, të ndërhyrjes shumë të madhe të beohgradit zyrtar në terren në veri të Kosovës dhe të një politike të gabuar të Qeverisë në Prishtinë”, ka thënë Jabllanoviq, në kallxo.com.

Ai ka fajësuar edhe mediet, në Kosovë dhe në Serbi, për pasqyrim jo të drejtë të barrikadave.

“Tani krijohet një pasqyrë mediale, si në mediat e Kosovës ashtu edhe në mediat e Serbisë, se si serbët janë ngopur me çdo gjë dhe se si ata duan ta luftojnë terrorin dhe dhunën me barrikada”, është shprehur ai.

Aleksandar Jabllanoviq ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Ai ishte shkarkuar pas protestave të organizuara nga organizata “Thirrjet e nënave”, për shkak të një deklarate të tij që mohonte krimet e forcave serbe në Kosovë.

Një kohë ka qenë sekretar në Ministrinë e Punës e Çështjeve Sociale në Qeverinë e Serbisë dhe një ndër udhëheqësit e Listës Serbe. Pas zgjedhjes së udhëheqjes së re së kësaj partie, ai e ka themeluar Partinë e Serbëve të kosovës. E  cila është shumë kritike ndaj Listës Serbe.

(r.m.)