AmCham: Bashkëpunimi me qeverinë dhe Kuvendin e ri është kritik

Dhoma Amerikane e Tregtisë, siç thekson presidenti Enio Jaço, vëren se dinamika e zhvillimeve por edhe perspektivës Europiane që Shqipëria synon, nuk lë më kohë për reflektim, por nxit rëndësinë e një aksioni të përbashkët

Knid Ndrenika

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço tha se Shqipëria ka ende sfida të mëdha për të kapërcyer me klimën e biznesit.

Ai komentoi pas publikimit të Indeksit të Biznesit AmCham (Dhoma Amerikane e Tregtisë) të vitit 2020-2021.

Zoti Jaço theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë e re dhe Parlamentin e ri është kritike për një faqe të re në mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri.

Sipas zotit Jaço, rezultatet e Indeksit të Biznesit për vitin 2021 janë matës realë që tregojnë se Shqipëria, ka ende sfida të mëdha për të kapërcyer me klimën e biznesit.

“Rritja me 71% e anëtarëve që morën pjesë në Index, më e larta që në krijimin e saj, tregon për rëndësinë që bizneset i japin terrenit ku ata operojnë dhe rregullave të lojës”-tha presidenti Jaço.

Por, ai vërejti se “rënia me 0.5 pikë nga një vit më parë dhe rënia në nivelin më të ulët që në fillimin e Indexit 9 vjet më parë dëshmon peshën e fenomeneve gërryese që vijojnë të mbajnë peng vendin drejt një përparimi më të shpejtë”.

Për AmCham, siç thekson zoti Jaço, dinamika e zhvillimeve por edhe perspektivës Europiane që Shqipëria synon, nuk lë më kohë për reflektim, por nxit rëndësinë e një aksioni të përbashkët.

“Në kthimin e besimit tek bizneset, duhet së pari, dialog dhe bashkëpunim konstruktiv me përgjegjësi të lartë”-shtoi ai.

Dhoma Amerikane thekson se ka pritshmërinë e dialogut dhe gjetjes së mekanizmave te bashkëpunimit me Qeverinë e re dhe Parlamentin e ri për të krijuar një faqe të re në mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri.