Jahjaga bëri thirrje për bashkëpunim të vendeve të rajonit

Jahjaga ne BratisllaveBratisllavë, Prishtinë, 13 qershor 2013 – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar të enjten në Bratisllavë, se vizioni i Kosovës është integrimi evropian.

“Proceset në të cilat gjendemi janë të pakthyeshme. E ardhmja jonë është në BE dhe Republika e Kosovës është e përkushtuar për këtë vizion”, ka thënë Presidentja Jahjaga, në Samitin e presidentëve në kryeqytetin e Sllovakisë.

Ajo ka thënë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është perspektivë për mbarë rajonin.

“Perspektiva për anëtarësimin e rajonit, i cili na unifikon të gjithëve, duhet të mbizotërojë mbi çfarëdo dyshimi rreth suksesin e politikës së derës së hapur, sepse kjo perspektivë tashmë ka prodhuar rezultate të cilat ishin të paimagjinueshme para një dekade”, ka thënë ajo.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se zhvillimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor varet edhe nga marrëdhëniet midis tyre, pavarësisht prej diferencave dhe mospajtimeve momentale rreth njohjes së realiteteve të reja.

“Në vendet tona, ne duhet të shfrytëzojmë të gjitha burimet tona dhe të marrim mësime nga praktikat më të mira të njëri-tjetrit”, ka thënë Jahjaga në fjalimin e saj në samitin e presidentëve në Bratisllavë.

Samitit i është drejtuar edhe Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq. Mediet serbe bëjnë të ditur se në fjalimin e tij ka dominuar thirrja për mbështetjen e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Por, ai ka kërkuar ndihmë edhe për, siç është shprehur, “zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme” për çështjen e Kosovës.

“Nga ky vend u bëj apel edhe një herë të gjithë aktorëve që marrin pjesë në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës që të jenë maksimalisht konstuktivë për gjetjen e zgjidhjes së përhershme dhe të qëndrueshme, e cila do të na mundësojë që në të ardhmen të fokusohemi bashkërisht në tema që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë”, ka bërë thirrje Nikoliq.

Sllovakia, e cila nuk e ka njohur Kosovën, e ka ftuar në samit edhe presidenten Jahjaga, duke respektuar formulën e njohur të “Gymnihut”, që nënkupton që në tavolinë të mos vendosen as flamujt dhe emrat e shteteve që përfaqësojne pjesëmarrësit.

R.M.