Jam e fejuar me një qytetar amerikan – A është edhe fëmija im me të qytetar amerikan?

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Jam e fejuar me një nënshtetas amerikan. Kam vizë (për të fejuarit) dhe jam shtatzënë. Nëse e lind fëmijën në Shqipëri, a do të jetë fëmija nënshtetas amerikan? Jam e shqetësuar, sepse ende nuk jemi martuar zyrtarisht. Interesohem gjithashtu dhe për vete, si mund të marr nënshtetësinë amerikane? Faleminderit.

Em

Fillimisht, urimet më të përzemërta për martesën dhe të ardhmen që do të krijosh së bashku me familjen tënde në SHBA. Fëmija ka shumë të ngjarë të jetë nënshtetas amerikan, kudo që të lindë. Sipas të gjitha gjasave ju vetë mund të aplikoni për t’u bërë nënshtetase amerikane, 3 vjet pasi të keni marrë green card-ën.

Ka dy mënyra që dikush të bëhet nënshtetas amerikan. Njëra mënyrë garantohet me ligj sipas të cilit individi që gëzon këtë të drejtë, nuk ka nevojë të ndërmarrë ndonjë veprim apo të paraqesë ndonjë aplikim. Si shembull mund të sjellim rastet e personave që lindin në Shtetet e Bashkuara ose të atyre që lindin jashtë Shteteve të Bashkuara, por me prindër amerikanë. Mënyra tjetër është nëpërmjet natyralizimit, por në këto raste nevojitet të paraqitet një aplikim si dhe të përmbushen kriteret përzgjedhëse që mundësojnë marrjen e nënshtetësisë.   

Nëse fëmija lind në SHBA, ai ose ajo automatikisht është nënshtetas/e amerikan/e, pavarësisht nëse jeni ose jo e martuar me nënshtetasin amerikan në fjalë.

Çështja që nëse fëmija që lind jashtë Shteteve të Bashkuara dhe ka vetëm njërin nga prindërit nënshtetas amerikan, është ose jo nënshtetas amerikan, varet nga ligjet në fuqi në momentin kur lind fëmija. Këto ligje kanë ndryshuar me kalimin e viteve, por zakonisht ajo çfarë kërkojnë është një kombinim i dy kritereve: të paktën njëri nga prindërit, në momentin kur lind fëmija, të jetë nënshtetas amerikan si dhe të ketë jetuar në Shtetet e Bashkuara apo territoret e saj për një periudhë kohe. Gjithashtu, fëmijët që kanë lindur jashtë Shteteve të Bashkuara mund të bëhen nënshtetas amerikanë pas lindjes falë faktit që prindi është nënshtetas ose është natyralizuar. 

Marrja e nënshtetësisë varet nga data e lindjes së fëmijës, nga fakti nëse njëri ose të dy prindërit janë nënshtetas amerikanë dhe, nëse vetëm njëri prej tyre, cili, dhe nëse lindja ka qenë ose jo jashtë martese. Të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me atësinë ose mamësinë duhet të përmbushen përpara lindjes së fëmijës. Në mungesë të një deklarate zyrtare nga Kongresi, marrja e statusit në fjalë nuk është retroaktive. Rrjedhimisht, është shumë e rëndësishme që të konsultohet ligji në fuqi kur vendoset nëse nënshtetësia mund të fitohet bazuar në prejardhje. Rregullat janë më të komplikuara në rastet kur babai është nënshtetasi amerikan.

Si rregull, një fëmijë i lindur jashtë SHBA-së është nënshtetas që në lindje kur prindërit e fëmijës, në momentin e lindjes, nuk janë të martuar me njëri-tjetrin, nëse babai gjenetik është nënshtetas amerikan në momentin e lindjes së fëmijës, kurse nëna nuk është nënshtetase dhe data e lindjes është më ose pas 14 nëntorit 1986. Rregulloret specifike gjenden në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit të SHBA në https://travel.state.gov/content/travel/en/legal/travel-legal-considerations/us-citizenship/Acquisition-US-Citizenship-Child-Born-Abroad.html

Kur një fëmijë lind dhe prindërit nuk janë të martuar, fëmija konsiderohet i “paligjshëm”. Në raste të tilla, qeveria e SHBA-së do të kërkojë të shohë prova të mëtejshme që dëshmojnë se babai i fëmijës është me të vërtetë babai i tij ose i saj. Mënyra më e thjeshtë për “legjitimizimin” e fëmijës është kur martesa mes babait dhe nënës ndodh përpara se fëmija të mbushë 18 vjeç. Dëshmia më e mirë që provon këtë martesë do të ishte çertifikata e martesës civile lëshuar nga autoriteti shtetëror përkatës i vendit ku u krye martesa.

Prindërit amerikanë të një fëmije të lindur jashtë vendit duhet të raportojnë lindjen pranë Ambasadës ose Konsullatës së Përgjithshme. Ambasada më pas lëshon atë që njihet si “Raport Konsullor i Lindjes Jashtë Vendit” si dhe një pasaportë amerikane, të cilat do t’i nevojiten fëmijës për t’u larguar nga ai vend. Raporti konsullor në fjalë mund të përdoret si certifikatë lindjeje për arsye shkollimi, punësimi ose arsye të tjera. Në aplikimin për marrjen e raportit konsullor të sipërpërmendur përfshihet dhe aplikimi për marrjen e numrit të sigurimeve shoqërore. Numri i dërgohet me postë aplikantit pas regjistrimit. Të gjitha dokumentet origjinale do të shqyrtohen nga një zyrtar konsullor.

Bashkëshortët e nënshtetasve amerikanë mund të natyralizohen vetëm tre vjet pas marrjes së statusit të rezidentit të ligjshëm të përhershëm. Bashkëshorti juaj duhet të ketë qenë nënshtetas amerikan gjatë të gjithë kësaj periudhe tre vjecare. Ju dhe bashkëshorti që ka nënshtetësi amerikane duhet të jetoni si të martuar, pra të keni lidhje martesore, gjatë të gjithë periudhës tre-vjeçare. Nëse ndaheni me ligj ose bashkëshorti ndërron jetë përpara se të kryeni betimin për marrjen e nënshtetësisë, nuk kualifikoheni për t’u natyralizuar sipas asaj çka parashikon ky ligj. Gjithashtu duhet të keni qenë fizikisht i pranishëm në Shtetet e Bashkuara për të paktën 18 muaj gjatë kësaj periudhe tre-vjeçare si dhe të keni banuar për të paktën tre muaj në shtetin apo distriktin e USCIS-it në SHBA, ku keni paraqitur aplikimin. Gjatë periudhës tre-vjeçare në fjalë, duhet gjithashtu të tregoni se keni karakter të lartë moral. Statusi i rezidentit të ligjshëm të përhershëm si dhe martesa me një nënshtetas amerikan janë dy kushte që duhet t’i plotësoni, njëkohësisht, gjatë të gjithë periudhës tre-vjeçare. 

Mund të gjeni më shumë informacion në faqen e internetit të Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) në adresën www.uscis.gov  ose në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit (DOS) në www.travel.state.gov/

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]