James Rubin: Kosova dhe Serbia duhet t’i marrin edhe disa vendime të vështira

Podgoricë, 10 prill 2023 – I dërguari special i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, James Rubin, ka deklaruar se për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë më të ndritur, në qoftë se zbatohet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konference për shtyp në Podgoricë, të hënën, Rubin ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mirëpresin marrëveshjen bazë për normalizim të marrëdhënieve.

“SHBA-ja mirëpret marrëveshjet në të cilat po punon Bashkimi Evropian dhe po ndihmon Kosovën dhe Serbinë që të kenë marrëdhënie normale. të jetojnë pranë njëra-tjetrës, t’i njohin simbolet e njëra-tjetrës, të sigurojnë të drejtat e pakicave dhe lirinë e lëvizjes dhe të ecin përpara”, është shprehur ai, citon gazeta Vijesti.

Rubin, i cili ka qenë ndihmës i Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka thënë Kosova dhe Serbia duhet t’i marrin edhe disa vendime të tjera të vështira.

“Unë shoh dallime të mëdha në krahasim me kohën e luftës, mjerimit dhe masakrave masive të civilëve të pafajshëm. Tani mund të shohim perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë, nëse liderët e pranojnë mundësinë që u është ofruar. Ata thjeshtë duhet t’i marrin disa vendime të vështira. Asgjë e mirë nuk ndodh në botë nëse nuk merren vendime të vështira. Disa vendime të vështira tashmë janë marrë, por duhen të merren edhe disa tjera”, ka theksuar ai.

Rubin ka thënë se ka dallime edhe në qasjen e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj çështjes së Kosovës.

“Ka dallime. Aleksandar Vuçiq tani po punon me zyrtarët e Kosovës për normalizim”, ka thënë ai, duke shtuar se Rusia “nuk do ta dëshironte normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Rubin, tani koordinator i Qendrës për Angazhim Global, ka nisur në Podgoricë një trune katërditor në Ballkanin Perëndimor. Ai ka treguar se nga Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken, është ngarkuar për përballimin e sfidave të dezinformimit në rajon.

“Arsyeja pse jam këtu, në emër të Presidentit Biden dhe sekretarit Blinken, është sepse e ardhmja e suksesshme e Malit të Zi duhet të përfshijë përpjekje të forta dhe të përkushtuara në luftën kundër sfidave të dezinformimit”, ka thënë ai.

“Është një problem i ri në botë, sepse ana e errët e globalizimit dhe ana e errët e revolucionit dixhital mund të keqpërdoren nga regjimet autoritare, si Rusia dhe Kina, dhe mjetet që duhet të zhvillonin demokracinë në botë të përdorin për të shkaktuar errësirë, dezinformata, gënjeshtra. Ne duhet ta ndalojmë këtë sa më shumë që mundemi”, ka thënë ai.

Rubin ka folur edhe për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ai ka thënë se beson se mënyra më e mirë për të adresuar problemet në rajon është shkëputja e Serbisë nga Rusia dhe përballimi I fushatës dezinformuese të Rusisë dhe Kinës në rajon.

“Ka njerëz që s’do ta pranojnë se Rusia e pushtoi Ukrainën. Ka një arsye për këtë, sepse burimet e informatave janë të helmuara, kështu që njerëzit e kanë të vështirë të shohin diçka që realisht duhet të jetë bardhë e zi”, ka thënë ai.

Gjatë turneut në rajon, Rubin do ta qëndrojë edhe në Beograd, në Shkup dhe në Tiranë.

(r.m.)