Jamie Shea e cilëson jorealiste dëshirën që Kosova të anëtarësohet shpejt në NATO

Bruksel, 1 mars 2022 – Jamie Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, e konsideron jorealiste dëshirën që Kosova të anëtarësohet shpejt në NATO.

Zoti Shea, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se çështjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO e bëjnë më kompekse vendet anëtare të aleancës dhe të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovë.

“Kosovarët janë shumë entuziastë për NATO-n. NATO i ka ende mbi 3,000 trupa në Kosovë që e mbrojnë çdo ditë. Në njëfarë mënyre, Kosova është një lloj anëtarje de facto e NATO-s, sepse mbrohet nga trupat e NATO-s. Por, për t’u anëtarësuar, duhet të zgjidhet çështja e shteteve mosnjohëse, që janë anëtare të NATO-s. Vendet si Spanja dhe Sllovakia, për arsye të veta historike, nuk e njohin Kosovën. Ky është problem edhe në Bashkimin Evropian dhe është një pengesë e madhe”, ka thënë Shea.

Ai ka theksuar se tashti NATO mund ta mbështesë Kosovën në arritjen e atandardeve të aleancës.

“Për momentin, shpresoj që NATO-ja do të rrisë bashkëpunimin me Kosovën, në Partneritetin për Paqe, dhe, së paku, të fillojë ta përgatisë Kosovën në përputhje me standardet e NATO-s, që të jetë si anëtare e NATO-s, në mënyrë që kur të hiqen pengesat politike, ajo të jetë në përputhje me standardet e NATO-s dhe të anëtarësohet shpejt në aleancë”, ka thënë ai.

Aspirata e Kosovës për anëtarësim në NATO është e kahershme, por kërkesa për anëtarësim të shpejtë erdhi pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Autoritetet e Kosovës e shohin agresionin rus ndaj Ukrainës si kërcënim edhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, prandaj kërkojnë anëtarësim të Kosovës në NATO me procedurë të shpejtuar.

“Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, deklaroi të dielën ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

Përdoruesit e rrjeteve sociale e kanë shpërndarë në rrjetet sociale hashtagun #KosovoInNATO, duke shprehur kështu dëshirën e shtetasve të Kosovës për anëtarësim në NATO.

(r.m.)